“Qeveria i bleu votat!” PD analizon zgjedhjet; zbardhen 13 konkluzionet që do t’i paraqiten Kryesisë
Aq shumë është përfshirë Beogradi në këtë ngjarje, sa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka dalë dy herë në ditë në media pikërisht për këtë. Edhe Sot Vuçiç ka dalë për helmimin e Deçanit, duke nxjerrë sekrete nga organet hetimore të Serbisë.
Po çfarë pune paskan organet hetimore të Republikës së Serbisë, në një komunë të Kosovës si Deçani?
Por ka edhe më keq, pasi Zyra për Kosovën në qeverinë Serbe ka dalë sot me një deklaratë të ashpër, ku ka akuzuar se po përgatitet një skenar i ngjashëm me vitin 2004, pas të cilit fshihen objektiva për të dhunuar popullsinë serbe në Kosovë.
Kjo deklaratë e Beogradit, është realisht një logjikë pa sens, pasi në të gjitha qëndrimet, deklaratat apo edhe komentet e Prishtinës, nuk është akuzuar fare Beogradi. I vetmi që po ushqen teoritë konspirative është vetë Vuçiç, i cili madje përmend makina, njerëz, “fakte”, për të krijuar një alibi sikur ka pas serb atë ditë që është helmuar ujesjellësi i Deçanit.
E përse e gjitha kjo?
Për të vetmen arsye, se pas 4 ditësh kur do takohet me Albin Kurtin, Aleksandër Vuçiç është realisht ‘shah me zbulim’, e nuk di si të lëvizë gurët.
I duhet një incident për ta prishur lojën e për ta shtyrë për herë tjetër, pasi të hënën në Bruksel, kryeministri i Kosovës do t’i thotë kryeministrit të Serbisë, që të bëjë lëvizjen e radhës, pas asaj që bëri Albin Kurti në qershor kur i kërkoi kohën e njohjes së Kosovës, si dhe planin me 4 pika.
Vuçiçi nuk se ka ndonjë shteg lëvizjeje në këtë “lojë” nervash me Prishtinën e ndërkombëtarët, por ai synon të hapë një “cassus belli”, pra një shkak për përplasje që të dalë nga këndi i ringut ku e ka futur Albini në qershor.
Tani, Kosova s’ka ç’bëjë më, është e izoluar, e goditur, e hetuar e sulmuar, s’ka ç’humb, ajo kërkon vetëm të ecë para si shtet, që e njeh SHBA dhe BE.
Nëse Serbia nuk e njeh, tashmë ajo nuk ka më justifikim. Nëse Serbia do të jetë për të hapur negociatat për një proces marrëveshjeje finale, Vuçiç duhet ta shpallë. Por ka frikë. Se edhe këtu Albin Kurti është treguar më ‘dhelpër’ se paraardhësit. Duke qenë më intelektual se të gjithë, Albini ka dhënë intervista në mediat serbe, ku ka përçarë politikën e Serbisë, duke thënë në fakt një të vërtetë që e dinë të gjithë, se nëse në qeveri do të ishin forca më properëndimore si partitë e Tadiçit, Jovanoviçit, apo edhe Jeremiçit, negociatat Prishtinë-Beograd do të jenë më të lehtësuara, se me njerëzit e Moskës që drejtojnë sot.
Kryeparlamentari i Serbisë, Ivica Daçiç, tha para pak ditësh në një intervistë se “Albin Kurti është një njeri që e mbështet Gjermania”, që në fakt është e vërtetë. Por arsyeja e kësaj deklarate ishte për të ndarë politikën serbe, pasi një pjesë e mirë e saj ka marrëdhënie të mira me Berlinin.
E kjo “futje hundërsh” e Albinit në politikën serbe e ka çakorduar Vuçiçin, i cili jo vetëm që nuk ka iniciativën në negociatat me Prishtinën, siç e ka pasur në të shkuarën, por nuk po e lënë rehat edhe në shtëpi.
Ndaj po tenton të prodhojë një incident, por duket baruti është lagur në ujin e Deçanit. E në fakt më mirë kështu…/Pamfleti