Lajme, Lajmi kryesor

Veseli: Ushtria do të bëhet brenda vitit

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar vendimin për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur. Në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Forcës së Sigurisë, Rrustem Berisha, propozoi ndryshimin e tri ligjeve për FSK-në

Tri ligjet e propozuara nga ai, janë miratuar në Qeveri pa asnjë votë kundër, por në mbledhje nuk ishin të pranishëm ministrat serbë. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në Rubikon të KTV-së ka thënë se kryeministri Haradinaj ka pasur koordinim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kryeministri ka pasur koordinimin e vetë. E ka pa të arsyeshme, unë e kam përkrahur këtë momentum”, ka thënë Veseli. “Deklaratën e Ambasadës së SHBA-së, unë e shoh si një thirrje edhe për komunitetin serb, që nuk është mirë që të bllokohet Kosova”, u përgjigj ai i pyetur se si e sheh deklaratën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Veseli ka thënë se pret që transformimi i FSK-së të bëhet brenda këtij viti. Sipas projektligjit, i cili në fakt është hartuar që më 2014, FSK-ja do të rrisë numrin e pjesëtarëve të saj nga 2500 sa ka aktualisht, në 5 mijë, dhe ajo do të jetë përgjegjëse për ruajtjen e territorit, integriteti dhe sovranitetit të saj.

Ndryshe, ambasada amerikane përmes një deklarate ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk i kanë konsultuar sa i përket vendimit për miratimin e pakos së projektligjeve për transformimin e FSK-së.

Mjerë Kosova nëse ka mbetur në dorë të Avdullah Hotit, thotë Veseli

20: 55 – Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, kishte sulmuar partitë e pozitës, për mosfillimin e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur për sot nga partitë e opozitës duke i quajtur “bandë kriminale”.

“Shteti i Kosovës është në rrezik nga bandat kriminale, nga njerëz si Veseli, (Ramush) Haradinaj dhe (Hashim) Thaçi”, kishte deklaruar Hoti. Në Rubikon të KTV-së, Veseli ka thënë se është befasuar nga një fjalor i tillë dhe nuk e ka besuar se Avdullah Hoti mund të thotë dicka të tillë.

“Unë se kam besu kur më kanë thanë gazetarët, më beso. Kam thënë kushtimisht që nëse e ka thënë, haj medet për Kosovën… ai duhet t’i kërkoj falje Kosovës jo mua”, ka thënë Veseli në Rubikon të KTV-së. “Mjerë Kosova nëse ka mbetur në dorë të Avdullah Hotit”, ka shtuar më tej.

“Çka e mbron shtetin sovran të Kosovës për të larguar çdo frikë e cila është e arsyeshme”, ka thënë Veseli është e pranueshme për ta të përfshihet në rezolutë por, theksoi ai, “mos të manipulojnë”.

Veseli për letrën drejt Mogherinit: Opozita i tha “mbathi çizmet e mbrona Kosovën”

20: 45 – Pjesën më të madhe të diskutimit të tij, kreu i Kuvendit dhe i PDK-së, Kadri Veseli e ka orientuar kundër opozitës, në intervistën që ka dhënë për Rubikon të KTV-së.

Aty ka komentuar edhe letrën që opozita ia dërgoi përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, që po lehtëson dialogun mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.

“Opozita ime e nderuar ia dërgoi një letër Mogherinit, ku i tha m’i vesh çizmet e me rujt Kosovës”, ironizoi kryeparlamentari Kadri Veseli duke komentuar letrën e opozitës dërguar përfaqësues së lartë të BE-së, Frederica Mogherini.

“Është e paprecedent dërgimi i letrës drejt Mogherinit duke i thënë na ruaj Kosovën. Kosovën e ruajmë ne. Nuk është e dinjitetshme që për detyra tona t’i shkruajmë Mogherinit. Po çka nëse ju thotë Mogherini atë çka po u themi ne çdo ditë, që të bëhemi bashkë”, ka thënë ai.

Sipas Veselit, përpjekjet e opozitës nuk janë serioze dhe sjelljet e tyre janë vetëm për përfitime politike.

“Nuk e ka seriozisht, për vetë faktin se po mundohen që me këtë formë me arrit përfitime politike. Për demarkacion i kemi humbur tri vite”, ka thënë ai.

“Deri në qershorin e vitit të ardhshëm ideja është që të kemi një marrëveshje. Do të ishte ideale që deri në qershorin e ardhshëm ta kemi marrëveshjen”, ka thënë Veseli i pyetur se kur mund të pritet përfundimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Veseli: Serbisë asnjë copë metër të Kosovës, s’ka Asociacion me pushtet paralel

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në një intervistë për Rubikon të KTV-së, ka thënë se ndarja apo shkëmbimi i territorit nuk është opsion.

“Asnjë copë metri katror e Kosovës nuk do t’i jepet Serbisë. Në të njëjtën kohë nuk do të ketë pushtet paralel, se kjo është më e keqe se ndarja”, ka thënë prerë Veseli, përcjell Koha.net. “Jo se s’jemi kundër por jemi e vetmja parti politike që ka qëndrim të qartë, të dorëzuar me shkrim, ka tre muaj. Jam duke e ripërsëritur, unë edhe bashkëpartiakët e mi vazhdimisht, nuk ka shkëmbim të territoreve, nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Veseli ka thënë se Kosova ka një qëllim nga dialogu, njohja nga Serbia dhe ulësja në OKB.

“Nëse e lëmë egon e interesave, e këtë duhet ta zvogëlojmë këtë kur bëhet fjalë për Serbinë që të kemi një rezolutë të përbashkët. Për tre muaj opozita nuk ka pranuar që të arrihet marrëveshje për të ndërtuar një platformë për dialogun me Serbinë. Dialogu si proces është kërkesë nga BE-ja. E ky është obligim ndërkombëtar që të dyja shtetet duhet zgjidhin”, ka thënë ai.

Ai ka qenë kritik ndaj opozitës, duke shprehur bindjen se kjo po zhvillon aktivitete për interesa të ngushta politike

“Për hir të qytetarëve, sot nuk është problem Hashim Thaçi, presidenti i Republikës së Kosovës. Sot është problem Republika e Serbisë dhe Alaksandar”, deklaroi Veseli, përcjell koha.net. “Pse opozita nuk thirri seancë për gjuhën e përdorur nga Vuçiqi në Mitrovicë, por thërret seancë për diçka të paqenë”, thotë Veseli tutje.

“Ndarja nuk është opsion. Jo vetëm që nuk është opsion por është dëmi më i madh që mund t’i ndodh Kosovës. Partia Demokratike është partia e vetme e cila ka dorëzuar platformë të qartë se si e sheh pozicionin e Kosovës karshi Serbisë. Kemi bërë edhe vija të kuqe të cilat disa nga kolegët e opozitës për shkak të servilizmit ndaj bashkësisë ndërkombëtare nuk guxojnë as t’i përmendin”, ka thënë Veseli.

Duke folur për opozitën ai ka thënë se “çka po i pengon aq shumë që të ulemi në Kuvend e ta bëjmë një rezolutë?”

“Ne nuk do të pranojmë që të ulemi në Kuvend e të flasim për ndarje. Nuk është kjo është tipike, diçka çka mund ta degjenerojë situatën. Me vetë faktin që ne merremi më shumë me veten kur e kemi Vuçiqin përball”, ka thënë Veseli.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *