Pas skandalit të madh, të vërtetuar me fakte, se administrata publike është marrë peng nga mazhoranca socialiste për të akomoduar militantët, familjarët dhe dashnoret e politikanëve, “Zëri i Amerikës” ka publikuar këtë mbrëmje përgjime të reja, që faktojnë një tjetër skandal të qeverisë. Bëhet fjalë për blerjen e votave dhe bashkëpunimin e socialistëve me bandat kriminale për të fituar zgjedhjet.
“Zëri i Amerikës” ka zbërthyer dosjen ‘339’, ku është i implikuar kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. Në përgjimet e publikuara këtë mbrëmje, rezulton se Dako ka bashkëpunuar me bandat kriminale për të fituar zgjedhjet. Kryebashkiaku socialist del në përgjime, duke biseduar me anëtarët e bandës së rrezikshme të Avdylajve, për të blerë votat. Por, nuk është vetëm kjo bashki dhe ky emër socialist i përfshirë në këtë akt kriminal. Bashkëpunimi i socialistëve me bandat për blerje votash e pushteti është faktuar edhe në qarqe të tjera, si në Kavajë, Lezhë dhe Dibër.
Kjo është padyshim goditja më e madhe që “Zëri i Amerikës” i jep qeverisë së Edi Ramës, duke çmontuar kështu një tjetër mashtrim të madh të kryeministrit shqiptar dhe qeverisë së tij, se gjoja krimi po luftohet dhe po shkëputet bashkëpunimi i tij me politikën.
Kujtojmë se “Zëri i Amerikës”, që është zëri kryesor i amerikanëve në Tiranë, ka goditur shumë herë qeverinë e Ramës. Pak javë më parë, kjo media publikoi përgjimet, ku zbulonte të vërtetat e punësimeve në administratën publike. Përgjimi i publikuar tregonte se konkurset e famshme për punësim janë një maskaradë e qeverisë dhe pjesë e propagandës së saj, ndërsa të përfshirë ishin shumë zyrtarë të lartë të qeverisë.
Gjithashtu, disa javë më parë është zbuluar edhe se si bëheshin emërimet tek ALUZNI. Kreu i ALUZNI-i, Artan Lame, u përgjua, duke treguar se si të gjitha punonjësit ishin futur me mik dhe me rekomandim partie. E njëjta metodë shtrihet në të gjithë sektorët e administratës.
Një tjetër goditje ishte edhe fakti se Edi Rama dhe Etilda Gjonaj kishin mashtruar edhe me rezultatet e luftës kundër korrupsionit. Kjo është arsye se pse Brukseli shtyn çeljen e negociatave çdo vit.