Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se vetëm zgjedhjet e reja sigurojnë legjitimitetin e atyre që e udhëheqin Kosovën dhe e përfaqësojnë në dialog.
“Kjo vlen edhe për PSD-në para se të bëhet pjesë e çfarëdo ekipi negocues. PSD-ja duhet përmes zgjedhjeve të reja të verifikojë 12 mandatet që ka në Kuvend, ngase janë mandate të fituara nga një parti tjetër. Vlerësoj se verifikimi i legjitimitetit është i domosdoshme për qëndrueshmërinë e demokracisë në Kosovë dhe të PSD-së gjithashtu”, ka shkruar ai.
Partia Social Demokrate po ashtu në propozimin e saj, ka kërkuar edhe formimin e një Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrje të dialogut. Në këtë kohë, kur kjo e fundit kërkon një gjë të tillë, Lidhje Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kërkojnë që vendi të shkoj në zgjedhje sepse institucionet e kanë humbur kredibilitetin dhe legjitimitetin e tyre.
Kurse deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj propozimit të PSD-së, që opozita të jetë pjesë e ekipit negociator të dialogut me Serbinë. Haxhiu përmes një shkrimi në Facebook, i ka quajtur tradhtarë e vjedhës 12 deputetët e PSD-së duke thënë se tani duan të bëhen patericë e Thaçit.
I tradhtuan votuesit, i vjedhën mandatet, tani duan t’i bëhen patericë Thaçit për koncesione të reja!
Zgjedhje të jashtëzakonshme dhe jo pazare të reja! Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se PSD duhet ta mas vetën me votë, pasi që mandatet i kanë fituar sa ishin pjesë e Vetëvendosjes, ka shkruar Haxhiu.
Por shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Sejdiu i është kundërpërgjigjur LDK e VV, të cilat e kundërshtuan propozimin e kësaj partie që të jenë pjesë e ekipit negociator.
Sejdiu përmes një shkrimi në Facebook, i ka cilësuar deklaratat e LDK e VV si vajtim opozitarë.
Sejdiu ka theksuar se ka kohë që Partia Socialdemokrate e trajton si çështje të rëndësishme zgjidhjen e nyjes në mes Kosovës dhe Serbisë. E në këtë zgjidhje, konsensusi i subjekteve politike fuqizon pozicionin e Republikës së Kosovës.
Qeveria dhe aq më pak Presidenti, nuk kanë legjitimitet dhe as kredibilitet, të negociojnë në emër të Kosovës dhe për Kosovën. Vetëm duke qenë Kuvendi i Kosovës bartës i këtij procesi, kemi legjitimitet dhe kredibilitet për ta përfaqësuar Republikën.
Por, derisa në njërën anë e kemi një pushtet të papërgjegjshëm, arrogant dhe të korruptuar, që nuk po e drejton mirë Kosovën dhe në veçanti procesin e dialogut; në anën tjetër e kemi një pjesë të opozitës që krejt çka bën tash e disa muaj është vajtimi dhe ankesat.
Para se disa nga partitë opozitare të flasin për strategjinë politike të PSD-së, ato duhet të përgjigjen për rezultatin e strategjisë së tyre disamujore për rrëzimin e qeverisë, apo përpjekjen për bllokimin e pushtetit? A kanë patur ndonjë sukses me këtë strategji?
E nisën me tryeza të partive politike, pastaj hoqën dorë nga to. Vazhduan me “bojkot” të Kuvendit, pastaj u kthyen në seanca pa asnjë rezultat. E nisën me kërkesën për mocion mosbesimi (edhe pse asnjëherë nuk i dhanë nënshkrimet), përfunduan me një rezolutë që kërkon dorëheqjen e qeverisë! Në fund u kthyen aty ku e nisën: po kërkojnë sërish tryezë të partive politike!
Partia Socialdemokrate i konsideron Qeverinë dhe Presidentin e Republikës së Kosovës përgjegjës për gjendjen aktuale. Rrjedhimisht betejën e ka me pushtetin. Besojmë që së pari duhet të ketë bashkim të opozitës dhe pastaj konsensus për dialogun. Mirëpo, për bashkim të opozitës duhet vullnet politik edhe nga të tjerët. E respekt të ndërsjellë. Sidomos nga subjektet më të numërt në kuvend.
Ne nuk besojmë që zgjidhja është ankesa dhe vajtimi, por angazhimi për të ndërtuar strategji të përbashkët, përballë një pushteti të papërgjegjshëm, arrogant dhe të korruptuar.