Ekonomi, Lajmi kryesor

Trepça në gjendje e rëndë, punëtorët mund të mbesin pa paga prej këtij muaj

Gjendje mjaft e rëndë është krijuar në Kombinatin metalurgjik “Trepça”, ku aktualisht ndërmarrja po shënon rënie të mëdha të prodhimit. Kjo ndërmarrje e cila dikur ka qenë gjigand, aktualisht nuk po arrin t’i sigurojë as pagat për 1 mijë e 300 punëtorëve

Ish-drejtori i përgjithshëm në Trepçë, Halil Qela, i cili aktualisht është drejtor i flotacionit në këtë ndërmarrje, ka thënë në një intervistë për kp se gjendja aktuale fatkeqësisht nuk është e mirë dhe sipas tij, nëse nuk bëhet një zgjidhje e shpejt dhe e drejtë prej Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht e Qeverisë, do të ketë rrezik në këtë muaj për sigurimin e pagave për punëtorë, e mos të flitet siç tha ai për ekzistencën e Trepçës.

Qela: Prej punës së fundit që kemi bërë, nuk kemi siguruar as rrogat për punëtorë

“Prej punës së fundit që kemi bërë, me të thënë më thjeshtë, ne nuk kemi mbërri as rrogat për punëtorë me i sigurua, prej kësaj të fundit d.m.th. që kemi bërë, d.m.th që tregon bollë. Na i kemi diku 1.300 punëtorë. Nuk kemi mbërri rrogat për punëtorë me i bërë prej shitjes së koncentrateve të prodhuara në muajin e fundit. Kjo është fatkeqësi. I kanë marrë pagat se kemi pas do shitje, do mbetje industriale, për fat të mirë, edhe paratë janë marrë prej asaj mbetje, përndryshe do ta kishim pasur problem me marrjen e rrogave dhe mund të jetë shumë shpejt problem nëse brenda muajit ose dy muaj, nuk bëhet një zgjidhje e drejtë, zgjidhje e mirë, zgjidhje e qëndrueshme. Ju them se ne kemi me pas problem edhe për rroga për këta punëtorë e mos të flasim për ekzistencën e Trepçës krejt. Tani ajo është edhe një fatkeqësi shtesë. Do me thanë në Kosovën e pavarur, në liri me ardhur puna që Trepça në pikëpyetje punëtorëve rrogat me iu dhënë, kjo është ma shumë se keq”, ka thënë Qela.

Ai thotë se meqë Qeveria kishte shpallur këtë vit si të Trepçës, ishte dashur me u arsyetuar. Qela shtoi se Trepça duhet me u regjistruar, sepse siç tha ai trendët e rënies së prodhimit kanë filluar vite më parë.

Qela: Qeveria duhet me qenë më e interesuar

“Qeveria tash është edhe aksionar formal sipas ligjit, 80 përqind aksionar i Trepçës. Duhet 80 përqind me qenë më e interesuar se pjesa tjetër, mirëpo janë pak edhe disa probleme, sepse me vonesë është bërë formimi i Bordit dhe ende nuk është i kompletuar krejt. Edhe ai bord nuk po mbërrin as një statut me shkruar, janë bërë disa muaj që nuk kanë mbërri, ndoshta janë edhe këto pengesat. Trepça duhet me u regjistruar dhe tash ka mbetur një vakum i cili ka të bëjë vetëm këtë vitin e fundit, mirëpo rënia e prodhimit, mungesa e organizimeve ka burimin te disa vite më herët, prej vitit 2014 e tutje ne e kemi marrë teposhtën”, ka thënë Qela.

Ai ka folur edhe për minierat në veri, që sipas Qelës ato janë të ndara dhe nuk menaxhohen nga pjesa e menaxhmentit në jug.

Qela: Prodhimi aktualisht është më i madh në pjesën veriore, por nuk menaxhohet nga ne

“Prodhimin këtu, tash aktualisht te ne në muajin e kaluar i kemi pasur diku 5 mijë e 300 tonë që janë trajtuar këtu në flotacion, që është një sasi jashtëzakonisht e vogël, më pak nuk bënë hiq. Kemi ra në nivelin e fillimit të punës të viteve 2006-2007, andaj, jemi keq, shumë prodhim i vogël. Ndërsa, për pjesën veriore, unë nuk kam informacione të sakta, nuk dua të spekuloj, mirëpo në bazë të asaj që ajo pjesë e sjellë sasinë e koncentrateve për zhdoganim në pjesën jugore, me gjasë janë më mirë se ne. Jo, (nuk menaxhohet prej nesh pjesa e minierave në veri), formalisht të dyja edhe pjesa veriore dhe jugore sikur edhe atëherë që ka qenë nën AKP, kanë qenë nën administrim të AKP-së, mirëpo ata janë shumë të ndarë prej nesh, ka pasur një periudhë që kemi pasur një bashkëpunimi të vogël, mirëpo tash me gjasë prej themelimit të Trepçës SH. A, bashkëpunimi është në minimum. Për këtë edhe nuk kanë dërguar propozimet për anëtarë të Bordit, që ishte dashur tre persona dhe me u kompletuar bordi”, ka thënë Qela.

Prodhimi ka qenë më i vogël në minierat e veriut përreth 40 mijë tonë, ndërsa, në atë pjesë paga mesatare është mbi 700 euro që janë mbi 1.200 punëtorë në pjesën veriore.

Qela: Prodhimi në veri ka qenë 40 mijë tonë më pak

“Pjesa veriore ka qenë (me prodhim) më pak se ne, sigurisht për afër 40 mijë tonë më pak se ne kanë prodhuar dhe minierat në veri janë shumë më të vogla dhe nuk ka gjasa teorike me u krahasuar prodhimi i tyre me prodhimin e Stantërgut… Mirëpo, ata (pjesa veriore) kanë të angazhuara kompani private për nxjerrjen e xeheve dhe merren vetëm me trajtimin, ndërsa shitjen e bëjnë vet. Ndërsa, sasinë e nxjerrjes e kanë të kontraktuar me kompani të ndryshme nga Bullgaria, Maqedonia, Bosnja dhe ndoshta edhe nga Serbia. Ata edhe shitjen e kanë bërë ndaras, nuk ka shkuar shitja përmes një tenderimi të përbashkët, as ne në atë kohë nuk kemi pasur të dhëna, sepse nuk ka qenë në kompetencën tonë… Me gjasë është prodhimi më i madh se te ne tash, në bazë të sasisë së koncentrateve që shihet që vjen këtu në jug për zhdoganim, por saktë me shifra nuk mund të them, mirëpo, është një gjende jo e mirë dhe është f yerje për ne se si ka mundësi minierat në veri në ato kushte dhe në ato miniera aq të vogla, qoftë edhe 50 përqind më pak se ne. Ne ishte dashur me qenë lider për prodhim, por këto janë rrethanat, kjo është e vërteta”, ka thënë ai.

Ish-drejtori i Trepçës ka treguar se në vitet e para luftës prodhimi në këtë kombinat ka qenë mbi 700 mijë tonë. Në kohën kur Qela e ka drejtuar kombinatin, në vitin 2012-2014, prodhimi thotë se ka qenë 240 mijë tonë në minierën e Stantërgut dhe Kishnicës, ndërsa, sot është shumë më pak, rreth 40 përqind.

Qela: 704 mijë tonë ka qenë prodhimi para luftës

“Ish dashtë me u arsyetua ajo që ky është vit është i Trepçës. Po, natyrisht që ka(dallimi me periudhën e para luftës), natyrisht që ka shumë. Miniera në Stantërg p.sh i ka prodhua 700 mijë tonë, d.m.th., 704 mijë tonë ka qenë prodhim para luftës. Tash aktualisht, ju thashë… Na e kemi mbërri po t’kallxoj, 240 mijë tonëshin, d.m.th ka qenë 30%, edhe ai ka qenë vit rekord, në 2012-2013. Sot është shumë më pak. Shumë më pak, nja 30-40 % më pak. Ndoshta 120-130 mijë tonë këtu edhe plus edhe nja 40-50 mijë në minierën e Artanës, edhe të dyja bashkë është pak, fatkeqësisht është pak”, ka thënë ai.

Ish-drejtori Qela ka rrëfyer edhe për shitjet nga kombinati para luftës, i cili pohon se nuk është shitur vetëm koncentrat, ka pasur metale të gatshme dhe ka pasur prodhime finale. Kjo ndërmarrje pas luftës vetëm në vitin 2013, kishte arritur me paguar tatim mbi fitim shtetit 400 mijë euro.

Në fund, Qela ka thënë se prej fillimit të punës ose dhënies së licencës për prodhim diku në vitin 2005-2006, në Trepçë ka qenë një rritje e vazhdueshme e prodhimit 20-24 përqind dhe duke filluar prej 2005 deri në vitin 2012, ndërsa, në vitin 2012 ka pasur një rritje prej 37 përqind të prodhimit, e cila sipas tij, ishte rritje më e madhe që prej pas luftës./

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *