Sport

Vizat, pengesë për sportistët kosovarë

Regjimi i vizave për shtetin e Kosovës, vazhdon t’u sjellë shumë telashe edhe sportistëve kosovarë. Si pasojë e mospajisjes me viza nga Bosnje dhe Hercegovina, basketbollistët e Përfaqësueses U16 të Kosovës, rrezikojnë të humbin Kampionatin Evropian, FIBA-U16, që do të mbahet në Sarajevë nga 9 deri më 18 gusht

Ka tri ditë që basketbollistët e Kosovës, po presin para Ambasadës së Bosnje dhe Hercegovinës në Shkup, për t’i marrë vizat, mirëpo ende nuk kanë marrë përgjigje pozitive. Federata e Basketbollit të Bosnjës e Hercegovinës përmes një komunikate për shtyp, ka bërë të ditur se janë duke pritur pëlqimin e ministrit të Jashtëm, Igor Crnadak, që basketbollistët e Kosovës t’i marrin vizat.

“Federata e Basketbollit e Bosnjës dhe Hercegovinës i ka ndërmarrë të gjitha masat që përfaqësuesja e Kosovës me kohë të marrë viza për hyrje në shtetin tonë. Nga ambasada jonë në Maqedoni e kemi marrë njoftimin se vizat janë të gatshme, dhe se vetëm pritet që ministri i Jashtëm, Igor Crnadak, të japë pajtimin që vizat t’i lëshohen përfaqësueses së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Kjo që ka ndodhur, sipas drejtuesve të Federatës së Basketbollit të Kosovës, është tërësisht politike, pasi ministri i Jashtëm i Bosnjës, Igor Crnadak, nuk ka dhënë pëlqimin për lëshimin e vizave Përfaqësues së Kosovës në Shkup.

Sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo pengesë është e pakuptueshme dhe tërësisht politike.

Ajo thotë se ministri i Jashtëm i Bosnjës e Hercegovinës është serb dhe po pengon basketbollistët e rinj që të marrin pjesë në kampionat.

“Ne vetëm po e presim përgjigjen, sepse deri tani jemi treguar të durueshëm dhe kemi qenë shumë transparentë edhe me FIBA-n edhe me Federatën e Basketbollit të Bosnjë e Hercegovinës, por në momentin që ne marrim përgjigje negative, atëherë ne do të bëjmë notë proteste, edhe në FIBA edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, sepse kjo çfarë me të vërtetë ka ndodhur, nuk të bëjë asgjë me sport. Kjo është e tëra politike dhe ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, thotë Dushku.

Edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, thotë se kjo çfarë po ndodh me Përfaqësuesen e Kosovës, është tërësisht politike.

“Ky vendim është tërësisht politik dhe bie në kundërshtim me të gjitha qëndrimet, konventat e sportit, në përgjithësi. Unë po besoj se ata do t’i marrin vizat,përndryshe kjo do të ishte vërtet edhe një goditje e sportit nga ana e politikës dhe një intervenim apo ndërhyrje e politikës në sport”, deklaron Hasani.

Një situatë e tillë, më së shumti ndikon te basketbollistët e rinj, të cilët, sipas sekretares së FBK-së, Elvira Dushku, janë demoralizuar. Ajo thotë se është e padrejtë që sportistët e rinj të Kosovës, të mos jenë të barabartë me pjesëmarrësit e tjerë në këtë kampionat.

“Ky është një demotivim, për të mos thënë një demoralizim, për basketbollistët e rinj. 23 shtete së bashku me basketbollistët e tjerë, tashmë u është dhënë e drejta për të marrë pjesë në këtë kampionat, ndërsa vetëm këta janë ata që nuk mund të marrin pjesë. Normalisht, që për ta është dëshpëruese, sepse nuk e shohin veten të barabartë, edhe pse jemi të barabartë me shtetet tjera”, thotë Dushku.

Ndaj kësaj ndalese ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, duke kërkuar nga shteti i Bosnjës që të mos e përziejë sportin me politikë. Në reagim, MPJ-ja ia ka rikujtuar Bosnjës se pavarësisht qëndrimeve politike, sportistët e Kosovës janë respektuar edhe nga Federata Ruse.

Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe të dyja shtetet, aplikojnë ndaj njëra-tjetrës regjimin e vizave.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *