Kulturë

The Final Countdown

Eshtë seria e notave më e famshme e muzikës pop. Kënga që i dha edhe titullin diskut të tretë të Europe ka mbushur më shumë se 30 vjet, por notat e thjeshta në tastierë të “The Final Countdown”, i përkasin kohës kur Joakim Larsson studionte në Stokholm – para se të merrte emrin Joey Tempest

“Isha ende në kolegj. Dhe një person që njihja, një farë Mic Michaeli, ishte pjesë e një grupi që quhej Avalon”, kujton këngëtari. “Një ditë e pyeta nëse mund të më jepte hua tastierën. Mic duhet të ketë menduar që isha budalla, por ma dha”.

Jeta është e çuditshme. Shumë kohë më vonë, Michaeli do të zinte vendin e Tempest, si tastierist në grupin Europe. Pikërisht me tastierën KorgPokySix të Michaelit, Tempest krijoi serinë e notave që më pas do të bëhej hyrja e këngës. Për pak kohë, fragmenti pa titull mbeti ashtu si ishte. “E dija se kishte diçka interesante, por nuk arrija që të kompozoja një këngë përreth saj”, kujton Tempest.

Më pas erdhi “shkelmi bythëve”. Zyra e menaxhimit e Europe e kishte selinë pikërisht përballë një klubi nate, ku grupi shkonte shpesh. “Menaxheri sugjeroi që të shpërndanim në sallë minutën time të muzikës, shoqëruar nga shfaqja e tyre e lazerave, sa për t’u argëtuar”, thotë Tempest. “Ndërkohë që ndodheshim në bar, unë dhe John Leven, basisti, filluam të bisedojmë se si ta zhvillonim”.

I frymëzuar nga dashuria për UFO-t, Tempest futi një ritëm të bukur me ndihmën e një baterie elektronike, dhe pasi i erdhi në mendje fjala “countdown”, shkroi vargje që flisnin për “leaving together” dhe “heading for Venus”. “Më pas, gjithçka rodhi shumë shpejt”, thotë. “Zëri ka një ton monokordësh në të gjithë këngën, ndërkohë që akordet zhvillohen nën të. Vetëm më vonë kuptova se është e njëjta mënyrë si procedojnë shumë kompozitorë klasikë. Eshtë hipnotizuese dhe shumë cool”.

E megjithatë kënga – që zgjaste gjashtë minuta e gjysmë dhe dukej shumë e rëndë – u la jashtë dy disqeve të para të Europe. “Ishim një grup me shumë kitarë dhe një këngë e tillë ishte e pazakontë”, shpjegon Tempest. Në fund, Europe vendosën që ishte koha për të guxuar. Në studio, me John Norum që përpiqej të kujtonte “Lazy” të Deep Purple në solon e tij, grupi votoi kundër sugjerimit të Kevin Elson, producent i Journey, që të linin mënjanë stilin e tyre shumë british, për një tingull më të amerikanizuar. “Për një ditë, kënga pati si titull The Final Breakdown”, zbulon Tempest duke qeshur. “Por në fund ramë dakord që titulli fillestar ishte më i mirë”.

Disa vite më parë, duke folur për “The Final Countdown”, John Norum thoshte për “Classic Rock”: “Kur dëgjova për herë të parë hyrjen, reagimi im ishte: Ç’dreqin është kjo? Nuk mund ta përdorim. Falë Zotit nuk më dëgjuan”.

Për Tempest, ideja që ishte ajo këngë që provokoi daljen nga grupi të Norum është një thjeshtësim i tepruar: “Në të vërtetë, John u nxeh për miksin në radio që u bë nga Elson, i cili vinte theksin tek zëri e tasiera dhe pothuaj zhduku kitarën”.

Sido që të jetë, askush në drejtimin e Europe nuk ishte i përgatitur për suksesin e këngës, që ngjiti klasifikimet në 25 shtete dhe brenda ditësh hoqi çdo mundësi për Europe që të konsideroheshin si grup “rock”. Pak më shumë se 20-vjeçar, me pamje prej djali të mirë dhe flokët shumë të butë, Tempest pa që revistat pop e vendosnin në konkurrencë me buzëqeshjen çarmatosëse të Bon Jovit, këngët e të cilit “Living on a prayer” dhe “You give love a bad name”, po bënin namin në të dy anët e Atlantikut.

“Po e shijoja. Por të dy John-ët filluan shumë shpejt të urrejnë shfaqjet televizive, që na kërkonin të këndonim me playback”, kujton Tempest. “Dhe ajo ndjesi parehatie, për një grup që adhuronte Deep Purple, Thin Lizzy, Rainbow dhe UFO, u bë një problem”. Për Norumin ishte shumë dhe ndoshta duke parandjerë suksesin e madh të Europe, u largua para se të dilte disku. Me Kee Marcello në vendin e tij, Europe regjistruan me Ron Nevison, me këngë si “Let the good times rock”. Por pavarësisht kredencialeve shumë të mira të producentit, nuk arritën të bindin shumicën e publikut, se cilët ishin në të vërtetë Europe.

Pas diskut të pestë, “Prisoners in paradise”, në vitin 1992 grupi bëri një pauzë. Norum u rifut në skenë për një ribashkim në Stokholm, në Vitin e Ri 1999 dhe u ribashkua përfundimisht me grupin pesë vjet më vonë. Një fuqizim i tingullit të tyre u dha Europe një kandidim për Diskun e Vitit me “Last look at end”, në “Classic Rock Awards” të 2009 dhe në vitin 2015 fituan në kategorinë “Comeback of the year”. Në 30-vjetorin e “The Final Countdown”, Europe e kanë bërë këngën pakëz më “heavy” se sa origjinalja dhe Tempest këmbëngul se të gjithëve u pëlqen ta luajnë live. “Më pëlqen shumë të shoh buzëqeshjet e të gjithëve, kur nis hyrja e këngës”, thotë me krenari. “Kudo ku shkojmë, shpesh më thonë që për fansat që nuk e kanë dëgjuar asnjëherë live, është një moment i paharrueshëm. Dhe për një muzikant, është gjë e bukur ta dëgjosh”. / “Classic Rock – Bota.al

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *