Lifestyle

Troja, Helena, lufta: Çfarë ka realisht të vërtetë tek Iliada

Historia e Trojës dhe e heronjve që luftuan është e njohur. Por a ka ndodhur vërtet si në poemat homerike? Konfirmimet (dhe përgënjeshtrimet) e arkeologjisë për të kuptuar se sa të vërteta ka në poemat Homerit

Homeri ka të drejtë? Na ka treguar historinë e vërtetë? Janë të shumtë ata që pyesin dhe përgjigja është ende e debatueshme… Por sot mund të themi që shumë nga ato që janë treguar tek Iliada, historia e rrethimit dhe e rënies së Trojës janë frut i fantazisë. Edhe pse diçka të vërtetë ka.

FUNDI I NJË EPOKE. Rënia e Trojës për shembull është histori. Ndodhi erën e vonë të bronzit (1300-1200 para Krishtit), kur sistemi politik dhe ekonomik i Mesdheut po transformohej, migrimet në masë, luftërat e brendshme inauguruan fillimin e erës së hekurit.

Kalimi nuk ishte pa dhimbje. Shumë qytete të pasura, si Troja, Mikena dhe Tirinti u shkatërruan dhe u braktisën, për ta u fol për shekuj me radhë. Vetë Homeri (ose ai që shkroi nën emrin e tij, duke qenë se ka që dyshojnë nëse ai ka ekzistuar vërtet) i tregoi me 400 vite distancë fundet e këtyre qytet-shteteve të fuqishme.

QYTETI TREGTAR. Sipas arkeologëve, Troja shtrihej jo larg Çanakales së sotme (Galipoli), në Turqi, pranë ngushticës së Dardarneleve. Ishte e populluar (rreth 10.000 banorë) dhe e pasur. Grekët antikë e thërrisnin Ἴλιος ose Ilios, ndërsa vetë hitejtë, populli luftëtar që e kontrollonte, e quante Vilusa. Për të dyja palët, dominimi i këtij qyteti ishte strategjik për të menaxhuar dhe kontrolluar tregtinë në Mesdhe dhe Detin e Zi.

Kërkimet e Trojës kanë zgjatur me shekuj. Por asnjeri nuk ka mundur të sjellë dëshmi për luftërat e Trojës nga koha e Homerit. Deri në vitin 1871, kur Schliemann asokohe 49-vjeçar, solli dëshmitë e para për ekzistencën e Trojës në Veriperëndim të Turqisë. Heinrich Schliemann nuk ishte i pari, i cili besonte se ky qytet ndodhet pikërisht atje, siç e ka përshkruar edhe vet Homeri.

Britaniku Frank Calvert kishte gërmuar në këtë rajon para gjermanit. Historia e këtij qyteti, zanafilla e të cilit fillon 3000 vite para erës sonë dhe vazhdon deri në antikitet, ishte e vështirë të përcaktohej mbi bazën e të dhënave të zbuluara. Calvert i pat sugjeruar Schliemann-it që të vazhdonte gërmimet, atje ku ai i kishte ndërprerë. Në vitin 1872 Schliemann ishte i sigurt: muret e trasha që kishte gërmuar i përkisnin kohës së Trojës.

GJITHNJË NË LUFTË. Asnjë evidencë historike nuk konfirmon se Vilusa (Troja) ra nga dora mikenasve siç tregon Homeri. Nuk ishin pra grekët të drejtuar nga Agamemnoni (djali i mbretit të Mikenës) që e shkatërruan.

Zbulimet gjeografike të shekullit të fundit kanë konfirmuar ndërkohë ekzistencën e Trojës që kishte një sistem kompleks politik, i njëjtë me atë që përshkruan Homeri. Sipas disa teksteve të zbuluar në kryeqytetin hitit (Hattusha), Vilusa ishte një qytet i fuqishëm i qeverisë nga mbreti Alaksandu – që mund ti korrespondojë princit trojan Parid, emri i fëmijërisë i të të cilit sipas Homerit, ishte Aleksandër. Dekada gërmime kanë zbuluar skelete, heshta, shigjeta dhe gjurmë që tregonin një epilog të dhunshëm për qytetin dhe banorët e tij, me shumë mundësi lufta e radhës.

NUK ISHTE FAJI I NJË GRUAJE… Shkaktarja e luftës së fundit të Iliadës nuk ishte një grua me emrin Helena, gruaja e mbretit të Spartës, Menelaut, e rrëmbyer nga princi trojan Parid. Në vend të kësaj historie, arkivat hitite tregojnë se grekët kishin ndërmarrë një sërë fushatash ushtarake në Turqinë perëndimore, me inkursione dhe rrëmbime në masë të njerëzve që i shisnin më pas si skllevër.

Kjo provokoi tensione të paevitueshme, mundësisht edhe një luftë, që duket se konfirmohet nga një dokument që aludon për një paqe të sigluar rreth 1200 p.k. mes grekëve dhe hitejve pikërisht për qytetin e Trojës.

KALI I TROJËS. Disa fakte të treguar në poemë mund të jenë imagjinuar ose thjesht keqkuptuar. Prej kohësh debatohet për mitin e kalit të Trojës, hilja e përdorur nga grekët për të hyrë në qytet.

Në vitin 2016, arkeologu detar i Universitetit të Aix-en-Provence në Marsejë, zbuloi në një studim se makineria që përdorën grekët për të nënshtruar Trojën nuk ishte kali prej druri, por një anije fenikase me kokë kali, që quhej “hipos”, anije mjaft të përdorura në atë kohë.

Dhe nga këtu ka lindur miti ose keqpërkthimi i autorëve.

Kali i drunjtë, barku i të cilit u mbush me luftëtarë grekë, që më pas dolën e nënshtruar Trojën, sipas arkeologut italian nuk ka qenë aspak i tillë, por bëhet fjalë për një gabim në përkthim.

Sipas tij, jo vetëm që nuk bëhet fjalë për një kalë, por dimensionet e mekanizmit që shërbeu për fshehjen e luftëtarëve janë hiperbolizuar.

Sipas Tibonit, ka më shumë mundësi që një anije e përmasave të mëdha mund të ketë mbajtur në “barkun” e saj luftëtarët grekë, të cilët e kanë pasur të lehtë të dalin për të nisur betejën.

SA ZGJATI RRETHIMI? Edhe zgjatja e asaj fushate të përgjakshme ushtarake është objekt debati. Në Iliadë thuhet se sulmi zgjati rreth dhjetë vjet. Por për disa studiues mund të ketë zgjatur edhe më shumë, mundësisht duke përshirë gjenerata të ndryshme, aq sa lufta la një gjurmë të thellë në imagjinatën e tyre.

Është e vështirë të thuash se disa nga heronjtë e Iliadës kanë ekzistuar vërtet. Por në vitin 2010 profesor Atanasio Papadopoulos, i universitetit të Janinës bëri një zbulim.

Papadopoulos tha se ai dhe ekipi i tij i arkeologëve që prej 16 vitesh bënin gërmime në veri të Itakës, gjetën pjesët e asaj që e cilësuan si pallati i Odisesë (Uliksit), duke lënë në këtë mënyrë të nënkuptohet se disa nga protagonistët e poemave hemorike ishin realë. Nuk përjashtohet që gërmimet e tjera mund të sjellin detaje të rëndësishme, por për momentin këto janë fakte.

Megjithatë, fakti për të cilin të gjithë bien dakord është vlera e madhe dhe e thellë e këtyre poemave, deri në atë pikë sa edhe Giacomo Leopardi e ka komentuar në këtë mënyrë: “Gjithçka është perfeksionuar nga koha e Homerit e më pas, por jo poezia”.

Marrë nga Focus Storia

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *