Opinion

Toka dhe njerëzit

Nga Bejtush Isufi

Shkenca thotë se së pari ishte pluhuri….e pastaj u formuan galaksitë, e pastaj në rrugën e Qumështit u krijua planeti i Tokës…

Njerëzit u shfaqën shumë më vonë në Planetë dhe kuptohet që preokupimi i tyre më i madh ishin toka dhe qielli…

Toka jepte të gjitha të mirat dhe njerëzit filluan ta punonin atë dhe vendoseshin në vendbanime të përhershme, lugina të lumenjve etj… dhe varësisht cilat fise dhe popuj jetonin në këto hapësira ato edhe u quajtën Angli ( England- Angleterre) apo Deutschland, pra toka e anglezëve, gjermanëve apo galëve… toka e shqiptarëve…

Popujt apo kombet ndërtuan kulturën e tyre materiale, por ngritën edhe mitet e tyre që shpesh lidheshin me beteja dhe ngjare të shënuara nga historia e tyre… kështu që toka, trualli, atdheu u bënë edhe motive arti por edhe shkaqe të luftërave dhe tragjedive të mëdha…

Në kohën e kapitalizmit për shkak të tregjeve, shtresa e pasur u kujdes që të vë brenda kontrollit të sajë sa më shumë territore, por edhe popullsi që do të shfrytëzoheshin për punë dhe kështu u krijuan kombet bashkëkohore.

Shqiptarët për arsye të njohura ishin prapa këtyre rrjedhave por ngjashëm si kombet tjera, sado të rrudhura edhe ata i kanë tokat e tyre…

Tokat shqiptare sot janë në një gjendje të vështirë, sepse deri në fillimin e shekullit XX, ato jo vetëm se së paku ishin përgjysmuar, por edhe kishin humbur shumë popullsi. Popullata shqiptare në ish Jugosllavi, pas shpërnguljeve masive në Turqi, që nga vitet 70-ta e filloi migrimin kryesisht në vendet perëndimore, ndërsa ky proces në Shqipëri filloi në vitet e 90-ta.

Edhe përkundër mungesës së kërkimeve sistematike, është e lehtë të konstatohet se ky proces dhe trend është përshpejtuar në dekadat e para të shekullit XXI.

Përmasat e migrimit sipas statistikave të vendeve imigruese janë të mjaftueshme për të kuptuar se këto shifra janë alarmante. Vetëm para disa ditëve u publikua nga shteti Gjerman se atje tashmë janë regjistruar afër 450 mijë persona me prejardhje nga Kosova, ndërsa nëse mendohet edhe në pjesën tjetër të mërgatës të vendosur në shtete tjera të Evropës dhe kontinentet tjera, atëherë do të mund të kuptohet përmasa e vërtetë e largimit të shqiptarëve nga trojet e tyre.

Nëse e kemi parasysh se në radhë të parë largohen të rinjtë dhe ata që kanë cilësi për ti kontribuar ekonomisë së tregut e mbeten të tjerët pa këto dy cilësi, atëherë kuptohet edhe ky dimensioni tjetër i këtij fenomeni.

Në gjithë këtë pamje shqetësuese është edhe fakti tjetër sa nga 100 për qindëshi i fëmijëve të mërgatës shqiptare, vetëm 10 për qind prej tyre janë të përfshirë në mësimin e gjuhës dhe mësimit plotësues në gjuhen amtare.

Përpos kësaj gjendje faktike edhe më e frikshme është mungesa e çfarëdo preokupimi, thuajse shteti paska detyra më të mëdha se sa ajo që të mbroj njerëzit dhe territorin ku jetojnë ata?

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *