Nga Dušan Janjić
Për vite të tëra, zyrtarët e BE-së kanë thënë se hapja e Kapitullit 31 – harmonizimi i politikave të Serbisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, si pjesë e bisedimeve të pranimit të Serbisë në BE, do të fillojë së shpejti. Lidhur me këtë pati disa mesazhe, veçanërisht nga Berlini. Megjithatë, asnjëherë nuk u ra dakord për hapjen e Kapitullit 31. Arsyeja nuk ishte se BE-ja donte t’i bënte lëshime Serbisë, por ishte një mënyrë për të mos treguar se nuk kishte një konsensus të qartë mbi vizionin e përbashkët gjeopolitik dhe strategjinë e sigurisë midis vendeve anëtare të BE-së.
Kur u përballën me sfidën e luftës së Putinit, udhëheqësit e BE-së u bënë të vetëdijshëm se siguria energjetike nuk ekzistonte. Më pas ata filluan me nxitim të miratonin “paketat e sanksioneve kundër Rusisë” (deri më tani ka pasur pesë paketa), duke theksuar nevojën që të gjitha vendet të harmonizojnë politikën e tyre me paketat e BE-së. Duke qenë se negociatat e pranimit në BE me Serbinë janë në proces, Serbia pritet të pajtohet me to. Në këto kushte, që prej shkurtit të këtij viti, autoriteteve serbe dhe vetë presidentit Vuçiç u është bërë thirrje që të “kthehen” drejt Perëndimit. Këto thirrje bëhen që Serbia t’i bashkohet BE-së në vendosjen e sanksioneve kundër Putinit dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, oligarkëve dhe kompanive shtetërore. Por ka një problem me sanksionet – Brukseli nuk ka zhvilluar ende një mekanizëm tjetër. Përvoja me sanksionet në të kaluarën, duke përfshirë përvojën e vetë Serbisë me sanksione të rënda, tregon se këto të fundit mund të jenë efektive vetëm kur janë pjesë e një politike të plotë, të paracaktuar, të harmonizuar dhe të koordinuar. Prandaj, një pjesë e publikut serb dhe atij ndërkombëtar po e humbasin durimin ndërsa presin që “brenda natës” Vuçiç të bëhet i pavarur nga ndikimi i fuqishëm i Rusisë mbi Serbinë – temë për të cilën kam shkruar në rubrikat e mia të mëparshme.
Duke mos kuptuar kompleksitetin e çështjes (ku Serbia bëhet e “pavarur” nga Rusia dhe Vuçiçi “ndryshon drejtimin”), kjo përpjekje mund të shndërrohet në një luftë të vështirë e afatgjatë si Sizifi që rrokullis gurin në kodër. Natyrisht, të kuptuarit e kompleksitetit nuk justifikon në vetvete “përllogaritjen” politike ditore dhe hezitimin e treguar nga Vuçiç dhe nga shumica e opinionit publik serb.
Serbia i kaloi dekadat e fundit me një ndjenjë ideologjike dhe etno- nacionaliste. Udhëheqja e saj kujdesej më shumë për përfitimet e veta dhe interesat e kapitalit dhe shteteve të huaja, sesa për ndërtimin e shtetit ligjor, institucioneve efikase dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Më e keqja është se zyrtarët që nuk kanë pasur një vizion të qartë dhe një strategji reformash kanë marrë vendimet më të rëndësishme.
Në dekadat e fundit, përveç vendosjes së paqes së paqëndrueshme dhe progresit të kufizuar ekonomik, Serbia nuk ka arritur të kapë nivelin e duhur të zhvillimit të saj. Ekziston nevoja për të identifikuar dhe hequr barrierat që po ngadalësojnë tranzicionin e Serbisë. Kjo duhet të bëhet kryesisht në lidhje me privatizimin e ardhshëm në sektorin e energjisë, i cili qëndron në thelb të sigurisë energjetike dhe sigurisë dhe stabilitetit të përgjithshëm të vendit. Prandaj, udhëheqja e Serbisë nuk ka zgjidhje tjetër veçse të identifikojë dhe angazhohet për interesat e zhvillimit të qëndrueshëm në Serbi.
Ndërkohë, Serbia filloi të merrte kredi nga qeveritë e tjera, veçanërisht nga Rusia dhe Kina, dhe gjatë dekadës së fundit nga “miqtë” arabë, pra duke favorizuar interesat e Lukoil, Gazprom, Sberbanksi dhe kompanive të tjera dhe oligarkëve rusë në kurriz të vendit. Kjo praktikë e autoriteteve serbe ka joshur ish-“reformistët”, “reformatorët properëndimorë” dhe “pro-evropianë” si ministrat e Gjingjiçit nga Partia Demokratike dhe G17+ (Mlađen Dinkić dhe Božidar Đelić janë një shembull i mirë i politikanëve që notojnë në ujërat e trazuara të korrupsionit dhe “notojnë nga Perëndimi deri në anën e Rusisë dhe Kinës”). Para se të vinte në pushtet, Vuçiç kishte premtuar se do të hiqte dorë nga shërbimet e këtyre “reformistëve”, por nuk e bëri këtë. Përkundrazi, ata u bënë mbështetje kryesore për qeverinë e Partisë Progresive dhe Vuçiçin që në vitet e tyre të para në detyrë.
Trilli se Rusia është një “alternativë” dhe Putin “shpëtimtar” është krijuar duke u fshehur pas “interesave kombëtare” dhe “mbrojtjes së Kosovës.” Në të njëjtën kohë, ruhet një narrativë, e cila e portretizon Serbinë si një “partner strategjik” të “Rusisë së fuqishme,” serbët si rusë “të vegjël,” Putinin si “vëlla” dhe Vuçiçin si Putini “i vogël.” Prandaj, nuk duhet të habitemi me moton që po dominon fjalimin publik në Serbi dhe narrativën ndërkombëtare për Serbinë që nga fillimi i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës: Serbia duhet të zgjedhë midis BE-së dhe Rusisë!/Pamfleti