Lajmi kryesor, Lifestyle

Zhgënjimi i një gjyshi (Ngjarje e vërtetë)

Nga Guri Shyti

Me Palin jemi shokë fëmijërie. Ndonëse punët dhe dallgët e jetës na patën ndarë për shumë kohë, kur dolëm në pension, e kujtuam jetën e përmallshme të viteve të fëmijërisë, në shkollën fillore të fshatit, dhe takohemi shpesh për të kaluar orë të këndshme, bisedash nga më të ndryshmet, që përfshijnë të kaluarën tonë dhe të tanishmen. Pali është natyrë e qeshur, plot batuta me humor që na e bën të këndshme bisedën rreth tavolinës së barit, ku ulemi për të pirë kafenë e mëngjesit.

Atë ditë ai nuk ishte Pali që njihja. Dukej sikur edhe ishte kërrusur në shpinë, edhe sikur nuk ishte rruar, siç ishte i kudesshëm ta bënte përditë, por kryesorja ishte se e kishte braktisur humor i tij i pandarë. Ishim të dy vetëm rreth tavolinës. Ende nuk na ishte bashkuar ndonjë nga të njohurit tanë të rinj, që, herë pas here vinte dhe na ulej përbri, kryesisht për të qeshur me shakatë e Palit.

Në kushte të tilla nuk m’u durua që ta pyesja se çfarë i kishte ndodhur. Ai ngurroi gjatë me sytë ngulur në një pikë të tavolinës, sikur donte ta zhbironte atë. Unë prita me durim dhe ai, më në fund, e ngriti kokën, më drejtoi sytë e tij të zgjuar, por që sot e kishin humbur atë shkëlqimin e zakonshëm.

– “Eeeh, psherëtiu thellë, jeta, i dashur mik, m’u drejtua, qënka e padrejtë. Tjetër gjë na dukej sikur mbollëm dhe rritëm në jetë dhe të tjera fruta po marrim prej saj. Unë e kuptoj, vazhdoi ai, që rinia, si çdo rini, në të gjitha brezat, ka mënyrat e veta të sjelljes, ka interesat e veta, por ka edhe qejfet e veta, gjithsesi, ka disa kufij sjellje dhe mirësjellje që janë, në mos të dëshiruara, të detyruara për të gjitha brezat. Kështu, për shembull, gjyshërit, ose siç do të donin ta quanin me zhargonin e sotëm të politikës, institucioni i gjyshit, duhet të jetë i respektuar nga të gjithë, pavarësisht se kush është ai nga ngritja kulturore, apo gjendja financiare që u lë trashëgimtarëve”.

Pali heshti një hop, uli kokën me sytë në atë pikën e tavolinës, sikur donte të merrte një vendim të rëndësishëm të ma tregonte hallin që e kishte pezmatuar apo jo, ndërsa unë po prisja të nxirte fundin e filozofimeve të tij, pa e ngucur me pyetje të tjera.

– “Që t’i vëmë kapak muhabetit, vazhdoi ai, mua më ka ndodhur diçka që ma ka errësuar jo vetëm të kaluarën, por edhe të ardhmen. Thuhet se dashuria e prindërve për fëmijët është e pakrahasueshme me asnjë dashuri tjetër, dhe është e vërtetë, por ne që jemi edhe prindër edhe gjyshër mund të dëshmojmë se, dashuria e gjyshërve për nipat e mbesat është ku e ku më e madhe, ose, të paktën, kështu shfaqet. Kjo, sigurisht, ka arsyet e veta, që unë nuk dua të futem t’i shtjelloj, sepse edhe ti noton në po ato ujra që notoj edhe unë.

Siç e di ti, këto ditë unë pata ditëlindjen, një jubile që kushdo e dëshiron ta arrijë. Me këtë rast, fëmijët organizuan një ceremoni të thjeshtë familjare, ku morën pjesë të gjithë fëmijët dhe nipërit e mbesat që kam në Shqipëri. Gjithçka do të kishte shkuar mirë sikur njëri nga nipat të mos më kishte hedhur atë pak katran në poçen me mjaltë që më ishte përgatitur në atë jubile”.

Pali, pa m’i hedhur sytë për të parë përshtypjen që më bënë fjalët e tij, futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe nxori një letër. Teksa ma zgjati atë, e përmbylli: “Ja letra që i kam shkruar nipit”. Unë, në mëdyshje, e mora letrën, e shpalosa dhe fillova ta lexoja. Ja çfarë ishte shkruar në të.

I dashur nipi im

Në këtë orë të vonë të natës, ti, me siguri, ke zhytur kokën tënde të bukur në jastëkun e butë dhe po bën gjumin e qetë, që unë uroj të jetë sa më i ëmbël. Kurse unë, pasi u rrotullova për kushedi sa kohë në shtrojën time, ndjeva që jastëku u lag prej lotëve që më rrodhën befas nga sytë. Atëherë, nuk durova dot më dhe u ula të të shkruaj ty, nipit tim të dashur, këto radhë që dalin nga thellësia e ndjenjave të një gjyshi tejet të përkushtuar dhe prandaj po aq të zhgënjyer.

