Lajme, Lajmi kryesor

Turqia dhe aleanca e NATO-s

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të takohet me homologët e tij perëndimorë në një samit të NATO-s të mërkurën në Bruksel. Samiti vjen në atmosferën e pikëpyetjeve lidhur me angazhimin e Turqisë ndaj aleancës ushtarake, duke pasur parasysh lidhjet në rritje të Ankarasë me Moskën

Nën Erdoganin, marrëdhëniet turko-ruse janë thelluar politikisht dhe ekonomikisht. Të dy vendet, së bashku me Iranin, po bashkëpunojnë ngushtë në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Siri. Shqetësimin e NATO-s e shton vendimi i Ankarasë për të blerë raketa ruse S-400, për të cilat aleanca ka paralajmëruar se mund të komprometojnë sistemet e saj ushtarake.

“Duhet të vendosim midis NATO-s e BE-së nga njëra anë dhe Iranit e Rusisë nga ana tjetër”, thotë analisti politik Atilla Yesilada i organizatës “Global Source Partners”. “Kjo do të jetë zgjidhja më e vështirë. Por nuk mund të rrimë më në mes; cilado anë që marrim, pala tjetër do të japë ndëshkimin”.

Ankaraja pohon se mbetet e përkushtuar ndaj aleancës së saj strategjike me Perëndimin, duke argumentuar se marrëdhëniet e saj me Teheranin dhe Moskën janë të bazuara në tregtinë dhe nevojën për të punuar së bashku për të zgjidhur konfliktin sirian.

“Turqia gjithmonë e ka përdorur këtë diplomaci të balancës së forcës,” thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Husein Bagçi, i Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara.

“Marrëdhëniet turko-ruse po shkojnë gjithnjë e më shumë në një drejtim pozitiv, por Turqia e di kufizimin e kësaj marrëdhënieje. Turqia nuk dëshiron të largohet nga NATO-ja; kjo është jashtë çdo diskutimi”, thotë Bagci.

Zoti Erdogan pritet të takohet me Presidentin e SHBA Donald Trump në periferitë e samitit. Bashkë me çështjen e blerjes së raketave ruse nga Ankara, pritet që në rend të ditës të jenë edhe sanksionet e prishtme amerikane kundër Iranit.

Ankaraja po lobon për ta përjashtuar Iranin nga sanksionet që pritet të hyjnë në fuqi më vonë këtë vit pas tërheqjes së Presidentit Trump nga marrëveshja ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Teheranit. Irani është një furnizues i rëndësishëm i naftës dhe gazit për Turqinë, e cila është e varfër në burime energjie.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *