Ekonomi

Shteti gjerman i ofron mbështetje Kosovës në fushën e tregtisë dhe industrisë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka pritur një delegacion të kryesuar nga Helge Tolksdorf, drejtor për zgjerimin e BE-së, Evropën Juglindore dhe Turqinë në Ministrinë Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë, që shoqërohej nga Anja Meyer nga ministria Federale për Çështje Ekonomike dhe Energjetike dhe zëvendësambasadori Gjerman në Kosovë, Jan Axel Voss

Hasani përmendi prioritetet e ministrisë që drejton, në veçanti harmonizimin e legjislacionit të plotë me MSA-në, përmbushjet e obligimeve që derivojnë nga MSA, jetësimin e ligjit për Investime Strategjike dhe prioritetet e Kosovës në CEFTA.

Ai tha se orientimi i politikave të MTI-së do të jetë në përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që ta rrisin kapacitetin e prodhimit dhe eksportin.

“Ne prej marrjes së mandatit, që po bëhen gati 6 muaj, jemi munduar që sa i përket legjislacionit, t’i shtyjmë disa ligje që nuk kanë qenë në harmoni të plotë me MSA-në. Kemi punuar shumë në këtë drejtim dhe janë diku dhjetë ligje që janë proceduar në qeveri. Ne politikat tona i kemi orientuar në përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe promovimin e investimeve. Te përkrahja e ndërmarrjeve të vogla, jemi të orientuar shumë në përmirësimin e konformitetit të produkteve, përkrahjen e bizneseve për t’i rritur kapacitetet e prodhimit, që nëpërmjet kësaj synojmë ta rrisim edhe eksportin, të hapim vende të reja të punës dhe të fokusohemi në zhvillimin ekonomik të Republikës sonë”, tha Hasani.

Ministri gjithashtu përmendi edhe aplikuesin e parë për ta marrë statusin e Investitorit Strategjik, që është një kompani me kapital gjermano-kosovar dhe që do t’i investojë 130 milionë euro në energji solare.

Gjithashtu ministri Hasani përmendi edhe raportin e të bërit biznes që Kosova është renditur në vendin e 40.

“Jemi duke hartuar politika të turizmit, forcimin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë, infrastrukturën e cilësisë në përgjithësi, dhe krijimin e ambientit të të bërit biznes, që Kosova është renditur mjaft mirë vitin e kaluar në vendin e 40, sipas raportit të Bankës Botërore. Po presim që gjatë këtij viti të kemi progres prapë, me miratimin e Ligjit për Shoqëri Tregtare. I kemi dhënë mbështetje shumë fondit për garanci kreditore. Mbështetës i këtij fondi është edhe Banka Gjermane për Zhvillim dhe Rindërtim”, tha Hasani.

Helge Tolksdorf, drejtor për zgjerimin e BE-së, Evropën Juglindore dhe Turqinë në Ministrinë Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë, tha se Ballkani Perëndimor është në vazhdimësi prioritet për shtetin gjerman.

“Ballkani Perëndimor do të jetë në vazhdimësi një pikë e rëndësishme e politikës së jashtme gjermane. Lajm i mirë është që prej pavarësisë së Kosovës kemi dyfishuar këmbimin tregtar bilateral, dhe Kosova ka një potencial të madh që mund të shfrytëzohet”, tha Tolksdorf.

Ai e përgëzoi dhe inkurajoi ministrin Hasani për harmonizimin e legjislacionit me BE dhe përmbushjet e kritereve që derivojnë nga MSA-ja.

Ai po ashtu i dha garanci ministrit Hasani që shteti gjerman do të jetë partner i fuqishëm i Kosovës në zhvillimin e politikave ekonomike dhe ofroi mbështetjeje për ekspertë në fushat që ka nevojë MTI-ja.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *