Sipas Qeverisë, vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka dorëzuar në Këshillin e Evropës, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion. Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter, shefi i kabinetit të ministres Gërvalla, Sharr Jakupi.
“Ministrja dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, sapo ka përfunduar takimin e saj në Këshill të Evropës ku ajo e ka dorëzuar personalisht aplikimin. Konfirmoj se zyrtarisht Kosova ka aplikuar për anëtarësim të plotë në Këshill të Evropës”, ka shkruar Jakupi.
Këshilli i Evropës që ka 46 shtete anëtare. Për pranim mjafton përkrahja e dy të tretave të tyre. Shpresat për pranim janë shtuar pasi nga Këshilli i Evropës u përjashtua Rusia. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Është themeluar më 1949.
Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.
Dy trupat kyçe të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare. Serbia të mërkurën paralajmëroi “pasoja” nëse Kosova aplikon për pranim në Këshill të Evropës.