Opinion

Vazhdimi i protestës gjithëpërfshirëse dhe gjithëpopullore, domosdoshmëri

Nga Lirim Gashi

Shqiptarë të dashur

Atdheu ynë qysh prej pasluftës e deri në ditën e sotme është në kthetrat e disa pushtetarëve mercenarë të papërgjegjshëm, pandershëm, papërshtatshëm, pamoralshëm, padijshëm dhe pandërgjegjshëm.

Pra jemi këtu ku jemi, sepse jemi kështu siç jemi.

E pasi që jemi kështu siç jemi, rjedhimisht të tillë janë edhe shumica e përfaqësuesve tanë në partitë politike, institucionet shtetërore, arsimore, kulturore, sociale, shëndetësore dhe edukative.

Ndryshe s’kanë si të jenë edhe po deshën, sepse janë të krijuar dhe edukuar nga brumi shpirtëror, kulturor dhe edukativ i këtij populli. Me fjalë të tjera, ata atje lartë janë pasqyrë e jona këtu poshtë.

Çka na dëshmon ky konstatim?

Për mua personalisht është e qartë se pa ndryshuar ne këtu poshtë nuk ndryshojnë as ata atje lartë në pushtet . E për juve, fatkeqësisht nuk e di!

Mirëpo, ne nuk mund të presim derisa të ndryshojnë ata atje lartë, sepse A ) nuk kemi kohë dhe B ) kjo nuk do të ndodhë.

Atëherë cila është alternativa?

Nëse shumica e politikanëve dhe pushtetarëve nuk guxojnë t’a ndryshojnë vetveten për të mirë prej Hashim Thaçit dhe vartësve të tij që janë të shpërndarë si metastazat e kancerit në të gjitha partitë politike, institucionet shtetërore, arsimore, shëndetësore, sociale kulturore dhe edukative, por edhe në shoqërinë civile, kjo nuk do të thotë që edhe ne nuk guxojmë t’a ndryshojmë vetveten për të mirë.

Numri i njerëzve që mirëqenien e tyre mafioze e kanë lidhur politikisht dhe ekonomikisht për qoket e Hashim Thaçit dhe vartësve të tij është relativisht i madh, por numri i njerëzve që po e vuajnë të zinjtë e ullirit nga metastazat e tij prontomafioze është shumëfish më i madh.

Prandaj apeloj pikërisht të ky grup njerëzish e që është pjesa dërrmuese e popullit shqiptar, që t’a bashkojë mendjen dhe zemrën jashtë preferencave politike dhe interesave të ngushta farefisnore, partiake dhe klienteliste, sepse vetëm duke i realizuar interesat e shoqërisë dhe shtetit mund t’i realizojmë më së miri edhe interesat tona personale.

Duke e pasur parasysh faktin që ne guxojmë t’a ndryshojmë vetveten për të mirë pa e pyetur askënd e sidomos pa e pyetur Hashim Thaçin dhe duke e pasur parasysh faktin që ne nuk kemi kohë të presim deri sa të ndryshojnë ata lartë në pushtet, atëherë nuk na mbetet asnjë alternativë tjetër përpos që t’i zbresim zotërinjtë pushtetarë prej së larti poshtë dhe të kërkojmë prej tyre përgjegjësi dhe llogaridhënie për tradhtinë kombëtare, vrasjet politike të luftës dhe pasluftës dhe veprat penale si zhvatja e buxhetit, donacioneve, fondeve publike, taksave, doganave, privatizimit dhe tenderimit.

Shqiptarë të dashur

Ju duhet ta keni të qartë se rrugët institucionale për ndryshimin e gjendjes së mjeruar të shoqërisë dhe shtetit po i mbyllin vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilëve nuk po ju ngutet për të ndërmarrë në mënyrë të vendosur dhe sinqertë masa për zhbllokimin e rrugës institucionale për zgjidhjen e problemeve akute të shoqërisë dhe shtetit sepse :

A ) shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës kanë të drejtë për pension të përjetshëm parazitor si t’i kalojnë mbi dy vite në mandatin e dytë .B ) shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk i përfaqësojnë interesat e popullit edhe pse janë

zgjedhur me votën e tij, por interesat e ngushta personale, partiake dhe klienteliste.

C ) shumica e deputeteve të Kuvendit të Kosovës janë zhvatës dhe parazitë të pashpirtë që kalkulojnë politikisht në varësi prej interesave të veta financiare, ekonomike dhe sociale.

D ) shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë gjysmë analfabetë letrar dhe politik pa integritet dhe kredibilitet njerëzor e kombëtar, por edhe marioneta të drejtuesve të partive politike, grupeve të interesit dhe klientelave mafioze.

Prandaj mundësia e vetme për t’a ndryshuar vetveten, shoqërinë dhe shtetin është vazhdimi i protestave gjithëpërfshirëse dhe gjithëpopullore deri në fitore.

Ne nuk guxojmë dhe nuk kemi të drejtë të kemi mëshirë me tradhtarët, kriminelët, zhvatësit, vrasësit dhe plaçkitësit tanë, sepse nuk ua kemi borxh të gjitha këto vuajtje e mjerime që po na shkaktojnë që gati dy dekada.

Ne përveç që duhet t’a ndryshojmë vetveten për të mirë duhet t’a ndryshojmë rrënjësisht qasjen ndaj njëri tjetrit e sidomos qasjen ndaj përgjegjësisë dhe llogaridhënies së përfaqësuesve tanë në pushtet.

Këtë ua kemi borxh fëmijëve tanë.

Sot ose kurrë.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *