Kulturë, Lajmi kryesor

Shqiptarët, të parët në listën e kushërinjve mes popujve të Europës

Shkencëtarët kanë mbetur të surprizuar me këtë të dhënë që vlen për Shqipërinë dhe Kosovën. Kjo e dhënë tregon se shqiptarët e sotëm rrjedhin të gjithë nga një grup i vogël paraardhësish

Nga Gladiola Bendaj

Dy studiues të njohur amerikanë kanë krahasuar gjenomet e 2257 individëve nga 40 popullsi nga e gjithë Europa. Sipas rezultateve, afërsia midis banorëve të kontinentit është shumë më e ngushtë nga ajo çka besohej deri më tani. Të parët në listë qëndrojnë shqipfolësit.

Grekët, maqedonasit, madje edhe italianët ndajnë me shqiptarët po aq paraardhës sa me njëri-tjetrin. Konkluzioni i pazakontë tregon se, të paktën këtu e 1500 vjet më parë shqipfolësit nuk kanë qenë një popull veçanërisht i izoluar, aq sa kanë qenë të pakët në numër.

Sado e pazakontë mund të duket, europianët janë të gjithë kushërinj mes tyre. E pranojmë, teorikisht nuk është se po themi ndonjë gjë të re.

Deri këtu mund të shkoj logjika e thjeshtë e shumëkujt. Ama, që shqipfolësit janë populli me gjenet më të forta mës gjithë popujve të Europës, këtë pakkujt mund t’ia priste mendja.

Kjo nuk është ndonjë nga ato klishetë e përditshme që shkojnë nga goja në gojë për të na nxjerrë si popullin më të lashtë të botës.

Është konkluzion mbreslënës i dalë nga një studim i ditëve të fundit, realizuar nga dy gjenetistë amerikanë me famë botërore, Peter Ralph dhe Graham Coop të Universitetit të Kalifornisë. Pasi morën në shqyrtim ADN-në e 2257 individëve nga 40 shtete të Europës, ata dolën në konkluzionin se Europianët janë të gjithë kushërinj mes tyre, por shqipfolësit janë ata që ndajnë nivelin më të lartë të paraardhësve të përbashkët.

Dhe kjo nuk është një histori e viteve të fundit. Një rritje e numrit të paraardhesve të përbashkët derivon nga të pakten 1500 vjet me parë. Në harkun kohor të të paktën këtyre 1500 viteve të fundit, edhe pse shqipfolësit kanë qenë të pakët në numër, ata nuk kanë qenë aspak një popull i izoluar.

Gjithmonë referuar të dhënave shkencore të këtij studimi, që më shumë sesa antropologjik është një studim gjenetik, ajo që bën më shumë përshtypje është se shqipfolësit jo vetëm ndajnë mes tyre më shumë paraardhës të përbashkët sesa çdo popull tjetër evropian, por, për më tepër, edhe kampionët e individëve grek dhe maqedonas të marrë në këtë studim, ndajnë shumë më tepër paraardhës të përbashkët me shqipfolësit sesa me fqinjët e tjerë të tyre.

Dhe më e veçanta

Besojeni ose jo, nëse grekërit e maqedonasit e ditëve të sotme ngjanin më shumë gjenetikisht me shqipfolësit, sesa me fqinjët e tyre kufitarë, por që gjithsesi, ishin më kompakt brenda llojit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për italianët.

Edhe pse një popull fqinj nga të cilët ndahemi me kufij detarë, kampionët e individëve italianë ndajnë pothuajse të njëjtin numër paraardhësish të përbashkët me shipfolësit aq sa edhe me njëri-tjetrin.

Pra, italianët, gjenetikisht, nëse flasim për një vazhdë prej 1500 vitesh, kanë më shumë paraardhës me shqiptarët sesa me njëri-tjetrin. Gjuha shqipe është një gjuhë indoeuropiane pa “kushërira” të tjera të afërta.

Kjo ka qenë persistente dhe gjithmonë kështu, edhe në periudha kur gjuhët fqinje u influencuan fuqishëm nga latinishtja dhe greqishtja. Kjo shpjegon një lidhje mjaft intriguese midis linguistikës dhe historisë gjenealogjike.

Studimi

Studimi, që është publikuar së fundmi në Plos Biology, është realizuar nga gjenetistët Peter Ralph dhe Graham Coop të Universitetit të Kalifornisë.

Ky studim tregon se në harkun e tremijë viteve të fundit ekziston një shkallë ngjashmërie mjaft e lartë midis popujve të shteteve të ndryshme të Europës, pavarësisht se këto janë ndërtime më të hershme, të cilat përziejnë grupe të ndryshme njerëzish.

Dy studiuesit kanë përdorur zinxhirin e plotë gjenetik të 2.257 individëve të marrë në studim dhe kanë kërkuar segmente ADN-je të shpërndarë në individë të ndryshëm.

Principi bazë i këtij studimi është që, dy individë që kanë paraardhës të përbashkët mund të ndajnë një segment ADN-je të trashëguar nga ky paraardhës.

Sa më i gjatë të jetë ky segment, aq më i afërt në kohë është ky paraardhës i përbashkët. Duke analizuar gjatësinë e segmenteve të ADN-së së përbashkët tek një çift individësh, studiuesit arrijnë të bëjnë edhe vlerësimin e shpërndarjes në kohë të paraardhësve të përbashkët.

Përse ekziston një lidhje midis kohës dhe gjatësisë së segmenteve të ADN-së që ndajnë sëbashku një çift individësh? Për ta kuptuar këtë duhet pasur parasysh mënyra sesi gjenet e për pasojë ADN-ja, e cila është suporti i tyre material, rikombinohen tek çdo brez.

Gjeroma e një individi të caktuar formohet nga përzierja e gjeneve të prindërve të tij, në mënyrë që ADN-ja e tij të jetë e ndërtuar nga segmenti gjenetikë që vijnë nga e ëma dhe nga i ati. Në brezin pasardhës kjo gjenomë integron segmente të rinj ADN-je e kështu me radhë.

Ky proces vazhdon kështu në rrjedhën e brezave. Në këtë mënyrë gjenoma e një personi përmban ADN-në e paraardhësve të tij, të përzierë me segmente të rinj të futur në çdo brez. Pozicioni në të cilin sekuencat e ADN-së modifikohen është i ndryshëm nga rasti në rast, rrjedhojë është që segmentet e ruajtur janë gjithnjë e më të shkurtër.

Kështu, kushërinjtë e parë, të cilët kanë gjyshër të përbashkët, ndajnë mes tyre segmente ADN-je më të gjatë sesa kushrinjtë e dytë. Nga ana e tyre, këta të fundit ndajnë segmente më të gjatë se kushërinjtë e tretë, e kështu me radhë.

Nëse një segment ADN-je është tarshëguar tek dy individë të ndryshëm për një numër të madh brezash, atëherë është e mundur të vlerësohet lashtësia e këtij paraardhësi, duke u nisur nga gjatësia e këtij segmenti të gjetur.

Është pikërisht kjo ajo që kanë bërë dy studiuesit amerikanë Ralph dhe Coop. Llogaritjet e tyre tregojnë se dy europianë të dy vendeve fqinjë kanë nga dy deri në dymbëdhjetë “paraardhës gjenetikë” të përbashkët, që kanë jetuar në vazhdën e 1500 viteve të fundit, dhe kanë deri në njëqind, nëse shkohet pas në kohë me edhe njëmijë vjet.

Shqiptarët, jo vetëm më kompaktët por edhe njohësit më të mirë të gjenealogjive të tyre

Zyri Bajrami, profesori i njohur Gjenetikës në Fakultetin e Shkencave Natyrore të UT, i njohur me studimin e gjenetistëve amerikanë, komenton:

Shumë pak njerëz në Botë e njohin historinë e tyre familjare, e cila shpesh paraqitet në formën e pemëve gjenealogjike. Kjo njohje shkon ndoshta deri tek katër gjyshërit tanë, dy nga babai e dy nga nëna, si edhe deri tek disa kushërinj nga ana e nënës dhe babait.

Megjithatë, ka individë që shkojnë thellë në njohjen e pemëve gjenealogjike. Në disa zona, sidomos në malësinë e Madhe, ka qënë traditë që të rinjve tu mësohej emri i paraardhësve të tyre në linjën babë ose, si e thonë ata, në lisin e gjakut deri në 11 breza.

Ndoshta kanë qenë këto vëzhgime të bëra në shekullin e 19-të që e çuan dijetarin hungarez L. Thallotzy të shkruaj se: “Nuk ka popull në Europë që të njohë më mirë gjenealogjinë e fisit të tij sesa shqiptarët”.

Në studimin me titull “Gjeografia e stërgjyshërve gjenetikë të rinj në Europë” të shkencëtarëve amerikanë Peter Ralph dhe Graham Coop përdoret një aparat i sofistikuar matematik dhe për t’ia mënjanuar lexuesit këtë vështirësi do të përpiqemi të sqarojmë aparatin konceptual.

Njëri nga ne, siç u tha më lart, ka në brezin e parë, d.m.th në brezin “n”, dy parardhës (2n=21=2), në brezin e dytë ka 2n=22= 4, në brezin e tretë 2n=23=8 dhe në brezin e dhjetë, që i bie rreth 250-300 vite më parë, ai ka 210=1024 parardhës të përbashkët.

Nga kjo llogaritje del se të gjithë njerëzit janë të lidhur nga ana gjenealogjike, d.m.th njerëzit diku me X apo Y individ janë kushërinj, sado të largët qofshin.

Të dy shkencëtarët e sipërpërmendur morën dhe analizuan molekulën e AND-së të 2257 banorëve europianë të vendeve të ndryshme dhe identifikuan rreth 1.9 milionë segmente gjenetike. Por çfarë bënë më tej këta shkencëtarë?

Një segment me prejardhje të përbashkët ose identike, d.m.th IBD që ka të njëjtën përbërje midis dy individëve tregohet në dy individët e fundit të pemës gjenealogjike. Është e qartë se këto segmente individët i kanë marrë në rrugë të ndryshme të lidhjeve të gjakut. Merret me mend se një popullatë ka shumë nga këto blloqe të IBD-së. Atëhere pranohet se kjo popullatë është homogjene, me prejardhje të njëjtë, me pak përzierje apo se në këtë popullatë ka pasur pak migrime dhe si rrjedhojë pak të huaj etj. Studiuesit, siç thamë, morën mostra nga disa popuj europianë. Ata analizuan blloqet IBD në disa individë të çdo popullate. P.sh në tabelë tregohet se janë analizuar 9 individë nga Shqipëria, 14 nga Austria, 15 nga Kosova etj. Në kolonën ku është shkruar Self (Vetë) tregohet mesatarja e gjithë blloqeve të IBD-së të gjetur tek çdo popull.

Në tabelë duket se tek shqipëtarët kjo madhësi është 14.5 dhe tek kososvarët 9.9. Nga një vëzhgim sipërfaqësor vihet re se si tek shqiptarët e Shqipërisë edhe tek ata të Kosovës vlera mesatare e të gjithë llojeve të IBD-së është më e larta në Europë. Kjo do të thotë se tek shqipëtarët numri i përputhjeve i blloqeve të IBD-së, d.m.th të AND-së identike, është shumë i lartë. Ky mendim përforcohet edhe nga të dhëna të tjera. Dihet se Hunët kanë migruar në shekullin e IV dhe sllavët në shekullin e VI deri në shekullin e IX. Pikërisht në këtë kohë vërehet edhe vlera e lartë e mesatares së IBD-së së tyre. Por ajo që bie në sy në këtë studim dhe që duhet përmendur është niveli i lartë i blloqeve IBD tek shqipëtarët dhe sidomos e stërgjyshërve të përbashkët të paktën në 1500 vitet e fundit.

Kjo gjë tregon se popullata shqiptare, të paktën deri 1500 vite më parë, ndonëse numerikisht e vogël, ka qënë kohezive apo kompakte. Gjithashtu, tregohet se individët shqiptarë kanë ngjashmëri me popullatat e tjera europiane. Nga ana tjetër mostrat e grekëve dhe maqedonëse tregojnë se ata kanë një ngjashmëri stërgjyshërore më shumë me shqipëtarët sesa me popujt e tjerë fqinjë. Këto të dhëna i bëjnë shkencëtarët të mendojnë se migrimi sllav në shekullin e VI ka ndikuar pak në ndryshimet gjenetike në Ballkan.

Mes analizës kulturore dhe asaj gjenetike

Kohët kur u druajt se individualizmi se do të pushtonte dhe kujtesën mbi prejardhjen familjare dhe fisnore një besim i ri zuri vend dhe u punësau për këtë qëllim, besimi se vetëm shkencat ekzakte si ato mbi gjenetikën, kanë mundësi të thonë të vërtetën për prejardhjen tonë. Dhe megjithë frymën individualiste, shqetësimi për prejardhjen kombëtare u përvijua dhe krijoi së paku dy kozmologj. Njëra përspektivë mbështet idenë se me gjithë popujt e botës në një mënyrë a në një tjetër kemi të parë të përbashkët, madje jo shumë të largët. Disa të tjerë mendojnë se kombet dhe kufijtë kombëtar në një mënyrë përfaqësojnë kufij racor.

Studimi në fjalë konfirmon edhe një herë tjetër, atë që prej kohësh është thënë në studimet antropologjike sociale kritike, se kufijtë etnikë dhe ata shtetëror të përvijuar para dhe pas krijimit të shteteve kombëtare nuk përfaqësojnë aspak kufij gjenetik. Se kufijtë gjenetikë nuk janë krijuar as në bazë të gjuhës, as në bazë të fesë dhe as të ndonjë etnie, dhe as në ndonjë kritet tjetër por kanë qenë gjithmonë të depërtueshëme. Pyetja që ngelej për tu diskutuar ka qenë gjithnmonë intensiteti dhe jo ekzistenca e depërtueshmërisë. Kahjet se nga dhe si ka qarkulluar një kulturë apo tipar kulturor. Pati dhe shumë kritike mbi atë që u quajt difuzionizëm kulturor, dhe tani kemi një emërtim të ri që është “globalizmi apo globalizimi”.

Studimet gjenetike në këtë drejtim marrin rëndësi në shumë drejtime për dijet humane. Shumë njerëz nuk besojnë shumë në analizën kulturore dhe historike krahasuase, por më shumë besim është shtënë në “shkenca ekzakte” siç është ajo e dijës gjenetike. Studiuesit në fjalë kanë bërë shumë kujdes të theksojnë se këto të dhëna kanë qenë propozuar nga shumë studime të mëparëshmë historike, arkeologjike, gjuhësore etj. Në këtë rast duhet parë me kujdes harta e ofruar, pasi ajo në disa raste mbështet njërën apo tjetrën tezë të migracioneve apo “komunkimive kulturore”, Por gjithësesi, ky studim jo vetëm konfirmon shqyrtiimin kritik të studimeve sociale dhe historike të bërë deri më tash por kam përshtypjen, se ky studin dhe të tjerë të kësaj natyre do të jetë vetë objekt shqyrtimi në disa drejtime. Si, pse krijohen këto harta gjenetike në ditët e sotme, sa besohen dhe sa rol luajnë ato në jetën sociale në ditët e sotme dhe në të ardhmen, cili është raporti në mes pushtetit dhe dijes së prodhur në këso rastesh, e shumë pyetje të kësaj natyre.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *