Lajme, Lajmi kryesor

Vuçiq diskuton për Kosovën me liderët botërorë

Kohët e fundit Aleksandër Vuçiç ka organizuar një sërë takimesh diplomatike, duke diskutuar përkeqësimin e marrëdhënieve me Kosovën me disa liderë botërorë

Nga Maja Zivanoviç

Presidenti serb Vuçiç ka nisur një raund të vazhdueshëm takimesh diplomatike në javët e fundit për të lobuar për interesat e Serbisë në mosmarrëveshjen e saj afatgjatë me dhe për Kosovën.

Takimet e tij me zyrtarë të botës erdhën përsëri në qendër të vëmendjes pasi ish-ministri i jashtëm dhe tani lideri i opozitës Vuk Jeremiç tha në mars se presidenti – një javë më parë – “ishte përpjekur të punësonte një kompani të shtrenjtë lobimi, e cila ende nuk i është përgjigjur nëse ishte e gatshme të pranonte ta përfaqësonte atë në Amerikë” – gjatë vizitës së tij të fundit në Nju Jork.

“E pyes Vuçiçin se cila është kjo kompani dhe cili është çmimi i angazhimit të tyre të mundshëm dhe nëse ata pranojnë ta përfaqësojnë atë, kush do të paguajë për këtë shërbim?,” pyeti Jeremiç, i njohur për ekspertizën e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke folur për gazetën e përjavshme Vreme.

Vuçiç konfirmoi se ishte në Nju Jork, por pretendoi se ishte në një vizitë private dhe mohoi të jetë takuar me ndonjë lobist, duke shtuar se ai kishte shkuar në SHBA me vajzën e tij, pasi nëna e saj ishte e sëmurë.

“Hipa në avion me njerëz, në një fluturim të rregullt me 270 persona të tjerë. Më pas një person më ofendoi, edhe pse e pa që isha me një fëmijë, me time bijë, dhe i dërgoi informacion të gjithëve dhe tha ky është psikopati,” tha Vuçiç për të përditshmen Blic më 21 mars.

Vuçiç shtoi se në vizitën e tij në Amerikë ai ishte thjesht “një njeri i zakonshëm, që ecte rrugëve të Nju Jorkut në orën 01:30 dhe 02:00, duke vizituar librari.”

Jeremiç pretendoi gjithashtu se para udhëtimit të tij në SHBA, Vuçiç kishte takuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në Paris, gjë të cilën Vuçiç e mohoi gjithashtu.

Megjithatë, qëllimi i presidentit për ta përdorur vizitën e tij në SHBA për të lobuar për Serbinë mbi Kosovën u bë e qartë pasi zyra e tij më 22 mars zbuloi se, në fakt, përveçse kishte vizituar libraritë, ai ishte takuar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Pas takimit, zyra për shtyp e Vuçiçit njoftoi se të dy zyrtarët kishin diskutuar situatën në rajon dhe gjendjen e dialogut të udhëhequr nga BE, tashmë të ndalur, midis Beogradit dhe Prishtinës.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pasi u shkëput de facto në vitin 1999 si rezultat i sulmit ajror të NATO-s mbi Serbinë. Shumica e vendeve perëndimore, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara, e kanë njohur Kosovën si shtet shumë kohë më parë, por shteti i Kosovës vazhdon të kontestohet ende nga Serbia dhe Rusia, ndër të tjera.

Në një raport më 20 mars, Blic përshkroi udhëtimin e Vuçiçit në Nju Jork si një “vazhdimësi të ofensivës së tij diplomatike mbi Kosovën, gjë e cila tashmë vazhdon prej një kohe të gjatë”.

Duke cituar burime, ajo shtoi se presidenti “po përpiqej t’u shpjegonte ambasadorëve të vendeve të ndryshme në OKB-së situatën në lidhje me Kosovën dhe pozitën e Serbisë”.

Vuçiç përdori një mundësi tjetër për të nxjerrë në pah çështjen e Kosovës pas zgjedhjeve presidenciale në Rusi, të cilat i fitoi Vladimir Putin.

Pas një bisede telefonike në të cilën Vuçiç e përgëzoi atë për fitoren e tij, Putin “dënoi veprimet provokuese të autoriteteve të Prishtinës në Mitrovicë”, njoftoi zyra e Vuçiçit.

Mesazhi i referohej arrestimit të zyrtarit shtetëror serb në Kosovë me 26 mars. Policia e Kosovës ndaloi dhe dëboi kreun e Zyrës për Kosovës të qeverisë serbe Marko Djuriç, se kishte hyrë në Kosovë pavarësisht një ndalimi për praninë e tij.

Deklarata për shtyp nga zyra e Vuçiçit shtoi se Putini i kishte thënë Vuçiçit se Rusia “po monitoronte nga afër ngjarjet në Kosovë dhe se dënonte ashpër veprimet e Prishtinës dhe dhunën kundër popullit serb”.

Ditë më vonë, Vuçiç takoi zyrtarisht Federica Mogherinin, përfaqësuesen e lartë të politikës së jashtme të BE-së, dhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Vuçiç akuzoi homologun e tij në Kosovë se nuk kishte përmbushur kushtet e Marrëveshjes së Brukselit, duke filluar me krijimin e një Shoqate të pavarur të Komunave Serbe.

Pas këtij takimi, presidenti lajmëroi se së shpejti do të takonte edhe Wess Mitchell, ndihmës sekretarin amerikan të shtetit për çështjet e Europës dhe Euroazisë.

Ky nuk do të ishte takimi i parë i Mitchell me Vuçiçin, pasi dy zyrtarët janë takuar më 14 mars në Beograd.

“Mitchell, ndryshe nga shumë të tjerë, donte të dëgjonte se ç‘kishte për të thënë pala serbe,” tha presidenti serb, duke pranuar se dy zyrtarët kishin pikëpamje shumë të ndryshme në lidhje me Kosovën.

Edhe pse deri më tani nuk ka pasur asnjë takim me Mitchell, Vuçiç më pas takoi kancelaren gjermane Angela Merkel më 13 prill.

“Mund të më thërrisni kur të dëshironi,” i tha Vuçiçi Merkelit pas takimit – duke shtuar se një zgjidhje përfundimtare e çështjes Serbi-Kosovë do të kishte nevojë edhe për pëlqimin e Gjermanisë, Francës, BE-së, Amerikës, Turqisë dhe Rusisë, ndërsa do të duhej të lajmërohej edhe Kina.

Ai u shpreh gjithashtu “se nuk e zinte gjumi natën për shkak të Kosovës”.

Ndërkohë, më 10 prill, në Mostar, Bosnjë, ai takoi kryeministrin bullgar Bouko Borissov.

Një ditë më vonë ai u takua me ministrin e jashtëm francez Jean-Yves Le Drian. Vuçiç tha pas këtij takimi se dy zyrtarët analizuan “pikë më pikë” të gjithë Marrëveshjen e Brukselit.

Ky nuk është fundi i takimeve diplomatike të Vuçiçit. Është lajmëruar se më 7 maj, ai do të takohet gjithashtu me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan./Birn/

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *