Lexuesit e syri.netKosova, kohë pas kohe dërgojnë foto në të cilat shihet qartë se çmimi i cili është vendosur në rafte ku edhe ndodhet produkti që konsumatori ka blerë, ka një dallim të madh me atë se sa e paguajnë në arkë. Madje në disa artikuj nuk ka fare çmim, dhe përgjigja e shitësve siç thonë vetë konsumatorët është “Nuk e dijmë, ndoshta ndonjë gabim”. Por gabimet janë të papërmirësueshme dhe nuk po gjejnë një kufij ku të ndalen.
Për mashtrime të tilla, Inspektorati i Tregut që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thonë se çdo ditë shqyrton ankesa të tilla që vijnë nga zyra e konsumatorit. “Inpektorati i Tregut në MTI në vazhdimësi realizon vizita inspektuese te operatorët ekonomikë, ku ndër të tjera bëjnë verifikimin nëse çmimet janë vendosur afër produktit si dhe çmimet a janë në përputhje në raft-arkë”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të MTI’së drejtuar syri.netKosova.
Tutje ata thonë se gjobat e lëshuara për operatorët ekonomikë, gjatë vitit 2018 kanë qenë të natyrës së mashtrimit të konsumatorëve. “Në rast se vërtetohen ankesat që vijnë nga ana e konsumnatorëvem atëherë shqiptohen edhe gjoba, e që vlera shkon në 1 mijë euro. Kryesisht mashtrimet më të shpeshta që iu bëhen konsumatorit janë: mospërputhjet e çmimeve raft – arkë, mosvendosja e çmimeve në rafte, mos verifikim të peshoreve, mospërputhje e peshës së deklaruar”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të MTI’së.
Në anën tjetër kryetari i organizatës kosovare për mbrojtjen e të drejtave, interesave dhe dinjitetit të konsumatorit “KONSUMATORI”, Selatin Kaçaniku, ka deklaruar se mashtimet po vazhdojnë pa i dhënë llogari askujt. “Mashtrimet e tilla “kanë avansuar” deri në perfeksion, po aq sa janë disa hapa përpara në krahasim me mekanizmat e mbikqyrjes e inskpektimit të tregut. Në lojën me/për çmime përdoren edhe përbërësit, aditivët, pesha/vëllimi, ambalazhimi, disejni, rifreskimi i datës së skadencës…dhe motivimi i pamjaftueshëm i mekanizmave në aspektin human, material e teknik si dhe mosinteresimi i sistemit të drejtësisë për tu marrë me problemet e konsumit/kauzën/të drejtën e qytetarit konsumator”, ka thënë Kaçaniku për syri.netKosova.
Në qendra tregtare çmimet shpesh janë te dyfishuara dhe ky është shqetësimi më i madh i konsumatorëve, gjë të cilën e pohon edhe kryetari i organizatës kosovare për mbrojtjen e të drejtave, interesave dhe dinjitetit të konsumatorit “KONSUMATORI”.
“Mes teknikave më të avansuara është dualizimi i çmimeve, çmimet e dyfishta për të njëjtin artikull/mall/produkt. Mashtrohemi me një çmim më të ulët, më atraktiv pranë artikullit në raft dhe çmimi tjetër, i befasishëm e më i lartë e pret qytetarin konsumtaor te arka. Jo rrallë konsumatori nuk e vëren mashtrimin ose e vëren me vonesë, atëherë kur është vonë, sespe në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, ankesat nuk merren parasysh nga bizneset pas 24 orësh”, ka thënë Kaçaniku.
Tutje Kaçaniku ka shtuar se mashtrimi më i pa skrupullt ndaj konsumatorëve është kur në produkte nuk ju vendoset fare çmimi.
“Këto mashtrime flasin për shkeljen e dinjitetit dhe për “skallëvërimin modern komercial” të qytetarit, rruga e të cilit deri te drejtësia po del tepër e gjatë dhe po neglizhohet, injorohet e pengohet nga ata të cilët kanë mandat e marrin rroga nga ai për ta mbrojtur. Ndërsa për ankesa ndaj mashtrimeve të tilla, konsumtaorët mund të drejtohen online në konsumatori.rks-gov.net, ose të thërrasin pa pagesë në 080011000.