Lajme, Lajmi kryesor

Zyrtare: Arrestimi i policëve në veri lidhet me vrasjen e Ivanoviqit

Prokuroria e Shtetit ka sqaruar ndërlidhjen e aksionit të sotëm në veri të Mitrovicës ku u arrestuan dy policë në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Prokurori Njazi Rexha, i cili po heton rastin, ka konfirmuar se arrestimi i dy policëve ndërlidhet me mënyrën se si është ruajtur vendi i ngjarjes pas incidentit. Ata kanë qenë në detyrë ta ruajnë vendin e ngjarjes dhe nuk e kanë kryer detyrën e tyre siç duhet”, ka thënë Rexha për Kallxo.com.

Ai ka sqaruar se janë duke hetuar pasojat e veprimeve të policëve. Lajmin për arrestimet e dy zyrtarëve policorë të Stacionit në Mitrovicën Veriore e bëri të ditur sonte Inspektorati Policor. Sipas komunikatës së inspektoratit, këta zyrtarë u arrestuan nën dyshimin për manipulim me prova.

Inspektorati njofton se përveç arrestimeve, kanë bastisur dy lokacione në Mitrovicën Veriore me urdhër të prokurorit dhe gjykatës. “Sot (10.02.2018) në orët e pasdites hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe janë bastisur dy lokacione në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në komunikatë.

Gjatë bastisjeve “është konfiskuar një revole e llojit TT si dhe dy karikatorë me nga 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”.

Të arrestuarve u është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh. Politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviq u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar.

Ai u varros një ditë më pas në Beograd. Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE-së, ata serbë dhe kosovarë. Ai shihej një politikan i moderuar në Kosovë që përkrahte bashkëjetesën midis pakicës serbe dhe shumicës shqiptare.

Megjithatë, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Ai e deklaroi veten të pafajshëm.

Serbia ka kërkuar përfshirje në hetimin për vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa dy shtetet në mënyrë të tërthortë janë duke shkëmbyer informata për këtë vrasje.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *