Opinion

Xhabir Zharku fytyra e vërtetë e PDK-së

Nga Faton Mehmeti

Nuk thuhet kot, kriminelët ndjejnë dëshirë të madhe që sërish të kthehen në vendin e krimit. I tillë është edhe rasti i Xhabir Zharkut, i cili tashmë ka hyrë në territorin e Kosovës, gjashtë vite pasi iku nga Kosova drejt Suedisë, duke lënë postin e të parit të komunës, që e mbante nga viti 2007. Gjatë kthimit Zharku ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë ndalesë nga ana e autoriteteve të hetuesisë në kufi, duke përfituar nga fakti se Gjykata Themelore në Ferizaj ka ndaluar ekzekutimin e dënimit me burg ndaj tij.

Sipas përgjigjes së Gjykatës, kjo kishte ndodhur pasi autoritetet suedeze kishin refuzuar ekstradimin e tij. Kujtojmë që Gjykata e Qarkut në Prishtinë, më 21 prill të vitit 2011, e kishte shpallur Xhabir Zharkun fajtor për kryerjen e veprave penale të detyrimit dhe posedimit të paligjshëm të armës, si dhe i kishte shqiptuar atij dënim me tre vjet burgim dhe gjobë prej 1,500 euro. Ky vendim ishte vërtetuar nga Gjykata Supreme e Kosovës, më 8 maj 2012. Por, edhe gjashtë muaj pas vërtetimit të dënimit të tij nga Gjykata Supreme e Kosovës, Zharku kishte qëndruar i lirë, edhe pse aktvendimi për ekzekutimin e vendimit nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës në atë kohë kishte mbërritur në Gjykatën komunale të Kaçanikut.

Xhabir Zharku është pasqyra e këtij pushteti kriminal, i cili ka ardhur dhe mbetur në pushtet me vrasje, kërcënime ndaj kundërshtarëve politikë. Pa ndihmën e shefit të tij Hashim Thaçi, Zharku nuk do të mund të ishte larguar nga vendi, aq më tepër pas gjashtë muajve të vërtetimit të dënimit të tij nga Gjykata Supreme. Kjo dëshmon më së miri se shteti është i kapur nga Hashimi me shokët e tij, të cilët e përdorin drejtësinë për të prodhur padrejtësi, për të qenë selektivë. Ikja e Zharkut nga drejtësia tregon se drejtësia është tashmë nën kontrollin e plotë të politikës. Andaj nuk është fare çudi që nesër Xhabir Zharku merr edhe ndonjë post të rëndësishëm shtetëror, si shpërblim për ikjen e tij nga drejtësia. E tillë është politika që Hashimi ka ndërtuar tani e dhjetë vite të sundimit të tij. PDK nuk ka qeverisur me vendin, por ka sunduar, duke mbajtur pushtetin përmes intrigave dhe manipulimeve të ndryshme.

Xhabir Zharku pasyqron fytyrën e këtij pushteti, fytyrën e vërtetë që ky pushtet po mundohet ta fsheh, por nuk mbulohet dielli me gisht. Andaj, derisa PDK nuk reflekton për t’u distancuar nga njerëz si Xhabiri nuk pritet që kjo parti t’i shërbejë interesave qytetare, por grupeve të caktuara kriminale. Tani për tani nuk pres që të ndodhë një gjë e tillë, duke njohur brumin me të cilin PDK gatuan gënjeshtrat që iu “falë” qytetarëve të vendit. Fatkeqësisht politika ka prodhur shumë Xhabira, sinonim të së keqes, të krimit dhe mungesës së qytetarisë. S’ka si mos të dëshpërohen qytetarët e ndershëm të vendit, kur shohin se drejtësia vlen vetëm për të varfërit, kjo është edhe një arsye më shumë për dëshpërim e që si rezultat prodhon me ikjen nga vendi. Kosova çdo ditë, e më shumë po boshatiset dhe ky trend do të vazhdojë, derisa Xhabirët të udhëheqin me këtë vend.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *