Lajme, Lajmi kryesor

Thaçi takon kryeministrin rus, i kërkon vendosjen e komunikimit midis dy vendeve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të ceremonisë së inaugurimit të presidentit turk Erdogan, ka takuar sot në Ankara të Turqisë kryeministrin rus Dmitry Medvedev, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, si dhe për dialogun Kosovë-Serbi

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se nga kryeministri Medvedev ka kërkuar që të vendoset një komunikim fillestar midis dy vendeve.

Postimi i Thaçit:

“Në kuadër të ceremonisë së Inaugurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, zhvillova një takim të shkurtër me Kryeministrin e Federatës së Rusisë, Dmitry Medvedev. Kryeministrin Medvedev shkurtimisht e informova për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon. Me këtë rast, kërkova nga kryeministri Medvedev që të vendosim një komunikim fillestar midis dy vendeve tona. Ne po ashtu biseduam edhe për fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe u pajtuam se marrëveshja eventuale do të sjell paqe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Thaçi.

A mund të thyhet akulli ndërmjet Kosovës e Rusisë?

Ende nuk dihen të gjitha rrethanat e takimit të shkurtër ndërmjet Presidentit Thaçi e Kryeministrit të Rusisë Dmitry Medvedev. Por një takim i tillë është pozitiv edhe nëse nuk prodhon asgjë.
Raportet e Kosovës me Rusinë kanë qenë të vështira që prej se Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008. Madje zyrtarët rusë, siç është rasti me kryediplomatin Sergey Lavrov nuk kanë hezituar ta quajnë Thaçin edhe kriminel lufte ndërsa ish-ambasadori rus në OKB Vitaly Churkin i ka dhënë të drejtë vetes ta qortojë Ministrin e Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj se nuk ka të drejtë t’u drejtohet mediave në ndërtesën e OKB’së pasi Kosova nuk është shtet.

Rusia megjithatë ka një përfaqësi diplomatike në Kosovë që nga koha e UNMIK’ut e cila është inauguruar nga Lavrov në vitin 2005, por nuk është ngritur në nivel ambasade për shkak se Rusia ka mbajtur anën e Serbisë duke refuzuar ta njohë pavarësinë e saj.

Rusët më 1999 kishin dërguar një kontigjent ushtarësh në KFOR pas vendosjes së këtij misioni ushtarak në Kosovë. Rusia kishte kundërshtuar sulmet e NATO’s kundër Serbisë për shkak të spastrimit në Kosovë, por nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim kundër Aleancës më të fortë ushtarake në botë.

Kontaktet formale Kosovë-Rusi kanë munguar plotësisht përjashto një vizitë të Kryeministrit Agim Çeku para shpalljes së pavarësisë. Çeku asokohe në Moskë ishte pritur nga një Zëvendëskryeministër i Qeverisë Ruse, atëkohë në Kosovë autoritet kryesor ishte UNMIK.

Rusia kishte bashkëpunuar me Perëndimin në bisedimet për statusin në Grupin e Kontaktit por kishte refuzuar rezultatin e tyre, propozimin e Ahtisaarit që i jepte Kosovës pavarësi të mbikëqyrur.

Rusët madje kishin kërcënuar me veto nëse KS i OKB’së e nxjerr në votim Planin e Ahtisaarit. Kosova kishte lëvizur duke shpallë pavarësinë e saj që e kishin njohur shtete perëndimore, por kjo e kishte acaruar Rusinë e cila kishte nxitur secesionin e Osetisë dhe Abkhazisë si një hakmarrje ndaj Perëndimit.

Pavarësisht se me qëndrim të ashpër ndaj Kosovës, rusët vazhdimisht kanë përsëritur se nuk do të bëhen më serbë kur është fjala për Kosovën. Pra, duke lënë të kuptohet se nëse serbët heqin dorë nga Kosova, këtë do ta bëjë edhe Moska. Por, çfarë do të thotë takimi i shkurtër mbase i kurtoazisë në Ankara mbetet të shihet.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *