Kulturë, Lajmi kryesor

Zvicra e miteve dhe ëndrrave

Shtyllat themelore të kulturës janë kujtesa për kohërat e shkuara, kureshtja për kërkesat e së tashmes dhe fantazia për zhvillimet në të ardhmen. Nëse një shkrimtar ballafaqohet me fenomenin Zvicër, ai nuk dëshiron vetëm të zgjerojë dijen për këtë vend. Ai po ashtu dëshiron të zhvillojë një ndjenjë se çka është e denjë për ta dashur dhe për ta çmuar në këtë vend

Nga Iso CAMARTIN

Zvicrën mund ta kuptojmë vetëm nëse kemi parasysh shkëmbimin shumëshekullor përtej kufijve të vendit. Në vijim ky është edhe synimi im. Ju keni shprehur dëshirën të informoheni për Zvicrën nga dikush që s’është politikan, s’është jurist, s’është ekspert i ekonomisë, s’është historian, s’është gazetar dhe assesi njeri i fushës së reklamave. Unë jam filolog, jo si hulumtues akademik, por si fabulist eseistik – dhe kjo domethënë: kam një dashuri të veçantë ndaj «logoi» – ndaj fjalëve dhe fjalive, ndaj gjuhëve dhe çdo gjëje që mund të ndërmerret me gjuhën dhe imazhet gjuhësore.

Për mua e rëndësishme është Zvicra reale, por po aq e rëndësishme është Zvicra e vizioneve dhe fiksioneve, madje edhe Zvicra e miteve dhe ëndrrave. Rrjedhimisht, ju para vetes nuk keni një libër shkencor apo specialiteti për Zvicrën, por më shumë një fletore për shënimin e udhëtimeve nëpër periudhat e ndryshme helvetike. Kjo perspektivë kulturore ndaj realitetit është një botëkuptim, i cili nuk zhbëhet aq lehtë nëse e ke përvetësuar me dekada. Ka njerëz që kanë para së gjithash qëllime politike dhe ekonomike. Dhe ne nuk duam të nënçmojmë kontributin, energjinë dhe sukseset e tyre. Por jeta mund të vështrohet edhe nga aspekti i rrethanave kulturore. Këtu hyjnë të arriturat e një civilizimi, të cilat individin e edukojnë për t’u bërë njeri i lirë dhe solidar, por edhe ato që një komuniteti apo një kombi i krijojnë respekt për vetveten dhe respekt nga të huajt.

Shtyllat themelore të kulturës janë kujtesa për kohërat e shkuara, kureshtja për kërkesat e së tashmes dhe fantazia për zhvillimet në të ardhmen. Nëse një shkrimtar ballafaqohet me fenomenin Zvicër, ai nuk dëshiron vetëm të zgjerojë dijen për këtë vend. Ai po ashtu dëshiron të zhvillojë një ndjenjë se çka është e denjë për ta dashur dhe për ta çmuar në këtë vend. Për atë që nuk është aq e dukshme në shikim të parë, që nuk na shpërfaqet si fjalëmadhe dhe nuk na imponohet, por shpesh gjendet në fshehtësi. Nietzsche, i cili shtatë vera të tëra në Sils-Maria ka menduar për jetën dhe kohën e tij, ka thënë se nëse do të kishte një arsyetim të ekzistencës sonë, ajo është estetike. Me ketë ai gjithsesi donte të thoshte se atë që ne e përjetojmë si të bukur dhe impresionuese, fisnike dhe karakterizuese ia jep jetës sonë një vlerë të shtuar, e cila mund të përbëjë lumturinë tonë.

Kush reflekton për një vend, këtë duhet ta bëjë në mënyrë kritike dhe ashtu që të thellojë gjykimin. Të reflektosh për vendin pjesë e të cilit ndihesh, shumë shpesh domethënë të arrish në një gjykim alternativ të situatës tënde dhe nganjëherë madje të mbarë mjedisit. Në një perspektivë perceptimi estetikisht të shquar kjo domethënë po ashtu të përkrahësh gëzimin tënd ndaj ekzistencës. A mund ta kuptoni se dikush mund të jetë i lumtur të reflektojë për vendin e tij? Që përkundër të gjitha mangësive, pamjaftueshmërive, deficiteve dhe turpeve, të cilat shfaqen në fushëpamje, kur vendi të cilit i përket gjendet në sprovë, mund të duket edhe diçka që të bën të lumtur? Po, që mund në brendinë tënde të të kaplojë një mirënjohje që fati të ka vendosur në këtë vend?

Pra, këtu duhet të mjaftoheni me një zviceran, i cili është rritur në alpe, tek vonë në jetën e tij është bërë qytetar dhe ndaj gjuhës së tij të prejardhjes dhe kulturës ka një raport besnikërie mirënjohëse. Sidomos kur shkruan për atdheun tënd, në karakterin e hershëm mbetesh çuditërisht joobjektiv. Dikush nga Gjeneva, nga Baseli, nga Tiçinoja apo nga Appenzelli shkruan ndryshe për Zvicrën se një retoroman nga kantoni i Graubündenit. Secili lëviz përgjatë perceptimeve prijëse, kur thotë diçka për vendin e tij, që nuk është tërësisht e shkëputur dhe e pastruar nga personi i tij. Viteve të fundit unë kam trajtuar vazhdimisht aspektet e gëzueshme dhe nganjëherë të turpshme të vendit tim. Këtu do të përpiqem që gëzimet dhe shpresat që i ndjej me atë rast, por po aq edhe deziluzionet dhe zhgënjimet t’i seleksionojë dhe t’i lidh tufë. Unë nuk mund t’ju raportoj juve në mënyrë neutrale dhe jopersonale mbi Zvicrën. Por shyqyr zotit ka shumë libra për Zvicrën dhe çdo libër i vlefshëm hap një derë të re dhe të veçantë ndaj këtij vendi. Atëherë hyni pa ngurrim nëpër derën time. Kur të hyni brenda, jeni të lirë që përmes dyerve të reja të depërtoni në zona krejt të tjera nga ato që kam mundur t’ua tregojë unë.

Përktheu: E. Robelli

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *