Lajme

Thaçi thotë se është pro transformimit të FSK-së, por në koordinim me miqtë ndërkombëtarë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se për shkak të interesave të ngushta, ndonjëherë elektorale dhe ndonjëherë tjetër ideologjike, lidershipi në Kosovë e ka vonuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës

“Unë vazhdimisht kam qenë konsistent në këtë pikë. Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj. Me iniciativën time si president, kemi ndërmarrë një fushatë vetëdijesimi, brenda dhe jashtë Kosovës, për të sensibilizuar miqtë tanë për rëndësinë e këtij procesi”, ka shkruar ai në Facebook.

Siç është shprehur ai, “aleatët tanë e dinë që ky proces duhet të përmbyllet pa vonesa. “Po ashtu, e kemi bërë të qartë që askush, asnjë faktor i jashtëm, nuk mund të ketë veto në shtetndërtimin tonë”.

“Dua t’ua largoj çdo dilemë: jam pro transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për rajonin. Përkundrazi, do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes, sigurisë shtetërore, rajonale dhe globale. Prandaj, në këtë pikë, institucionet e Kosovës flasin me një zë dhe kemi një qëndrim”, ka shkruar ai.

Tutje, ai thotë se Ligji i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të procedohet edhe në Kuvend dhe periudha deri në miratimin e tij duhet të shfrytëzohet nga të gjithë ne për t’i bindur skeptikët e mbetur të këtij procesi.

“Jam i bindur se në koordinim të plotë me SHBA-në dhe aleatët tanë në NATO do ta përmbyllim këtë proces të vonuar, por jetik për Kosovën”, përfundon ai.

Qeveria e Kosovës, sot në një mbledhje urgjente miratoi tre projektligje që i hapin rrugë shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri të Kosovës.

Miratimi i ligjeve në qeveri për shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, e ka zënë “në befasi”, Presidentin Thaçi, siç është shprehur, ndonëse disa muaj më parë ishte vetë Presidenti që me anë të ligjit tentoi ta shndërrojë FSK-në në Ushtri të Kosovës, por, hasi në kundërshtim të ashpër të faktorit ndërkombëtar, sidomos të SHBA-së.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *