Lajme, Lajmi kryesor

Vuçiq: Kompromisin për Kosovën e pranojmë, por jo edhe poshtërimin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia është e gatshme të bisedojë për një kompromis për zgjidhjen e çështjes së Kosovës

Sipas tij, Serbia është po ashtu e gatshme të pranojnë çdo marrëveshje kompromisi, por “poshtërimin e popullit dhe rrënimin e shtetit nuk mund ta pranojë”, raporton FoNet.

Këto komente, Vuçiq i bëri pas takimit me zyrtarin e lartë amerikan, ndihmëssekretarin e shtetit, Wes Mitchell, transmeton Koha.net.

“Çdo kompromis është i rëndë, por këtë duhet ta pranojë edhe pala e dytë edhe e tretë”, tha Vuçiq në konferencën për media pas takimit me zyrtarin amerikan, dhe shtoi se Serbia i ka përmbushur të gjitha obligimet e dala nga marrëveshja e Brukselit por se, sipas tij, Kosova nuk po u përmbahet marrëveshjeve dhe, “sipas të gjitha gjasave, as nuk do t’u përmbahet”.

Kurse ndihmëssekretari i Shtetit Amerikan, Wes Mitchell, në ditën e dytë të qëndrimit në Serbi, pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se është biseduar për Kosovën, për sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal dhe se porosia kryesore është se SHBA është e interesuar për një raport partneriteti me Serbinë, raporton FoNet.

Në konferencën për media, Mitchell tha se SHBA mbështet dialogun Kosovë-Serbi të cilin e udhëheq Bashkimi Evropian dhe u ka bërë thirrje të dyja palëve që t’i përmbushin obligimet e dala nga marrëveshjet e Brukselit.

Ai tha më tej se ka mundësi për avancim dhe zgjidhje të problemeve që e mbajnë Ballkanin në të kaluarën.
Sipas fjalëve të tij, “këto çështje janë normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, forcimi i sundimit të ligjit, liria e mediave dhe lufta kundër ekstremizmit”.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *