Lajme, Lajmi kryesor

“Traditat” e Ramushit me allti e raki

Kryeministri Ramush Haradinaj jo rrallë herë ka arsyetuar veprimet e tij por, edhe të kolegëve politikanë, duke iu referuar traditave shqiptare

Nga Blendi Gashi

Në vend që të kritikonte dhe ta shkarkonte ministrin Dardan Gashi për gjuajtjen me armë në oden e zëvendësit të tij Fatmir Limaj (pasi ky i fundit u lirua nga akuzat për korrupsion në rastin e ish-Ministrisë së Transportit” por dhe të kritikonte politikanët tjerë si Sami Lushtaku (ish-kryetar i Skeënderajt) dhe Endrit Shala (këshilltar i Limajt) që poashtu shkrepën me armë në ambient të mbyllur, Ramushi i arsyetoi ata hiç më pak nga foltorja e Kuvendit duke thënë se veprimi i tyre s’është i mirë, porse shqiptarët e kanë traditë gjuajtjen me armë në festa të ndryshme.

“Traditë shqiptare, me të vërtetë është traditë e hershme shqiptare, por kjo nuk na bënë nder. Le të kursehemi, të mos ketë incidente tjera”, deklaroi Haradinaj, për çka më pas u kritikua jo pak për këtë deklaratë.

Haradinaj iu referua traditave shqiptare edhe kur u kritikua se piu raki në seancë plenare në kohën kur ishte opozitar, duke thënë se një veprim i tillë është normal në rajonin e Dukagjinit.

“Ajo ka qenë një seancë e gjatë, njëri mbrapa e kish pas do ‘çaj’ me veti e na dha, unë e ndava më të tjerët. Për mua është normale dhe ne e kemi traditë. Te ne edhe kur japin çikën edhe në varrim edhe në luftë e qojmë një gotë. Ne i kemi rendet tona në Dukagjin dhe këtë e përdorim si nderim”, ishte arsyetuar Haradinaj.

Por ai harron se veprimin e ka bërë në një institucion të shtetit dhe jo në shtëpinë e tij private, aty ku konsumohen traditat.

Po a është traditë ta marrësh zhang një të moshuar?

Duke lënë në ndërgjegjen e tij deklarimet në fjalë, Haradinaj duhet të tregojë se te cila traditë u mbështet kur e largoi me forcë gruan e moshuar që për një moment foli në foltoren e solemnitetit të organizuar për 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, që ishte mbesa e Mehmet pashë Derallës.

Sigurisht që as dy të parat, pra gjuajtja me armë e konsumimi i rakisë nuk janë traditë shqiptare dhe aq më pak përdorimi i forcës ndaj “nënave”, për çka Haradinaj me sjelljet e tij po tregon se këshilltarët e tij i paguan sa për t’ua dhënë një pagë dhe mbajtur letrat, pasi siç duket ata nuk guxojnë t’ia japin asnjë këshillë shefit të tyre muskuloz.

Për dallim nga dy rastet e para ku thirret në traditat shqiptare, Haradinaj në rastin e zhagitjes së të moshuarës arsyetohet me mbrojtjen e shtetit, a thuase ajo do ia vinte flakën Lidhjes së Prizrenit dhe do e zhbënte shtetin e Kosovës me fjalimin e saj; dhe që të duket arsyetimi i tij dhe më qesharak e krahason me arrestimin e Marko Gjuriçit. (tesheshi)

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *