Opinion

Televizionet e Kosovës me shumë zhurmë për asgjë

Emisionet e debatit e intervistat janë aq të shpeshta në kanalet tona televizive, ngase duken «in» dhe njëkohësisht janë më të lehta e më të lira. Deri sa nuk plas ndonjë broçkull vetëm në dukje e pasherr, si ajo e avokatit Tomë Gashi se «liberalizimi i vizave nuk ndodh për shkak se Kosova konsiderohet vend mysliman», apo promovohet me seri mulla Osman Musliu, për të cilin askush nuk e ka vërejtur se ka kohë që hoxha i dikurshëm «patriot» është shndërruar në turkofil

Nga Dush GASHI

Dikur, në gazetën «Rilindja» ka ekzistuar një rubrikë e kritikës televizive me titull «Çekani TV». Meqë kemi shumë talent për t’i kthyer gjërat në të kundërtën e tyre, tash janë kanalet tona televizive ato që na godasin si çekan çdo mbrëmje në shtëpitë tona, me të ftuar të shumtë dhe dërdëllisje të pafundme në emisionet e debatit e intervistave televizive.

Sigurisht, pronarëve të televizioneve këto emisione ende u duken «in» dhe njëkohësisht më të lehta e më të lira. Përndryshe, për të bërë gazetari hulumtuese, sidomos televizive, duhen gazetarë të zotët, kohë e shpenzime. Pastaj, të intervistuarit nuk ftohen gjithmonë, ka të tillë që vijnë kur ata duan dhe, sigurisht, janë në pozitë që të mirën ta kthejnë me të mirë. Në përgjithësi, emisionet e tilla krijojnë njëfarë përshtypjeje të rrejshme sikur po ndodh diçka në vendin ku ka kohë që s’ndodh asgjë.

Por, kur ky zhanër i gazetarisë merret për më i lehtë se sa është në të vërtetë, atëherë nuk është çudi që plas ndonjë broçkull vetëm në dukje e pasherr, si ajo e Tomë Gashit, se «liberalizimi i vizave nuk ndodh për shkak se Kosova konsiderohet vend mysliman», apo promovohet me seri mulla Osman Musliu, për të cilin askush nuk e ka vërejtur se ka kohë që hoxha i dikurshëm «patriot» është shndërruar në turkofil.

«Motivi i fshehur»

Kjo e Tomë Gashit, siç e dimë tash, zgjoi reagimet e islamistëve kosovarë, të cilët përndryshe thua se mezi presin provokime të tilla, në mënyrë që të shfaqen si zëdhënës të këtij vendi. Ndoshta edhe ky ishte «motivi i fshehur» i avokatit të gjithëdijshëm, në mënyrë që në këtë zhurmë të harrohen shkaqet e vërteta të cilat e pengojnë liberalizimin e vizave. Kryeshkaku është mungesa e luftës kundër korrupsionit!

Në rastet e profilit të lartë të korrupsionit, në 95 për qind të tyre është dështuar, pra ende asnjë politikan i profilit të lartë nuk është dënuar me aktgjykim përfundimtar, që do të thotë se një ditë burg nuk e ka vuajtur! Ç’është më e keqja me këto aktakuza pa prova e pa dëshmi, në të vërtetë vetëm sa amnistohen kryetarë komunash e ministra të akuzuar, sepse më nuk mund të ndiqen për veprat e njëjta, akuzat për të cilat janë rrëzuar në gjykatë!

Rasti i mulla Osman Musliut, ndërkaq, është shembull shkollor se si gazetarë të shumtë e intervistojnë, duke ia njohur «backgrundin» vetëm nga kujtesa dhe atë nga shumë vite më parë. Përndryshe, sikur t’ia kishin hedhur vetëm një sy profilit të tij në Facebook, do të vërenin menjëherë se ai ka kohë që ironizon dhe etiketon këdo, i cili tërheq vërejtjen për synimet e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan që të shtrijë ndikimin e tij në Ballkan, duke përdorur fenë si instrument politik. Kush ia turbullon pak agjendën mulla Osmanit, rrezikon të shpallet prej tij as më pak, as më shumë se «armik» i shqiptarëve, meqë «po përpiqet të na i kufizojë miqtë qoftë në Perëndim apo Lindje, të krishterë apo islamë».

Injorantë e armiq

Mulla Osmani duket se e ka halë në sy profesorin amerikan, David Philips, ndonëse ai që nga të nëntëdhjetat e përcjell gjendjen në Kosovë dhe e inkurajonte popullin shqiptar të Kosovës se liria do të vijë. Për mullain «tonë», Philips është as më pak, as më shumë se «injorant», ndonëse ai tërhiqte vërejtjen për gjëra tepër serioze – se kërcënimet ndaj sovranitetit të Shqipërisë dhe Kosovës nga Rusia dhe Turqia «janë në proporcion të drejtpërdrejtë me afërsinë mes Shteteve të Bashkuara dhe komuniteteve shqiptare». «Dhimbja» e mulla Osmanit qëndron në faktin se Philips e kritikon kryeministrin e Shqipërisë pse kancelares gjermane Angela Merkel ia tërheq vërejtjen se «nëse Shqipëria nuk integrohet më tej në Bashkimin Evropian, do të ketë një rritje të islamizmit», ndërkohë që e pranon ndërtimin e xhamisë 30-milionëshe në Tiranë me para të Turqisë.

Njëkohësisht, mulla Osmanit nuk i shpëtojnë për t’i përkujtuar datat «e luftërave dhe fitoreve të përbashkëta» të shqiptarëve e turqve, si beteja e Çanakalasë apo ajo për mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët, siç veprojnë të gjitha mediat, të cilat e mbështesin neo-otomanizimin e regjimit të Stambollit. Për të ironizuar Romën e Vatikanin as lodhet për të gjetur ndonjë shkas të veçantë, kush mbron me këmbëngulje kombin dhe historinë shqiptare shpejt shpallet «përrallaxhi». Hoxha «ynë» fluturues do ta ndryshonte edhe Abetaren në disa vende, kinse me motive patriotike, meqë ilustrimin për shkronjë «H» – «humanizmi i Nënë Terezës» – siç është, do ta zëvendësonte me «humanizmi i nënë Zahides» – nënës së Adem Jasharit, duke besuar se kështu do të mund t’ua mbyllte gojën çdo kritikuesi eventual. Por, mos u befasoni nëse edhe më tej gazetarët do ta pyesin «a ka islam politik në Kosovë», dhe përgjigja e tij do të jetë e thjeshtë – «jo»!

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *