Opinion

A do të dështojë Dialogu i Brukselit?

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

*** Dialogu i Brukselit është forma më oportune politike paqësore, që Serbia gradualisht, duke e copëtujar pjesën veriore të Kosovës, synon ta rivendosë sundimin e saj të dikurshëm kolonial dhe gjenocidal në tërë Kosovën e Shqipërisë etnike.

*** Nuk mund të quhet politikë realiste, konstruktive, racionale, largpamëse, e qëndrueshme, kombëtare, shtetërore dhe ndërkombëtare ajo politikë, bartësit e së cilës për qëllime dhe për interesa të ndryshme nuk i emërtojnë me emër dhe me mbiemër konkret problemet dhe kërkesat me të cilat ballafaqohet ajo qoftë në planin e brendshëm apo në atë ndërkombëtar.

Ky është problemi i politikës së gabuar të “makinës drejtuese” të Kosovës, që krijuesit dhe përfaqësuesit legjitimë të saj, Serbisë, asnjëherë nuk ia përplasën në fytyrë (duke kërkuar llogari kolektive) se problemi i Kosovës ishte me “bagazh” kolonial-gjenocidal, jo problem minoritar i “mbetjes” së kolonëve serbë në Kosovë (1912-2018).

Ky është problemi serioz për të cilin, duhet të flasin liderët e Kosovës me liderët serbë të Beogradit në Dialogun e Brukselit. Ndryshe, nëse ky gabim përsërtitet nga negociuesit shqiptarë, Serbia do të vazhdojë me akuzat dhe me paditë e saj politiko-propagandistike, mitomane, antihistorike, antiligjore dhe antishqiptare se “Kosova është djepi dhe koka e Serbisë”, duke e gënjyer dhe duke e mashtruar Evropën dhe Amerikën se gjoja shqiptarët në Kosovë “janë ardhacakë-migrantë nga veriu i Shqipërisë”!?

Mirëpo, këto teza të ndryshuara, të falsifikuara dhe të fabrikuara nga Kisha politike retrograde serbe, nga shteti dhe nga akademikët e Beogradit nuk kanë kurrfarë baze të argumentuar shkencore, sepse serbët janë ata ardhacakë (doshlakë), që nga stepat e Siberisë dhe nga brigjet e lumit Don, pushtuan tokat e buta dhe pjellore të Ballkanit, duke u ngulitur pikërisht në Kosovën e Shqipërisë etnike (XII).

Në këtë pikëvështrim historik dhe gjeopolitik, duhet trajtuar çështja e Kosovës, jo si “problem minoritar” serb, sepse kolonët serbë kanë të të gjitha drejtat dhe liritë e tyre, të garantuara si me Kushtetutën e Kosovës (2008), ashtu edhe me të gjitha isntrumentet juridike ndërkombëtare.

Mirëpo, problemi i tyre qëndron në faktin se, nuk e njohin Republikën e Kosovës, edhe pse janë të përfaqësuar dhe të punësuar në të gjitha nivelet e institucioneve dhe të organeve të Kosovës. Por, sa ia vlen, kur kolonët serbë njohin Serbinë si shtet legjitim dhe legal të tyre. Mbi këtë bazë kanë problematizuar dhe ndërkombëtarizuar statusin e tyre në pjesën veriore të Kosovës, i cili po debatohet në Dialogun e Brukselit (2011-2018) mes Beogradit dhe Prishtinës nën monitorimin e BE-së, në emër të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore të Kosovës dhe të Serbisë, e cila prerazi me Kushtetutën e saj në fuqi(2006) nuk e njeh Republikën e Kosovës (17 shkurt 2008).

Për “shpikjen” e këtij dialogu fajtorë kryesorë janë Beogradi dhe Prishtina, sepse pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës (2008) nuk pati se çfarë të negociohet për statusin politiko-juridik dhe kushtetues të saj.

Kjo, është çështje e mbyllur, edhe pse Serbia kolonialiste dhe neokolonialiste e konteston nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ky është problem i Serbisë, jo i Kosovës, e cila dikur ishte vetëm plaçkë koloniale e saj (1912-1999).

Apostollova nuk është fajtore, por Serbia kolonialiste që nuk po e njeh Republikën e Kosovës!
Prandaj, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalija Apostolova, me të drejtë ka pohuar se “Normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, hëpërhë është procesi më i komplikuar në Ballkan”.

-Po, mjerisht, ashtu është, siç ka deklaruar përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë, Natalija Apostolova, se “normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, është tejet i ndërlikuar në Ballkan”.

Këtë të vërtetë e provoi edhe zhvillimi i dialogimit steril, pa asnjë rezultat konkret të normalizimit të marrëdhëneve Boegrad-Prishtinë (2011-2018) ngase Serbia botërsisht nuk po heq dorë nga Kosova si koloni e saj e dikurshme, të cilën e ka “kullotur” jo më pak se 100 vjet, ngase as Evropa e as bashkësia ndërkombëtare, asnjëherë nuk kanë qenë të interesuara, që ligjërisht ta ndëshkojnë Serbinë për kolonialiste dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve të Kosovës, të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës (1912-2018).

Serbia po blen kohën, që ta atakojë Kosovën, kurse matrapazët e përgjumur shqipfolës po e lusin që ta vazhdojnë dialogun me përfaqësuesit e saj në Bruksel !

Me gjithë angazhimin dhe kontributin serioz politik dhe diplomatik të BE-së dhe të SHBA-së, që në mënyrë paqësore të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Dialogu i Brukselit (2011-2018), do të dështojë, jo për fajin e Kosovës, as të Amerikës e as të BE-së, por për shkak të destruktivitetit të politikës dhe të diplomacisë së Serbisë, e cila nuk po e njeh pavarësinë e Kosovës, duke e konsideruar si “pjesë territorial të vet” sipas Kushtetutës së Republikës së Serbisë në fuqi (2006) dhe sipas Rezolutës 1244 të KS-së OKB-së (10.06.1999), e cila nuk e mohon pavarësinë e Kosovës.

Pse nuk u zbatua Karta e OKB-së për zgjidhjen e problemit kolonial të Kosovës?

Është e vërtetë se OKB-ja (Asambleja dhe Këshilli i Sigurimit) sipas autorizimive dhe kompetecave të Kartës së vet, gëzojnë të drejtën e plotë legale, që ndër të tjera, t’i shqyrtojnë dhe t’i zgjidhin edhe problemet koloniale në dimensione ndërkombëtare.

Këtë të drejtë e provon edhe praktika dhe veprimi 73-vjeçarr (1945-2018) në zgjidhjen e problemeve koloniale në Afrikë, në Azi, në Amerikën Latine etj.

Ia vlen të theksojmë se, që nga viti 1946, kur për herë të parë u shtrua kërkesa për shkolonizimin e Indonezisë në Këshillin e Sigurimit e deri më 2002, kur Timori Lindore fitoi pavarësinë, OKB-ja ka luajtur një rol të madh në proesin e shkolonizimit të shumë vendve në Afrikë dhe në Azi. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe të theksuar 73-vjeçare, OKB-ja ka ndeshur edhe në pengesa dhe në polarizime të shumëta politike me vendet e ndryshme kolonialiste, të cilat e kanë kundërshtuar arbitrarisht, që kjo të mos vinte në “rend dite” shqyrtimin dhe debatimin e problemeve koloniale, duke u thirrur në NENIN 2, Pika 7 e Kartës së Kombeve të Bashkuara sipas të cilit ndalohet “çdo ndërhyrje e jashtme në çështjet e brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran”.

Mirëpo, ky nen është në kolizion me NENIN 1, Pika 2 sipas të cilit popujt e kolonizuar kanë të drejtën e realizimit të së drejtës së tyre të vetëvendosjes, e cila sipas kuptimit të këtij Neni nuk mund të jetë “çështje e brendshme” e paprekur e shteteve kolonialiste ngaqë me të përfunduar lufta e ftohtë mes dy superfuqive botërore mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik (1990-2018), parimi i sovranitetit nuk ka më karakter absolut sipas doktrinës të së drejtës ndërkombëtare.

Derisa Serbia ishte e suspenduar nga OKB-ja për shkak të kryerjes së gjenocidit të saj në Kosovë (1998-1999), pse OKB-ja nuk zbatoi Kartën e saj, si dhe normat e parimet e së drejtës ndërkombëtare, që garantojnë njohjen e plotë të së drejtës së vetëvendosjes?

Në vend se OKB-ja, të zbatonte instrumentet juridike të së drejtës dhe të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, duke i njohur Kosovës të drejtën e vetëvendosjes, ashtu sikur që dikur ua njohu Algjerisë dhe shumë vendeve të tjera të Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (1947 – 2002), kjo zbatoi Rezolutën 1244 të KS-së, e cila as de fakto e as de jure nuk e njeh pavarësinë e Kosovë, edhe pse kjo ishte koloni 100-vjeçare e Serbisë, si dhe pësoi gjenocidin e fundit më 1998-1999, ku si rrjedhojë, Serbia, edhe u bombardua nga Aleanca e Atlantikut Verior (NATO) më 24 maras-10 qershor 1999.

Megjithatë, duhet theksuar se roli dhe misioni i UNMIK-ut në Kosovë ishte ruajtja e paqes, e sigurisë dhe e rendit, jo zgjidhja e problemit kolonial të Kosovës. Kështu, misioni paqësor 8-vjeçar i OKB-së nuk u përmbyll me krijimin dhe me njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Ky ishte dështimi i OKB-së në Kosovë, sepse duke përfillur Rezolutën 1244 të saj, favorizoi dhe amnistoi politikën dhe praktikën kolonialiste të Serbisë (1912-1999).

Në këtë rast, erdhi në shprehje përligjja e NENIT 2, Pika 7 e Kartës së OKB-së, ku thuhet; “ Asnjë dispozitë e kësaj Karte nuk i autorizon Kombet e Bashkuara të ndërhyjnë në çështje që u përkasin jurisdiksionit nacional të një shteti, as nuk i detyron anëtarët të ngrenë çështje të kësaj natyre për t’i zgjidhur sipas mënyrës së parashikuar me këtë Kartë. Megjithatë, ky parim nuk e cenon aspak zbatimin e masave detyreuse të parashikuara në KREUN VII”. ( Karta e OKB-së KREU I, Objektivat dhe Parimet).

Sipas NENIT 2 Pika 7 të Kartës së OKB-së, do thotë se askush (asnjë shtet) nga ka të drejtë të ndërhyjë në çështje të brendshme të një shteti tjetër. Kjo dispozitë, në emër të mosndërhyrjes nga jashtë në punët e brendshme të një shteti tjetër, me qëllim të mbrojtjes së të drejtës së sovranitetit, më së shumëti e shfrytëzojnë si pretekst dhe jusitifikim ligjor shtetet kolonialiste, ashtu siç po vepron edhe Serbia kolonialiste dhe gjenocidale (1912-2018), duke konsideruar Kosovën si “provincë serbe”.

Mirëpo, këtë të “drejtë” të shteteve kolonialiste siç është edhe Serbia e konteston NENI 1, Pika 2 e Kartës së Kombeve të Bashkuara “se të gjitha shtetet janë të detyrueshme, që të zhvillojnë mes tyre marrëdhënie miqësore, bazuar në respektimin e parimit të barazisë së të drejtave të popujve dhe të së drejtës së tyre për vetëvendosje dhe të marrin çdo masë, që mund të forcojë paqen në botë.”

Gjithashtu, edhe përmbajtja e Nenit 2, Pika 4 e Kartë së OKB-së prerazi e hedh poshtë dispozitën e Nenit 2, Pika 7, i cili përjashton çdo mundësi për të ndërhyrë në çështje të brendshme të një shteti, qoftë ai edhe shtet kolonialist apo neokolonialist siç është Serbia, e cila po lufton që përmes Dialogut të Brukselit, të rikthejë sundimin e saj të egër kolonial dhe gjenocidal në Kosovë (1912-1999).

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *