Kulturë, Lajmi kryesor

Teki Dervishi, unik dhe i papërsëritshëm në letërsinë dhe publicistikën shqiptare

Është viti i shtatë, që kur Kosovës i mungon intelektuali dhe publicisti i saj, më i shquar Teki Dervishi. Ndonëse, mungon fizikisht, jeta dhe vepra e tij ngritet në piedestalin më të lartë nga ata që e njohën dhe e lexuan. Tashmë, letrave shqipe u mungon një dramaturg i mirëfilltë, kurse gazetarisë një gazetar i guximshëm që nuk i trembej syri nga askush. Shtatë vite pas shkuarjes në amshim, miqtë e afërt, ata që e njohën dhe ishin bashkudhëtar të jetës dhe veprës së publicistit Teki Dervishi, ende e kanë të freskët kujtimin për të

Publicisti, poeti, dramaturgu, romansieri, kritiku teatror, intelektuali më i madh shqiptar Teki Dervishi, ka lënë gjurmë të thella në krijimtarinë letrare shqiptare dhe ai cilësohet si prijës i modernitetit të letrave shqipe. Njëherësh, ai ishte edhe drejtor i gazetës kombëtare “Bota sot”, duke qenë kështu përherë në shërbim të së vërtetës dhe në koherencë me ngjarjet që e përcollën vendin.
Shtatë vite pas shkuarjes në amshim, miqtë e afërt, ata që e njohën dhe ishin bashkudhëtar të jetës dhe veprës së publicistit Teki Dervishi, ende e kanë të freskët kujtimin për të.

Publicisti Skender Zogaj, thotë për “Bota sot” se Teki Dervishi, ishte dhe mbetet njëra nga penat më të mprehta dhe më të suksesshme në letërsinë e re moderne, dramaturgjinë dhe gazetarinë shqipe.

Zogaj: Teki Dervishi tërë jetën ka qëndruar si gjeneral

Ai, po ashtu thotë se ka pasur fatin që Teki Dervishin ta njoh nga afër. “Menjëherë pas kthimit të tij nga burgu famëkeq i Goli Otokut, kur përkundër pushtetit që e kishte shpallur armik, një burrë i madh i arsimit dhe atdhetarisë, drejtori Avdyl Kelmendi, guxoi që Tekiut t’ia ofronte ditarin e mësuesit në shkollën fillore “Mustafa Bakija” në katundin Carrallukë. Tekiu ishte një njeri me vlera të veçanta kulturore e arsimore dhe, në kushte e rrethana tepër të vështira, si mësues ishte i ngjashëm me Migjenin dhe u ndesh fuqishëm me mjerimin e kohës. La në Carrallukë shembullin e pishtarit të dritës. Edhe më fuqiplotë Tekiu qëndroi në letërsi e në publicistikë, si poet, dramaturg, romansier, kritik teatror, publicist dhe mbi të gjitha një zë kryengritës që me urtësi e dituri iu kundërvu ligësive të shumta të shoqërisë shqiptare”, thotë Zogaj.

Sipas tij, Tekiu ishte një lule-diell i Kosovës, sepse e kishte të padyshimtë se besimin se Kosova do të ishte fitimtarja, se ardhmëria e saj ishte e ndritshme, mirëpo kishte shumë vërejtje në injorancën shqiptare që ishte njësoj e rrezikshme si okupimi serb.

“Në artin e Tekiut kemi akuzën e thellë ndaj injorancës dhe urrejtjen ndaj pseudo intelektualeve që për interesa personale bëheshin lecka të pushtetit. Si i këtillë Tekiu ka lënë zbrazëti të madhe, sepse shkoi herët dhe kur më së shumti i duhej Kosovës, mirëpo sido që të jetë Teki Dervishi tërë jetën ka qëndruar si gjeneral dhe i tillë ka shkuar në amshim, Teki Dervishi është jo vetëm një nga shkrimtarët më permanent të kohës, por ai njëkohësisht është edhe një të them figurativisht, amzë intelektuale, një mendje që ka gjeneruar ide letrare dhe përmes tyre ka imponuar një perceptim ndryshe të realitetit. Të menduarit ndryshe dhe ekspektimi ndryshe i realitetit ka bërë që të jetë vendimtar në thyerjen e klisheve ideologjikë që kane sunduar jo vetëm në politikë, por edhe në kulturë dhe në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Mendimi i tij heretik paraqiste një rrezik permanent për standardet ideologjike të politikës dhe të artit, të cilat ishin nën mbajtjen e mekanizmave shtetërorë. Teki Dervishi, është i vetmi disident që ka arritur të profilizohet në rrethana deprimuese dhe jashtë stereotipave klasore. Të cilat e shquanin “disidencën” tonë politike, e cila ishte vetëm një version komplementar i mendimit zyrtar”, shprehet Zogaj.

Ndërsa, Don Lush Gjergji, përfaqësuesi Ipeshkisë së Kosovës, është një nga personat që njohu për së afërmi shkrimtarin dhe artistin e madh Teki Dervishi.

Don Lush Gjergji: Teki Dervishi, la gjurmë pashlyeshme në kulturën dhe qytetërimin tonë

Ai për gazetën “Bota sot”, thotë se, Teki Dervishi, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe qytetërimin shqiptar duke dhënë vizione dhe vegime të qarta se kush kemi qenë, kush jemi dhe kush duhet dhe mund të jemi. “Teki Dervishi ishte një mik, një shok e mbi të gjitha një krijues i mirëfilltë i kulturës dhe qytetërimit tonë Iliro-Arbroro-Shqiptar, ndërroi jetë dhe shpejt shkoi në amshim, por la gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe qytetërimin tonë, sepse në jetën dhe veprën e tij, si në aspektin njerëzor e aq më tepër në aspektin kulturor dhe letrar na begatoi dhe na pasuroi duke na dhënë vizione dhe vegime të qarta, se kush kemi qenë, kush jemi dhe kush duhet dhe mund të jemi”, thotë Don Lush Gjergji.

Sipas tij, Teki Dervishi meriton falënderime të mëdha për shërbimin që ia bëri popullit në aspektin kulturor e publicistik. “Në këtë përvjetor e kujtoj me nderime dhe falënderime të thella, për jetën dhe veprën e tij, për kontributin e tij, për shërbimin që ia bëri popullit tonë, mbi të gjitha kulturës sonë dhe publicistikës sonë, gazetarisë sonë. Teki Dervishi, ishte një njeri i gjithanshëm, si në formën e letrarit dhe gazetarit të publicistit të njeriut të kulturës e mbi të gjitha të njeriut i cili kishte bindje dhe përcaktime shumë të qarta pro-evropiane apo properëndimore që të na kthente atje ku dikur ishim si popull meritor”, pohon Don Lush Gjergji.

Ai mes tjerash ka thënë se, Teki Dervishi ka qenë njëri ndër njerëzit që ka folur me të më së shumti për gjithçka çka shihet e preket, dhe për gjithçka që ndodhet. “Teki Dervishi është një nga figurat, me të cilat kam komunikuar shpesh miqësisht dhe vëllazërisht në rrafshin e gjithëmbarshëm, andaj veprën e tij mundohem ta kem gjithmonë afër vetes. Ndërsa figura e tij, personaliteti i tij më mungon mjaft, sepse në momentet e vështira apo të gëzimit, figurat e tilla krijojnë mangësi dhe zbrazëti në jetën tonë”, përfundon ai.

Musliu: Tekiut duhet t`i njihet kontributi

Ndërsa, poeti gazetari dhe studiuesi Ramadan Musliu, njëherësh edhe miku më i mirë i Teki Dervishit, ka thënë se, Tekiu, duke qenë gjenerues i ideve dhe i koncepteve që sillnin një pikëpamje të re politike dhe letrare, arriti të ndërtojë një perceptim të ri të realitetit.

Ai ka thënë se, në një shoqëri normale Tekiu do të ishte figura qendrore morale e kohës. “Perceptimi i tij i realitetit, sidomos politik, është ai i disidentit që në asnjë mënyrë nuk e pranon njëmendësinë, nuk e pranon shtetin dhe shoqërinë totalitare. Tek Tekiu duhet kërkuar embrionin e mendimit pluralist. Ai shpesh tallej me një ironi të hollë me komunizmin, madje duke vënë në dyshim autorët më të rëndësishëm të realizmit socialist, duke identifikuar në atë mendësi mendimin represiv. Madje i përqeshte ata “disidentë” të cilët i kishte sjellë sistemi për nevojat e veta, duke ua bërë të qartë të jareve se nuk ka bashkëjetesë mes mendimit të lirë dhe pozitave drejtuese institucionale ngase asnjë shtet nuk i shpërblen armiqtë e vet, po shërbëtorët. Pikërisht shërbëtorët e sistemit janë ata që janë vënë në krye të vendit”, ka thënë Musliu duke shtuar se vetëm një shoqëri pa të ardhme, Tekiut do t’ia mohon pozicionin prej disidentit kryesor në shoqëri. Dhe me të vërtet është shqetësuese se si ky shtet i përjashton njerëzit e vet më të mirë në krye të të cilëve qëndron Teki Dervishi”, thotë Musliu.

Sipas tij, Teki Dervishi njihet edhe si një personalitet i cili ka qenë në oponencë të përhershme me pushtetin, ka bërë që në planin krijues të jetë i deprimuar, pra i destimuluar në jetën sociale dhe kulturore, gjë që si duket si duket e ka bërë më kreativ si artist në gjithë letërsinë shqipe.

“Jeta e tij prej njeriut gjithnjë në lëvizje, si një mendje gjithnjë aktive, ka bërë që kudo që frekuentonte, që nga Gjakova, Goli Otoku, Shkupi e Prishtina, të jetë fermentues i ideve të reja. Tekiu kudo që ka jetuar ka arritur të krijojë bërthama artistike, të formojë qarqe artistike e intelektuale, të cilat aktivizoheshin duke u lidhur me ide të reja, ide që në thelb përmbanin një lloj herezie, një lloj dyshimi ndaj standardeve të të gjitha sferave të shoqërisë e ne veçanti të politikës, po ende edhe të letërsisë dhe artit në përgjithësi. Nuk ishte prej krijuesve sistematikë, i cili, në kushte të një komoditeti social, do të punonte gjithë jetën në një projekt, por ishte krijues që në çdo vepër e ndërtonte sipas një principi të ri, sepse asnjëherë nuk ishte ndërtues i klisheve, por rrënues i tyre dhe imponues i mendimit të ri kundër rrjedhës”, shprehet Musliu.

Sipas tij, Tekiu e ka meritën e intelektualit që ka kultivuar idenë e pluralizmit jo vetëm estetik, por i atij që ishte kundër totalitarizmit si praktikë dhe doktrinë.

“Në rrethana “normale” Tekiu do të ishte një krijues me reputacion të pakontestueshëm shoqëror e jo një personalitet pa status social, një njeri që ishte në vazhdimësi i survejuar dhe i mbikëqyrur në çdo fjali që e shkruante dhe e thoshte. Po të shikohen veprat e tij, si në prozë, po edhe në poezi e veçanërisht në dramaturgji, ato në të gjitha planet janë sinonim i kreativitetit. Proza tij, bie fjala, tregimi i tij, ai është herë një rrëfim tradicional, ku çdo gjë është në shërbim të rrëfimit, bërthamës narrative, për të vazhduar pastaj në tregimet e modelit eseizues, në kontemplacion të thellë që herën tjetër të ndërtohet përmes një ironie tronditëse. Poezia, herë është konkrete, herën tjetër impresion që duket si një vurratë e shpirtit të njeriut, por që gjithnjë në brendi e ka një dramë, e ka një “ngjarje tronditëse”. Në dramaturgji Tekiu është ai që projekton dramën glomale kombëtare dhe universale. Në brendinë e kompozicioni dramaturgjik e kemi shtresimet paralele të dramës që nga mikro-njësitë deri të ajo e përgjithshmja. A ka projekt më madhështor se sa kompleksi dramatik “Bregu i pikëllimit”?! Tekiu bëri një jetë heretiku, ndërtoi një vepër-herezë dhe si i tillë mbetet unikal dhe i papërsëritshëm në letërsinë shqipe”, shprehet Musliu.

Teki Dervishi ishte aristokrat të kulturës dhe artit shqiptar

Regjisori Esat Brajshori, njëherësh dhe miku i Teki Dervishit duke folur për mikun e tij të ndjerë ka thënë se vlerëson shumë figurën dhe veprat e Tekiut. “Vlerësoj angazhimin e “ Bota sot” që po e ri sjellin në kujtesën e këtij populli kolosin unikat të dramaturgjisë moderne kombëtare Teki Dervishin. Unë me Tekiun kam qenë i lidhur ngushtë jo vetëm si bashkëpunëtor në fushën e teatrit por si miq që kemi ndarë bashkë shumë halle e sfida të jetës. Dua të nënvizoj se dy dramat e fundit “Repriza e Lirës ” dhe “Ku është populli ”Teki Dervishi i shkroi enkas për mua dhe unë i vura, njërën me Dramën Shqipe të Teatrit të Shkupit(2003) dhe tjetrën në TKK (2005). Andaj shlirë mund të them se Teki Dervishi ishte aristokrat të kulturës dhe artit shqiptar,” thekson Brajshori.

Edhe Aktori Selman Jusufi, vlerëson lart figurën e Dervishit duke thënë se është i vetmi krijues shqiptarë që shkrimin e kishte dhunti nga Zoti. “Ai ishte pa dyshim maestro dhe artist i madh. Shkuam në Shkup dhe mbetëm një dekadë aty. Një natë dimri mbërritëm në Prishtinë. Poezia e tij është protestë, kurse vepra e tij është monument. Ishte mësues i imi shpirtëror dhe përjetësisht më mungon”, thotë ai.

Foniqi: Ai ishte Xhejms Xhojsi shqiptar

Ndërsa, gazetari dhe publicisti Shaqir Foniqi, ka thënë se Teki Dervishi ose Xhojsi shqiptar ka qenë emancipuesi i të gjitha zhanreve letrare. “Teki Dervishi, pa dyshim i përket gjeneratës së mesme, të artë, i cili solli një frymë të re në krijimtarinë shqipe. Ai, si adhurues dhe kultivues i vargut të gjatë, manifestoj kulturë të thellë të shkrimit, porosi të qarta dhe shkroi për një kategori të ngritur të lexuesve shumë të kultivuar. Tekiu, nuk ishte krijues i masës dhe jo të gjithë e kuptonin nivelin e shkrimeve të tij. Teki Dervishi u tregua mjeshtër i rrallë, qoftë në poezi, prozë, dramë dhe kritikë letrare. I pajisur me një kulturë të madhe dhe me një talent të rrallë, ai e bënte diferencën dhe shkrimet e tij nuk ishin për një periudhe kalimtare, por për gjenerata e gjenerata. Teki Dervishi, në jetë ishte i qetë dhe fjalë pak, por në krijimtari ishte një uragan i pashuar”, nënvizon Foniqi.

Ai thotë se, Teki Dervishi i përket një rryme të re të shkrimit, e cila ende nuk është tejkaluar.
“Gjenerata e tij, ose plejada e tyre, si Beqir Musliu, më herët Anton Pashku, pastaj Musa Ramadani, Mehmet Kraja, Zejnullah Rrahmani, Teki Dërvishi, Shaip Beqiri e ndonjë tjetër, janë të veçantë dhe mbase të papërsëritshëm. Për Tekiun koha do të flasë, kurse shkrimet e tij kanë bërë histori. Them me bindje se nuk e teproj nëse them se ai ishte Xhojsi shqiptar. Krijuesit si Tekiu janë të rrallë dhe për mall. Unë kam pasur fatin të bashkëpunoj me të, tek “Bota sot” si dhe për herë të parë ta intervistoj, kur ishte drejtor i TKK dhe lirë mund të them se ishte tërësisht i veçantë me gjithçka. Teki Dervishi ishte njeri modest dhe njerëzit e tillë nuk lindin shpesh”, ka thënë gazetari dhe publicisti Foniqi.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *