Lajme, Lajmi kryesor

Zyra e Kryeministrit Haradinaj nuk bën zë para deklaratave të Thaçit

Kidnapimi në rrugë dhe dëbimi me forcë i 6 gylenistëve nga Kosova në Turqi në fund të muajit mars kishte acaruar raportet në skenën politike. Ndaj kësaj vepre të Presidentit Hashim Thaçi, kishte reaguar shefi i Qeverisë Ramush Haradinaj duke shkarkuar Ministrin e Brendshëm Sefaj dhe shefin e AKI-së Driton Gashin

Por, tani teksa ka kaluar zhurma, Thaçi po i vazhdon lojërat. Ai thotë se Haradinaj, Ministrin Sefaj e ka shkarkur për shkak të arrestimit të Gjuriqi, duke dashur të tregojë se me cështjen e gylenistëve gjithçka ka qenë në rregull ose për t’u larë para ndërkombëtarëve dhe Serbisë rreth rastit të kryenegociatorit serb.
Presidenti Thaçi ka tentuar mbrëmë ta përgënjeshtrojë kryeministrin Haradinaj rreth vendimit për shkarkimin e ministri Flamur Sefaj, duke thënë se ai është larguar për shkak të arrestimit të Gjuriq Megjithatë, Zyra e Kryeministrit vazhdon ta trajtojë me maturi Presidentin. Avni Arifi ka mbrojtur vendimin e Haradinajt për shkarkimet, por është treguar i kujdesshëm ndaj Thaçit.

Gazeta Express ka kontaktuar sot Zyrën e Kryeministrit për të marrë një koment rreth deklaratës së mbrëmshme të Presidentit Thaçi, i cili aludonte se arsyeja e shkarkimit të ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj, nuk kishte të bënte me kidnapimin e gylensitëve, edhe pse vendimi i kryeministrit kishte ardhur pas këtij skandali.

Avni Arifi, shef i Stafit të kryeministrit Haradinaj ka thënë se nuk komenton deklaratat e presidentit, por bën me dije se Qeveria qëndron pas arsyeve të shkarkimit të ministrit e shefit të AKI’së, pas rastit të rrëmbimit të gjashtë shtetasve turq.

“Respekt për Presidentin por nuk e komentoj këtë deklaratë të tij duke qëndruar fuqishëm prapa arsyetimeve qe kemi dhënë kur ka ndodhë rasti dhe kur kemi ndërmarrë veprimet qe ju përmendni”, ka thënë Arifi.

Derisa kryeministri i vendit tregohet i rezervuar në deklaratat e tij ndaj Presidentit, ky i fundit çon deri në fund planet e tij. Thaçi dje hodhi dyshimet e tij në vendimin që kishte marrë kryeministri për shkarkimin e ministrit të Brendshëm. Edhe pse Haradinaj deklaroi shumë herë se shkarkimet kishin ndodhur kryekëput për shkak të arrestimit të gylenistëve, Thaci tha se nuk ishte ashtu.

I pari i vendit tha dje se Sefaj është shkarkuar për shkak të arrestimit të Gjuriqit dhe jo për shkak të kidnapimit të turqve, ndonëse vendimi i Kryeministrit për shkarkim kishte tjetër përmbajtje.

“Unë besoj se ministri është larguar për shkak të reagimit ndaj Gjuriqit se sa për rastin tjetër. Për mua ka qenë ministër i mirë dhe i përgjegjshëm. Edhe shefi i AKI-së ka kryer një punë shumë të mirë, por rrethanat politike kërkuan që të ndodhë ajo që ndodhi”, tha Thaçi.

Presidenti mbrëmë pati mundësi të paraqiste cdo gjë irracionale, madje edhe rrëmbimin e gylenistëve, si diçka krejt normale, që, sipas tij, s’kishte marrë vëmendjen ndërkombëtare, ani pse nga zyrtarë të BE’së kishin vërshuar kritikat për shkeljen e të drejtave themelore të njeriut.

Reagimet për rastin ishin të ashpra e të zëshme, por presidenti mbrëmë, edhe njëherë bëhej si i shurdhër. Tha se askush në Bruksel e as në Berlin nuk ia kishte përmendur.

“Në asnjë moment në asnjë fjali, në asnjë rrethanë. Nuk ma ka hapur askush këtë çështje”, tha Presidenti kur u pyet nëse Merkel ia kishte përmendur kidnapimin e turqve. /Express/

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *