Lajme, Lajmi kryesor

Sofrat tona janë mbushur me produkte të dyshimta

Kjo xhurulldi e krijuar nga ministri MBPZHR-së Rikallo, nuk është asgjë e re dhe as e papritur. Aty ku ka para dihet se emërohen ose zgjidhen zyrtarë nga të fuqishmit e vendit që ta kontrollojnë dhe ta kanalizojnë ku e te kush duhet të shkojnë ato para. Edhe ky rast është pasojë e konfrontimit të interesave të të fuqishmëve që janë në piramidën e shtetit tonë të kapur

Nga Shemsi Syla

Të rikthehemi pak pas në histori: Ultranacionalistët serbë, duke filluar nga Garashanini, Klubi Kulturor serb, Konventa famëkeqe për shpërnguljen e shqiptarëve e vitit 1938, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, vazhduan përpjekjet për realizimin e planeve, si p.sh. Elaborati i ri i Vasa Çubrilloviqit i titulluar “Problemi i pakicave në Jugosllavi”. Ai pushtetin e ri e “mëson” se përveç spastrimit nga ana e ushtrisë gjatë operacioneve, duhet zbatuar edhe metoda të tjera në mënyrë që pakicat kombëtare të detyrohen të shpërngulen, të krijohen për ta kampe përqendrimi, ndërsa pasuria e tyre të konfiskohet. Kurse në një letër dërguat Titos e këshillon që të nxirret një ligj që tu merren dhitë shqiptarëve pasi me këtë arrin dy qëllime: shkatërrimin e ekonomisë dhe shëndetit të shqiptarëve. Dhe kjo këshillë dihet se u zbatua.

Organet shtetërore të të dy Jugosllavie veçmas asaj të Kralit, dëshironin që nën maskën e reformës agrare dhe të kolonizimit të realizonin politikën për shtypjen brutale të popullsisë shqiptare, konfiskimit të tokës së fshatarëve shqiptarë, të nxiste tendencën e shpërnguljes së saj në Turqi e në Shqipëri dhe të realizonin idenë e nacionalizimit dhe të serbizimit të Kosovës. Me këtë, politika hegjemoniste jugosllave, duke e konsideruar se popullata shqiptare homogjene autoktone, e cila jeton në numër të madh dhe vështirë mund të asimilohet për shkak të kulturës dhe gjuhës tjetër nga ajo sllave, ajo gjeti metodën e terrorit, të dhunës, të marrjes së tokës dhe të shpërnguljes me dhunë të popullatës shqiptare jashtë atdheut të tyre, dhe me këtë të fitojë sipërfaqe të mëdha toke të punueshme, ku do të vendosëshin një numër të madh të kolonëve.

Me qëllim të rrëmbimit të tokave, ushtria dhe xhandarmëria shpeshherë së bashku edhe me elementin kolon, të cilin e furnizonin me armë dhe municion, hidheshin në aksion terrori kundër shqiptarëve. Kolonët të ashtuquajtur vullnetarë, çetnikë, optantë, etj., kishin ardhur gati nga të gjitha viset e Jugosllavisë borgjeze, si nga Mali i Zi, Hercegovina, Bosna, Dalmacia, Lika, Korduni, Bania, Serbia Jugore, Vojvodina, etj. Mirëpo, kishte kolonë të ardhur edhe nga disa shtete të jashtme si nga Rusia, Italia, Hungaria, Shqipëria, Amerika, etj. Atyre pushteti u jepte prona të mëdha të tokës, sipërfaqja më e madhe e marrë nga pronarët shqiptarë, duke i detyruar ata që të shpërngulen ose të bëhen shërbëtorë “të agallarëve” të rinj, duke ua punuar tokën dhe duke e paguar edhe tatimin për atë tokë. Pushteti, kolonët i vendoste edhe në shtëpitë e fshatarëve vendas shqiptarë dhe të atyre të shpërngulur. Kolonëve, përveç tokës se dhënë falas, pushteti disave ua ndërtonte edhe shtëpitë, si dhe u jepte ndihmë në material ndërtimor, vegla pune, kredi, i lironte nga tatimet shtetërore për 10 vjet dhe nga ato komunale për 5 vjet, kurse të drejtën e plotë si pronarë – me të drejtë për të shitur atë – do ta merrni pas dhjetë vjetësh, transportin falas të tyre, të materialit ndërtimor, veglave të punës, bagëtive etj. deri të vendi i vendosjes etj.

U formuan Kooperativat agrare nga të cilat kolonët merrnin kredi pa kamatë, material ndërtimor dhe ndihma të tjera. Në mesin e kolonëve të ardhur, që shteti u kishte dhënë tokë, përveç fshatarëve bujq kishte edhe tregtarë, pensionistë, oficerë, xhandarë, nëpunës, etj. Për t’i nxitur dhe për t’i tërhequr kolonët që të vijnë dhe të vendosen në Kosovë, makineria propaganduese serbe përdorte në forma të ndryshme propagandën se në Kosovë ka tokë më bollëk, shtëpi të lira etj.

Kolonëve të ardhur sllavë, pushteti, përveç tokës “utrinë”, kullota e të tjera, u ndante posaçërisht tokë të punueshme pjellore të marrë nga pronarët shqiptarë, të cilët ishin të detyruar të shpërngulen jashtë vendit ose të marrin nga kolonët e të punojnë tokën e vet përgjysmë ose me qesim dhe për të edhe të paguajnë më tutje tatimin. Tokën pronarëve shqiptarë pushteti ua merrte edhe me motivacion se është përfshirë në kompleksin agrar dhe për atë shpesh nuk jepte kurrfarë kompensimi, ose nëse jepte atë tokë e jepte të cilsisë së dobët. Siç është theksuar më parë, për zbatimin e kolonizimit ishin të angazhuara të gjitha organet e pushtetit, duke filluar nga ato më të ulëtat lokale e deri tek ato më të lartat shtetërore. Pra, ishte angazhuar tërë makineria shtetërore.

Ndërsa si rrjedhojë e spastrimeve etnike dhe e kolonizimit të tokave shqiptare u bë ndryshim i ndjeshëm i strukturës etnike të popullsisë. Bazuar në shënimet statistikore, qeveria arriti që në Kosovë, në periudhën midis dy luftërave, siç thuhej për nevoja të reformës agrare t’i kufizojë rreth 129.212,94 ha tokë. Ndërsa, gjatë kësaj periudhe janë vendosur 13.482 familje me rreth 67.410 anëtarë në 594 vendbanime. Sipas një burimi tjetër në 14 rrethe të Kosovës 21.876 familjeve iu është dhënë 81.134,49 ha. Sipas një raporti të Drejtoratit Suprem të Reformës agrare në Shkup, deri në fund të muajit tetor 1940, për drejtoratet agrare në Pejë, Ferizaj, Shkup dhe Prizren janë kufizuar 381.245 ha tokë. Tokë në masë të konsideruar iu është dhënë kishave dhe manastireve ortodokse, stacioneve të xhandarmërisë etj.

Sipas një raporti të Drejtoratit Suprem të Reformës Agrare në Shkup, sek. nr. 344, datë 12.XI 1940, në territorin e këtij Drejtorati kishave dhe manastireve iu janë ndarë 569 ha tokë, ushtrisë 1.342 ha, xhandarmëris 250 ha dhe të tjera. Ndërsa, në anën tjetër merrej edhe prona e vakëfeve, xhamive, teçeve etj. pa kurrfarë kompenzimi dhe në forma të ndryshme përfide. Nuk është mbajtur ndonjë evidencë e mirëfilltë për marrjen e këtyre pronave duke i konsideruar si prona te lira ose të përfshira në kompleksin agrar. Duhet përmendur se pushteti agrarë në vitin 1927, Manastirit të Deçanit iu dhanë pronat e 50 familjeve shqiptare të fshatit Isniq, nërsa Manastirit të Deviçit iu dhanë pronat e 20 familjeve shqiptare të fshatit Llaushë, komuna e Skëndëraj.

Por, përkundrejt këtyre masave shqiptarët nuk hoqën dorë nga prona dhe nga toka e tyre dhe rrjedhimisht nga identiteti i tyre, duke e blere e riblerë edhe nga dy e tri herë tokën e tyre. Dhe token e punuan deri në fund të luftës dhe duhet të përkujtojmë që edhe në luftën e fundit ushtria shkatërroi e dogji ara të mbjella me drithëra krahas vrasjes së njerëzve vrau edhe bagëti dhe shkatërroi duke i vjedhur e plaçkitur si bagëtinë ose mekanizmin bujqësor. Kjo bëhej me qëllim që të shkatërrohet baza e jetesës së shqiptarëve. Sipas të dhënave statistikore Kosova deri në fund të luftës më 1999 kishte rreth 550 mijë hektarë tokë pune, mbi 200 mijë hektarë pronë shoqërore apo e kooperativave.

Cila është gjendja e bujqësisë dhe e fshatit sot në Kosovë?

Përgjigja më e shkurtër është se atë që nuk arritën ta bënin Serbia dhe Jugosllavia okupatore për 90 vjet e bëmë ne vetë për pak vjet. Në radhë të parë Serbia, siç e theksuam më sipër jo rastësisht dogji dhe shkatërroi fshatrat shqiptare, bagëtinë dhe mekanizmin bujqësor. Si rezultat i kësaj, pas luftës pati një koncenrtim të madh të popullatës rurale në qytete, duke u ndryshuar struktura demografike dhe duke u krijuar probleme të rënda sociale dhe sot si rezultat të kësaj kemi rajone të tëra të boshatisura kryesisht të viseve kodrinore-malore siç është braktisja e Gollakut, Rugovës, Karadakut, Shalës së Bajgores, po edhe të fshtrave në rajonet e Kosovës qendrore si Drenicë, Llapushë etj., dhe në anën tjetër shkallë kaq të lartë të papunësisë e të rasteve sociale në qytete. Tokat bujqësore në Kosovë që nga pas lufta janë shkatërruar në masë të madhe. Këto toka janë shndërruar në zona industriale, në banesa kolektive, objekte afariste e komerciale, ndërkohë që parandalimi për shkatërrimin e tyre ka munguar përgjatë viteve e që sipas disa shifrave të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural mbi 500 hektarë shkatërrohen vetëm brenda një viti. Po ashtu ka uzurpime të mëdha.

Problem mjaft i madh që i shkaktoi bujqësisë dhe zhvillimi rural, dihet se ishte privatizimi pa u respektuar asnjë kriter dhe tokat bujqësore të sektorit shoqëror u bënë prona të agallarëve të rinj shqiptarë, që thuhet se një ari tokë e blen për 1 euro, dhe e keqja nuk është këtu, por atyre tokave ose iu ndryshua destinacioni , siç u tha më sipër , ose ngelën djerrina sot e kësaj dite. Shembuj konkret mund të shihen kudo në Kosovë e me këtë rast po i përmend dy a tri sosh: Fushat e pemishtës së “Malishgait” të Klinës që shihen nga rruga e kombit, pastaj vreshtat e rrushit të Suharekës, apo toka e kooperativës bujqësore të Becit të Gjakovës, që sot janë shndërruar në shkurre e barishte. Toka punohet fare pak edhe nga bujqit tradicional dhe sidomos kultivohen fare pak drithërat, kryesisht gruri dhe misri që në të gjitha shtetet e botës konsiderohen prodhime strategjike.

Kjo ndodhë për shkak se bujku çfarëdo që kultivon prodhon humbje për shkak të tregut liberal , mosmbrojtjes së prodhimeve vendore nga shteti, pastaj mossubvencionimit adekuat , mosregresimit të naftës, të makinerisë bujqësore etj. Kosova që nga viti 2005 ka në fuqi Ligjin për tokën bujqësore i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore. Por, ky ligj nuk zbatohet.

Nga degradimi i tokës bujqësore ekspertë të bujqësisë, kishin konstatuar se Kosova deri në fund të dekadës së parë të këtij shekulli do të ketë krizë në sigurimin e ushqimit. Sipas tyre, sipërfaqja e tokës së punuar në Kosovë është mjaft e ulët, që llogaritet të jetë 0.15 hektarë për kokë banori. Ndërkaq, sipas standardeve ndërkombëtare, minimumi ekzistencial për prodhimin e ushqimit të mjaftueshëm, është 0.17 hektarë për kokë banori. Fatkeqësisht ky parashikim i ekspertëve doli i saktë. Sot Kosova eksporton qindra miliona euro për ushqim të degraduar kryesisht në Serbi. Është thënë edhe më herët se gruri dhe mielli që eksportohet nga Serbia është i cilësisë së dobët, madje vjen nga rezervat shtetërore të Serbisë dhe këtu shitet pasi veterinarët e Serbisë e ndalojnë atë grurë që të bëhet ushqim për kafshë. Ata që kalojnë nëpër Serbi tregojnë se në pjesën jugore të këtij vendi nga Nishi e Kryshevci e vetmja prodhimtari aktive që shihet janë fabrikat e vogla të ushqimit të kafshëve, të cilin ushqim mund ta shesin vetëm në Kosovë.

Po kaq keq është edhe blegtoria. Fondi i bagëtisë së imtë, veçmas i deleve dihet se ka pësuar dëmtim e zvogëlim drastik. Psh. Nga një statistikë e zyrave të vendit të rajonit të Gollakut nga viti 1970-deri në vitin 1982 , brenda viti janë eksportuar në Greqi rreth 70 mijë qengja, që përkthyer në para me çmimin e sotëm i bie gati 10 milion euro. Sot në gjithë këtë regjion nuk mund të gjenden mbase as 100 krerë dele. Edhe më keq është gjendja me dhi. Këtu duhet përmendur një rast interesant që nuk u bë kurrë temë e publikut. Pas luftës pat filluar ngritja e minifermave të dhive dhe Agjencia e Veterinës arriti të krijonte edhe kartela për secilën fermë dhe ishte shpresë e madhe se fermat e dhive do të ishin një krah i fortë i zhvillimit të këtij vendi. Por, kur gjithçka kishte marr të mbaren, në Maqedoni u sëmurën dhitë nga bruceloza dhe Kuvendi i Maqedonisë merr vendim për asgjësimin e tyre dhe kompensimin e fermerëve. Po çka ndodhi? Ato dhi nuk u asgjësuan, por tregtarët shqiptarë, (ndoshta edhe maqedonas) i sollën në Kosovë dhe i shitën më çmime të ulëta. Pati plot raste të sëmundjeve të njerëzve dhe kjo mjaftoj që fermat e dhive të treteshin si fluska sapuni në uji.

Diçka më e mirë është gjendja me kultivimin e lopës. Mirëpo, sado që kishte plot raste serioze të fermerëve të vendit, por edhe të njerëzve të ardhur nga diaspora që të ngritin ferma të lopëve qumështore, apo për majmëri as kjo nuk pati sukses për shkak të çmimit. Pra në emër të liberalizimit të tregut shteti u ka dhënë monopol të plotë tregtarëve në dëm të prodhuesit vendor. Dhe si rezultat i kësaj sot në sofrat tona në vend që të ushqeheshim me drithëra, mish, prodhime qumështi, pemë e perime cilësore të vendit tonë dhe praja të qarkullonte brenda vendit dhe tu ndahej njerëzve tanë dhe kështu të ulej edhe shkalla e papunësisë dhe emigracionit të paligjshëm , ne sot ushqehemi me ushqime me prejardhje te dyshimtë, jo rrallë edhe të kontaminuar dhe afër 1 miliardë euro eksportohen për ushqim jashtë vendit, diku mbi gjysmë miliardi në Serbi. Një problem që ka ndikuar në shkatërrimin e bujqësisë dhe degëve të saj janë edhe kreditë bankare, të cilat në fakt janë fajde dhe kamata aq e madhe për bujqësi arsyetohet me shkallën e lartë të rrezikshmërisë.

Por shkaktari kryesor i sjelljes së bujqësisë kosovare në këtë gjendje është vetë koncepti shtetëror për bujqësinë, sepse dihet që nga themelimi i institucioneve qeveritare në vend, bujqësia u trajtua si segment i dorës së dytë në mos i së tretës dhe përderisa nuk janë rritur fondet e granteve kjo ministri u është lënë ta udhëheqin partitë minoritare. Subvencionet janë të vogla dhe nuk kanë ndonjë peshë, kurse është fshehtësi publike se secili përfitues i një granti, apo subvencioni më të madh, duhet të jap ryshfet diku rreth 30 për qind të shumës së grantit, plus 18 për qind tvsh. Krahas kësaj projekti që miratohet ai paraprakisht duhet të jetë hartuar dhe më pas të realizohet në të gjitha fazat në “zyrtarë” e “ekspertë” të caktuar, qofshin të institucioneve qeveritare, apo edhe të agjencive të ndryshme. Pra, mjetet e granteve dhe subvencioneve që quhen për zhvillimin e bujqësisë dhe agrobiznesit kanë shkuar gjithmonë në xhepat e tregtarëve, klienteles së pushtetit dhe ajka në xhepin e pushtetarëve. I vetmi rast pozitiv për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë sot është trekëndëshi Rahovec-Xerxë-Krushë e vogël-Mamushë. Prodhimet cilësorë të domateve të këtij vendi shitën pa asnjë pengesë në tregun e BE aq sa ata mund të prodhojnë.

Dhe e keqja më e madhe e shkatërrimit të bujqësisë dhe të mjedisit rural është humbja e shprehisë së punës së njerëzve të këtij nënqielli. Dihen shumë raste në histori që pushtuesi u ka dhënë ndihma falas banorëve të një vendi të pushtuar. Natyrisht jo nga dashuria për ta. Por dihet se humbja e shprehisë së punës dhe dembellëku shënojnë fazën e fundit të shkatërrimit të një shoqërie dhe të një kombi.

Çka duhet bërë?

Nëse synojmë ndërtimin e vendit, nëse dëshirojmë shëndet për popullatën, punësim të shpejt, ushqim cilësor, mos eksportim të parasë , kthimin e shprehisë së punës dhe ndalimin e emigracionit masiv, Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e vendit duhet që bujqësinë ta shpallin prioritet qeveritar dhe të evitohen të gjitha këto dëme e të meta që i janë shkaktuar bujqësisë në Kosovë dhe rrjedhimisht shoqërisë dhe banorëve të saj.

/Autori është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *