Mediat ruse i kanë bërë jehonë të madhe lajmit. Janë të shumta ato që e vënë pikërisht theksin te fakti që NATO mund të ngrejë një bazë të dytë në Shqipëri.
Një ndër portalet që ka shkruar është “Regnum”, i cili shkon më tej, duke thënë se Rama, i ka premtuar NATO-s edhe bazën e Pashalimanit. “Siç raportoi REGNUM , më 26 maj, Edi Rama i ofroi Aleancës së Atlantikut të Veriut të ngrinte bazë detare në Pashaliman, bazën e grabitur në 1997, e cila ndodhet 180 km në jug të kryeqytetit të Shqipërisë”, shkruan portali.
Më e ashpër është “Lenta.ru”, një portal i cili kontrollohet nga qeveria ruse. Ai duket se i lidh zhvillimet dhe me luftën në Ukrainë. “Shqipëria i ka ofruar NATO-s të përdorë bazën e vjetër detare sovjetike në territorin e vendit ‘në këto kohë të rrezikshme’ siç tha kryeministri”, shkruan portali, iu cili në fakt shkruan i bindur se NATO do të marrë bazën e Pashalimanit dhe jo të Durrësit.
Po ashtu edhe ky portal përmend faktin se kjo është baza e dytë që do ngrihet. “Në verën e vitit 2018, NATO miratoi vendimin për ndërtimin e bazës së parë ajrore në Ballkan në Shqipërinë qendrore. Për ndërtim u zgjodh një aeroport i vjetër ushtarak në qytetin e Kuçovës, i cili nga viti 1950 deri në vitin 1990 mbante emrin Stalin”, shkruan portali.
Por ata që janë më të shqetësuar janë serbët. Mediat serbe i kanë bërë jehonë të madhe lajmit dhe shumica kanë titullin: “A është në rrezik Serbia?! Edi Rama kërkon baza ushtarake të NATO-s në Shqipëri, dy të shpallura tashmë”. “Tanjug”, Serbia-postsen”, “Srbin-info”, gjithashtu e vënë theksin te fakti që kjo është baza e dytë e NATO në Shqipëri.
Sinjalet janë të qartë se ngritja e bazave të NATO dhe forcimi i ushtrisë shqiptare nga amerikanët është mesazh për Rusinë dhe Moska me Beogradin janë shqetësuar. Një ditë më parë SHBA solli në Tiranë brigadën e katërt të forcave të asistencës dhe duket qartë se SHBA po i dërgon mesazhe Moskës nga Shqipëria.