Kosova do të festojë të premten liberalizimin e vizave. Vendimi është marrë, por lajmi po mbahet “sekret” deri të premten, ditën kur do të mbahet samiti i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Sipas burimeve të “Pamfletit”, në këtë samit, do të jepet drita jeshile për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
“Sot jemi informuar se është aprovuar liberalizimi i vizave për Kosovën, por publike do të bëhet të premten”, ka thënë një burim ndërkombëtar për “Pamfletin”.
Në prag të Samitit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në Bruksel, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka thënë se shpreson që në axhendë të jetë çështja e liberalizmit të vizave për Kosovën.
Konjufca beson që nëse kjo çështje do të përfshihet në axhendë, atëherë edhe do të ndodhë liberalizmi i vizave për qytetarët kosovarë.
“Shpresojmë shumë që në takimin e radhës presidenti francez Macron së bashku në koordinim ma merr mendja me kancelarin Scholz dhe të tjerët ta fus në agjendë çështjen e liberalizmit të vizave për Kosovën dhe unë mendoj fort që nëse do të përfshihet në agjendë do të hedhet në diskutim, ma merr mendja që edhe do të marrim mbështetjen edhe do të ndodh liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Konjufca pas një takimi që ka zhvilluar në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Samiti i 23 qershorit është përmendur si datë ku mund të shprehet optimizëm për dhënien e dritës së gjelbër për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizmin e vizave, por Franca dhe Holanda janë dy shtetet më skeptike për këtë proces.
Ndërkaq, po sot Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për çështjen e energjisë në Veri. Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur këtë lajm të mirë.
“Është lajm i mirë që është arritur dakordimi pas bisedimeve të gjata e takimeve të shumta, kjo është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore. Në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatimin e udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë elektrike të konsumuar edhe në veri të lumit Iber, në komunat atje.
Ka qenë një dëmtim i madh i buxhetit, një padrejtësi e jashtëzakonshme që na është bërë në këto vite andaj me këtë dakordim po i vjen fundi dhe po mundësohet që për energjinë e konsumuar edhe të paguhet ajo energji nga të gjithë qytetarët, ashtu që të gjithë të jemi të barabartë dhe të mos dëmtohet buxheti”, theksoi ai./Pamfleti