Unë sot, ose më mirë dje, pasi ora e ka kaluar me kohë mesnatën, kisha ditëlindjen. Gjatë gjithë ditës pata shumë urime nga njerëz të ndryshëm të afërt, por edhe të largët, aq sa nuk mendoja se do ta kujtonin ditën kur kisha lindur unë. Mora shumë urime, por në ekranin e celularit tim të vogël nuk m’u shfaq emri yt, aq i dashur dhe i shumëpritur për mua. Epo, mendoja, ashtu siç janë lëshues dhe falës të gjithë gjyshërit, ku i dihet, ti mund të kishe ndonjë problem nga ato të rinisë së sotme, prandaj, bashkë me dëshirën të dëgjoja zërin tënd të dashur, më lindi edhe meraku se mos ke ndonjë problem.

Kështu kaluan shumë orë. Në mbrëmje kishim vendosur të shkonim, familjarisht, për darkë në një lokal. Sa u gëzova kur më njoftuan se do të ishe ti që do të vije të më merrje me makinë, që të shkonim bashkë në restorant.

Shpesh pritshmëria e madhe sjell edhe zhgënjime të mëdha. Kështu më ndodhi edhe mua kur hyra në makinë dhe ti as ma ktheve kokën të më shikoje, dhe jo më të më uroje ditëlindjen. Epo, gjithnjë me atë lëshimin e gjyshërve, mendova se je i përqendruar tek timoni dhe, si shofer i ri që je, kujdeseshe të mos gaboje në drejtimin e makinës. Por zhgënjimi i madh erdhi kur zbritëm nga makina. Ti mbajte të njëjtin qëndrim shpërfillës ndaj meje. Unë nuk po u besoja syve, prandaj, ndonëse urimet nuk kërkohen, gjithsesi, nuk durova dot dhe të pyeta: “Pse nuk më uron o bir?”. Ti m’u përgjigje, jo vetëm me mospërfillje, por edhe me cinizëm: “Herën tjetër”.

Është kjo përgjigje e jotja që nuk po më le të mbyll sytë e mi të lodhur. Është kjo shpërfillje që më bëri të më njomet jastëku nga lotët e hidhura. Rrotullohesha në shtrat dhe mendoja: Si është e mundur që ti, nipi im, ti për të cilin, që kur ke lindur dhe deri sot, që je njëzet vjeç, nuk kam lënë gjë pa bërë për të të kënaqur, të sillesh kështu? Ti, vallë, je ai nipi, përpara të cilit unë nuk vija askënd tjetër, aq sa ishin bërë xhelozë edhe nipërit e mbesat e tjera? Ti je ai nipi, karrocën e të cilit, unë plaku, e shtyja për të të shëtitur me një përkushtim sikur të kisha thesarin më të madh që më kishte falur natyra?

Aq e shpeshtë ishte kjo, saqë një shoku im, një ditë, kur më pa duke shtyrë karrocën tënde në një ngjitje, më tha me shpoti: “Shtyje Pali se ashtu do të shtyjë edhe ai ty, atje, në atë vendin”. Ti je ai, të cilin e çoja në kopsht në mëngjes dhe e merrja në darkë, pa lejuar njeri tjetër nga familja ta bënte këtë, pasi kisha kënaqësinë të të kisha pranë sa më shumë? Ti je ai, te shtrati i të cilit unë vija gati çdo natë për t’i treguar përrallat e tij të dashura, sepse ndryshe nuk e zinte gjumi? Ti je ai, njeriu i vetëm, të cilit i lija telekomandën e televizorit të shikonte filmat e tij të pëlqyer, duke sakrifikuar edhe lajmet e mbrëmjes? Cili paska qenë ai gabim aq i madh i imi sa të të bënte ty, nipin tim më të dashur, të më përgjigjeshe me aq cinizëm? A nuk do të ishte më e udhës që, nipi, tanimë student universiteti, të vinte dhe të më thoshte se ku kam gabuar?

“Herën tjetër”!? Por, mendoja, po sikur të mos ketë herë tjetër, pasi nuk i dihet jetës, si do ta përligjje ti sjelljen tëndë përpara vetes, si do përballeshe me vetëdijen tënde. A thua do vije i qetë atje, mbi arkivolin tim, dhe do të më hidhje një grusht dhe’ pa të vrarë sadopak ndërgjegja?

Nipi im i dashur! E gjithë kjo ngjarje më ngjan si një ëndërr e keqe, si një makth, nga i cili uroj të çlirohem sa më parë. Dhe kjo është në dorën tënde.

Gjysh Pali

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *