Kulturë

Vulë 2700-vjeçare e guvernatorit të Jeruzalemit?

Arkeologët në Izrael thanë se kanë zbuluar gjurmën e një vule 2700-vjeçare që sipas tyre konfirmon ekzistencën e guvernatorëve biblikë të Jeruzalemit. Objekti i vogël prej balte, i gjendur mes gërmimeve arkeologjike në sheshin e Murit Perëndimor, mbart mbishkrimin me alfabetin e lashtë hebraik: “Pronë e guvernatorit të qytetit”

Arkeologët izraelitë thonë se objekti i vogël prej balte i ngjason një etikete që mund të ngjitej mbi objekte të rëndësishme që transportoheshin. Por, për historianët, ky zbulim nga periudha e tempullit të parë të Jeruzalemit, shërben si provë se qyteti i Jeruzalemit kishte guvernatorin e tij që të paktën 2700 vjet më parë. Një guvernator i Jeruzalemit përmendet dy herë në Bibël, por nuk ka patur prova historike për këtë.

“Është hera e parë që gjatë gërmimit arkeologjik të një godine të shekullit të 7-të para erës së re, gjetëm një stampë të guvernatorit të Jeruzalemit”, thotë zonja Shlomit Weksler-Bdolah, e Autoritetit Izraelit të Antikiteteve.

Vula, me përmasat e një monedhe të vogël, tregon dy burra të veshur me rroba me vija, përballë njëri-tjetrit dhe duke mbajtur së bashku një objekt të rrumbullakët, që mund të jetë Hëna.

“E dimë se hëna ishte objekt adhurimi në kulturat fqinje. Atëherë çfarë ndodhte me kryebashkiakun e Jeruzalemit të shekullit të 7-të para erës sonë, që shfaqet sikur adhuron Hënën vetëm njëqind metra larg Tempullit? Nuk kemi një përgjigje të qartë për këtë”, thotë zonja Weksler-Bdolah.

Artifakti u zbulua ndërsa arkeologët po gërmonin në Jeruzalemin e vjetër. Megjithëse nuk shfaqet emri i qytetit, arkeologët thonë se vendndodhja ku u gjet, tregon se i referohet guvernatorit të Jeruzalemit. Provon gjithashtu se qyteti ka qenë qendër e rëndësishme e shtetit hebraik për rreth 3 mijë vjet.

“Bibla përmend termin ‘guvernator i qytetit’ në raste të shumta qytetesh, por ‘guvernatori i Jeruzalemit’ përmended vetëm dy herë. Nuk e kishim verifikuar kurrë më parë gjatë gërmimeve arkeologjike, prandaj kjo është tepër e rëndësishme”, thotë zonja Weksler-Bdolah.

Artifakti bëhet publik në një periudhë tensionesh të rritura për Jeruzalemin, për shkak njohjes së tij nga Presidenti Donald Trump si kryeqytet i Izraelit. Statusi i Jeruzalemit është një pikë delikate në konfliktin izraelito-palestinez, pasi palestinezët kërkojnë pjesën lindore të qytetit si kryeqytetin e tyre të ardhshëm.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *