Deklarata nga Gjermania vjen pasi presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi se Rusia mund të jetë gati të sajojë një justifikim për të pushtuar Ukrainën.
Joe Biden tha se aksioni ushtarak mund të fillojë menjëherë, por theksoi se një zgjidhje diplomatike ishte ende e mundur, raporton BBC. Nga ana e saj Rusia thotë se pretendimet janë “të pabaza”, duke akuzuar SHBA-në për nxitje të tensioneve.
Moska thotë se po kryen stërvitje ushtarake dhe thekson se disa trupa janë zhvendosur në bazat e tyre të përhershme ditët e fundit.
Megjithatë fuqitë perëndimore thonë se nuk kanë parë asnjë provë për një tërheqje të trupave ushtarakë.