Lajme, Lajmi kryesor

“Thaçi ka pranuar ndarjen e Kosovës dhe po e quan demarkim të kufirit”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ditës së mërkurë tha se, çështja e kufijve do të jetë në tavolinë me Serbinë në Beograd, por ai nuk do të lejoj që kufijtë e Kosovës të cenohen. “Po çështja e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është në tavolinë. Ne duhet ta konsolidojmë shtetin dhe ky proces do të përmbyllet mirë, askush nuk është i interesuar që të dëmtoj integritetin e Kosovës”, theksoi Thaçi duke mos dashur të komentoj çështjen e riformimit të kufijve, shtoi se “nuk do të lejojë asnjë milimetër ti cenohet Kosovës”

Analistët politik kanë theksuarse çdo dialog me Serbinë nga presidenti Thaçi në fazën finale do të jetë i dëmshëm për Kosovën.

Haki Abazi, njohës i mirë i politikës në Kosovës dhe drejtor për Ballkanin Perëndimor i Fondacionit “Rockefeller Brothers”, thotë se, presidenti Thaçi ka pranuar ndarjen duke e quajtur demarkim, ndërsa për Serbinë është ndarje, nuk e pranon Kosovën si shtet dhe as ulëse në OKB. “Hashim Thaçi është i frikësuar, pa legjitimet me Gjykatën Speciale mbi kokë. Çdo marrëveshje me Serbinë e udhëhequr nga Thaçi do të jetë në dëm final të shtetësisë së Kosovës. Thaçi ka pranuar ndarjen dhe tani ai po e quan demarkim, por për Serbinë është ndarje dhe nuk ka pranim të Kosovës shtet e as ulëse në OKB. Prania e Serbisë në Kosovë është duke u kristalizuar dhe legjitimuar në tre drejtime: Lista serbe si instrument politik, prezent e institucioneve të Serbisë në veri dhe Asociacionin e komunave dhe prezenca nëpërmjet kishës ortodokse”, thotë Haki Abazi, duke shtuar se dështimi me Hashim Thaçin në krye është i paevitueshëm.

Analisti dhe njohësi i mirë i çështjeve politike në Kosovë, Nexhmedin Spahiu potencon që, kufijtë e Kosovës do të vazhdojnë të rrudhën, pasi po punohet me joseziozitet. “Nëse në këtë drejtim punohet me joseriozitet siç u punua me rastin e Maqedonisë e sidomos me rastin e Malit të Zi kufijtë e Kosovës do të të vazhdojnë të rrudhën edhe më shumë në rastin e Serbisë”, thotë Spahiu.

Edhe analisti tjetër, Krenar Shala potencon që, integriteti i Thaçit është i cenueshëm, andaj sipas tij, duhet Kuvendi i Kosovës të marrë pjesë aktive në këtë proces. “Mendoj që integriteti i Presidentit është i cenueshëm dhe si rezultat nuk është i denjë për ta marr barrën e negociatave me Serbinë. Mendoj që Kuvendi i Kosovës duhet të marrë pjesë aktive në këtë proces duke e marrë parasysh që jemi në fazën përfundimtare të gjetjes së një zgjidhje të qëndrueshme në raport me Serbinë”, potencon Shala.

Ndërsa, raportimet se presidenti Hashim Thaçi ka injorua totalisht Kuvendin e Republikës së Kosovës duke zhvillu takime sekrete me udhëheqës të Serbisë dhe po vazhdon bisedimet me ta, kanë ngritur shqetësime të shumta tek sovrani dhe të disa subjekte politike, thotë analisti politik Ali Hertica. “Ne si qytetari besojmë se askush nuk ka mandat dhe guxim të negociojë fshehtas dhe haptazi për çështje të tilla të rëndësishëm madhore që ka sot Kosova të interesit nacional pa vendimin e Kuvendit të Kosovës me 2/3 e votave. Çdo veprim tjetër i kujtdo nga lidershipi është jo kushtetues dhe jo institucionale dhe atë kruciale që nuk janë të zhveshura nga legjitimiteti i mirëfilltë”, thotë Hertica.

Ai shton se tani Kosova ka të përfunduar çështjen e shënimit të kufirit vetëm me Maqedoninë dhe Malin e Zi. Sipas tij, kufiri vazhdon të mos jetë i përcaktuar sepse është marr vendim që të bëhet vetëm një lloj rishqyrtimi që ajo nuk ndodh kurrë.

“Tani është një problem esencial në mes të Serbisë dhe Kosovës. Është pozicionimi i qartë se si kualifikohet kjo vijë kufitare duke pasur dy të hidhura të kaluara me Debelldein dhe atë të Çakorrit, prandaj pavarësisht që ka pasur një marrëveshje të ndërmjetësuar nga ana e Bashkimit Evropian për menaxhimin e integruar të kufirit, e kjo më tepër ka shkuar në një kontekst të themi teknik të organizimit të qarkullimit të ndërsjellë të njerëzve dhe mallrave midis këtyre dy shteteve dhe kjo është një dinaki shumë e madhe e Serbisë duke pretenduar që të merr territor të Kosovës, ashtu siç e ka planin e hapjes së korridorit duke formuar komuna serbe me një asociacion që do të ketë shumë pasoja për të ardhmen e shtetit të Kosovës”, thekson ai.

Hertica thotë se, kjo është një çështje që do të sjellë telashe në bisedimet në kontekst të demaskimit midis Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar së këtu është edhe çështja e liqenit të Ujmanit. “Kosova vazhdon ta ketë problem demarkimin e kufirit me çdo shtet në të ardhmen dhe është një rrezik permanent që Kosova të humb territor poqë se nuk involvohen ekspertët e shtetit të cilët janë të thirrur për këtë çështje pa pasur trysni nga askush”, përfundon Ali Hertica.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *