Lajme, Lajmi kryesor

Të vërtetat e pathëna të deklaratës “bombë” të Pandeli Majkos

Pandeli Majko, ministri i Shtetit për diasporën, ka bërë dy deklarata të forta në një periudhë prej tre muajsh që është zgjedhur. Njërën e ka bërë në Prishtinë dhe tjetrën në Tiranë

Në Prishtinë, gjatë një darke të një organizate shqiptaro-amerikane premtoi hapjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa tjetrën në një intervistë për Lutfi Dervishin tha se biznesi i dy shteteve ka bllokuar hapjen e kufirit.

Kjo deklaratë u komentua jo me shumë vëmendje në Tiranë, pasi u cilësua si një qëndrim për të “bërë bujë dhe turbulluar pak ujrat”. Por që në fakt përbën një qëndrim të fortë dhe radikal nga një ministër i qeverisë që sulmon njërën pjesë të qeverisë.

Në gjuhën e sotme, atëherë kur biznesi imponon vendimet politike quhet “konflikt interesi” apo “state capture”-shqip: kapje e shtetit.

Një kapje e shtetit e dalë nga goja e një ministri shumë të rëndësishëm, i cili ka qenë edhe kryeministër i vendit do të trondiste themelet e një mazhorance qeverisëse në çdo vend normal.

Kjo sepse bëhet fjalë për vendime që nuk merren nga qeveria por nga një grup jashtë përfaqësuesve ligjor që populli zgjedh në krye të vendit.

Në çdo vend të botës lobimet janë të fuqishme nga ana e biznesit; por ata asnjëherë nuk mbizotërojnë në vendimet politike.

Në SHBA sot, në krye të administratës është një klasë shumë e pasur që përfaqëson elitën e kapitalizmit amerikan.

Por vendimet që ka marrë Donald Trump, më shumë janë ndikuar nga klasa e votuesve sesa grupi që përfaqëson miliarderët në qeverisje.

Të marrim rastin konkret. Nëse hapet kufiri Shqipëri-Kosovë duhet të prishet një status-quo e vendosur prej më shumë se 27 vjetësh, e cila ka vendosur pozitë monopoli në biznes.

Si këtej, por edhe matanë kufirit.

Nga Kosova, një pjesë e sipërmarrësve që bëjnë biznes me Serbinë kanë arritur që të hyjnë në zemër të politikës; në parlament dhe qeveri.

Ata marrin përqindje nga Beogradi për shitjen e mallrave që prodhohen në Serbi plus marketingun që e kanë falas.

Një gjë legjitime, por një pozitë monopol e tyre kap shtetin atje. Ata nuk janë të interesuar që të vijë nga Shqipëria nafta, materialet e ndërtimit, ushqimet, mallrat industrialë etj etj.

Po kështu në Shqipëri; një pjesë e biznesit që ka në dorë tregtinë do të ishte prekur shumë nga hapja e kufirit pasi i rritet konkurenca.

Kjo klasë biznesi është mësuar që të harxhojë për të ndikuar në politikë e jo për të punuar që të mbijetojë në konkurrencë përmes përmirësimit të shërbimeve dhe produktit.

Pra ne jemi në pozita më keq se feudale; jemi në kohën e tregtisë proto osmane.

Fiks siç ka qenë në kohën e Romës dhe Bizantit.

Shkurt dy shtetet që kemi ne Shqipëria dhe Kosova nuk nevojiten, nëse ata nuk krijojnë një treg të vetin, por janë zgjatim i tregut serb apo grek.

Kjo shqip quhet kolonializëm. Edhe Pandeli Majko, i cili ka treguar me gisht kolonializmin; ose duhet të tregojë platformën për të dalë nga kjo gjendje, ose të largohet.

Përndryshe, është zyrtar i një kolonie… Për të mos folur pastaj për kryeministrin, heshtja e të cilit në këtë rast është fatale./Pamfleti.com

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *