Opinion

Unioni, si digë ndaj nacionalizmave. Pa të do të kishim “100 fshatra”

Carlos Yárnoz

Kulmi i nacionalizmave, në Evropën e krijuar 60 vjet më parë për t’i eliminuar ato, sot është një kërcënim për kontinentin. Nga Gjermania në Spanjë, përmes Francës, Britanisë së Madhe, Belgjikës apo Hungarisë, lëvizjet populiste të identitetit përhapin helmin e ndarjeve dhe kufijve të rinj, duke i tmerruar të gjithë ata që kanë lexuar disa libra historie. Bashkimi Europian është diga e kontrollit kundër predikuesve të përjashtimit, urrejtjes dhe mungesës së solidaritetit.

Rreziku aktual quhet Katalonjë, por Evropa i ka dhënë një mësim separatistëve, duke kujtuar se roli i saj është të fshijë vijat kufitare, jo të krijojë të tjera. Dhe se detyra e saj është që të bashkojë, jo të ndajë. Të bashkuar në diversitet, siç është thënë qartë, Evropa promovon bashkimin e shteteve dhe qytetarëve me kultura dhe gjuhë të ndryshme, por jo të popujve me identitete irredentiste. Dhe aq më pak ata që përpiqen të ripërcaktohen në urrejtjen ndaj fqinjëve të tyre, një praktikë e pandashme nga nacionalizmi.

Të 28 shtetet u përgjigjën se në Evropë nuk ka vend për Katalonjën e ish presidentit Carles Puigdemont. Për këtë, po ata që iu lutën Evropës, që të shisnin pavarësinë e pamundur, janë shndërruar në kritikë të bE-së, klubit të “vendeve dekadente, të vjetëruara”, siç tha Puigdemont, i arratisur në zemër të Evropës, teksa as edhe një udhëheqës i vetëm evropian nuk e pret.

Ka diçka pozitive në këtë histori të trishtë. Shumë spanjollë që e kuptuan vonë se nuk është e mundur të jesh edhe nacionalist, edhe i majtë, kanë mësuar tani se nuk mund të jesh edhe nacionalist, edhe pro-evropian. Mësimi i separatistëve katalanas kishte një precedent brutal tek Brexit. Ksenofobia dhe kërkimi për një sovranitet të supozuar të humbur, ka futur britanikët në një qorrsokak, ku ata kanë gjithçka për të humbur. Theresa May shihet nga shumë spanjollë si versioni britanik i Artur Mas, strategu katalanas i cili e bëri partinë e tij të parëndësishme dhe e shtyu vendin e tij në humnerë. Tani është Puigdemont që ndjek rrugën e pasigurt britanike dhe, i zemëruar me Brukselin, flet për një referendum për të vendosur nëse katalanasit duan të largohen nga BE.

Kjo sëmundje gjithashtu infekton Francën dhe Gjermaninë, ku ilaçi më efikas ka qenë një përgjigje evropianiste. Partitë mbështetën kandidatin më pro-evropian, Emmanuel Macron, për t’i mbyllur rrugën nacionalizmit të Le Pen. Presidenti i Francës ishte i pari që mobilizoi Evropën kundër cunamit katalanas. Dhe ai është lideri më i rëndësishëm në Evropë. Edhe në Gjermani, një betejë po zhvillohet kundër nacionalizmit populist të ekstremit të djathtë të Afd.

Valët e pavarësisë së vendeve erdhën pas rënies së perandorive dhe luftërave. Nëse kriza dhe Brexit do të kishin bërë të shpërthente perandoria e BE-së, diga anti-nacionaliste do të ishte hsembur. Sa shtete do të kishim në Evropë? Sipas Junckerit, njëqind “fshatra”. / Bota.al

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *