Kulturë

Zbulohet dorëshkrimi i panjohur i Marin Barletit

Kërkimet shkencore disavjeçare individuale dhe të përbashkëta të studiues Lucia Nadin dhe historianit Aurel Plasari, kanë çuar në zbulimin e një teksti të panjohur të Marin Barletit. Ai ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Francës, i ardhur nga Venecia

Nga studimi i deritanishëm, ky dorëshkrim që vjen i ilustruar përmes dy fotografive, është më i hershmi i zbuluar nga Marin Barleti, si dëshmues i rrethimit të parë të Shkodrës mbi pesë shekuj më parë.

Albanologia Lucia Nadin nënvizoi faktin se ishin disa të dhëna që çuan në këtë studim, ndërsa nënvizoi se bashkë me studiuesin Aurel Plasari ka punuar për vite me radhë.

Plasari tha se fakti që dokumenti daton shumë më herët seç studiuesit kishin menduar, përfshirë edhe vetë atë, përkthehet në një “vetëkorrigjim” që i duhet bërë historisë.

“Ky dorëshkrim përmban rrethimin e Shkodrës të datuar në 1500. Botimi i librit i dedikohet një dogje, kreut të Republikës, më 1504. Botimi ose teksti i tanishëm i dedikohet dogjës paraardhës dhe kjo është siguria maksimale që është shkruar shumë vite më parë se Beçikemi. Kjo ndryshon shumë gjëra në kontekstin kur është shkruar vepra e Barletit. Është menduar se është shkuar gjatë paqes që bënte Republika e Venedikut me otomanët, por në të vërtetë vitet na japim diçka tjetër.

Është viti i kryengritjes shqiptare, kryengritjes së Lezhës, për çlirimin e Krujës dhe Shkodrës dhe kur në Arbëri vjen nipi i Skënderbeut, ose Skënderbeu i Ri. Pra, rrethanat përmbysen krejtësisht. Pretendimet e autorëve që duke llogaritur botimin dhe pa njohur këtë vepër kanë menduar se Barleti ka marrë pasazhe nga Beçikemi në 1503, pra ka kopjuar prej tij. Këto marrëdhënie kthehen kokëposhtë, sepse rezulton që është Barleti vite përpara Beçikemit dhe nuk është Barleti ai që ka marrë nga Beçikemi, por e kundërta”, shpjegoi studiuesi Plasari.

Nga ajo që është studiuar deri tani bëhet fjalë për një dorëshkrim që i përket fundit të 1494-ës. Sipas Nadinit dhe Plasarit, dorëshkrimi duket si një kopje luksi e përgatitur për botim, pa shënime anash, i pastër, me një shkrim të thjeshtë, lehtësisht e korrigjueshme. Një kopje e këtij dorëshkrimi në formatin digjital do t’i jepet edhe Bibliotekës Kombëtare. / KultPlus.com

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *