Opinion

Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes

Nga Klementin Mile

“M’u kujtua libri i Çabejt Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, ndërkohë që po lexoja dallimin që bën filozofi gjerman Sloterdijk midis një mënyre lindore dhe perëndimore, ku në Perëndim gjen mendim pa zgjim, ndërsa në Lindje zgjim pa mendim”. Kështu pata shkruar në një status në Facebook para disa ditësh.

Më bëri përshtypje komenti i një shqiptari nga Maqedonia që thoshte “Assesi të kapim Perëndimin Klementin. Na kanë kapur për fyti otomano-bizantinët, s’na lëshojnë kurrsesi. Rrotullohemi në vend. Rast unikal, sui generis në kontinent. Madje disa e kanë për krenari këtë “origjinalitetin” tonë kulturor saqë e përsërisin si papagaj vend e pavend (lexo: “tolerancën e famshme fetare”). Europianët kanë sensin e taktin të mos e thonë publikisht, por tallen prapa shpine me pallavraxhinjtë tanë orientalë, apatridë e të pa identitet. Rezultati final, vendi më i varfër e më i pazhvilluar në Europë. Tragjedi”.

Ky koment është përfaqësues i një mendësie të përhapur gjerësisht te shqiptarët, sipas së cilës fajin për moszhvillimin dhe varfërinë e kombit shqiptar e ka mënyra lindore e të vepruarit, otomano-bizantinizmi ynë. Kjo mendësi mund të ishte tërësisht korrekte, po të ishte e qartë dhe e sigurt se mënyra perëndimore gjeneron realitet, vlerë dhe dije. Çështja është se qartësia dhe siguria për këtë mungon. Po të përdorim shprehjen e Kantit për të karakterizuar problemin e Perëndimit, do mund të thoshim se ai është bosh, na ofron vetëm koncepte (konceptet pa intuita janë bosh). Nga ana tjetër, edhe ata që na shtyjnë drejt Lindjes duhet të mbajnë parasysh që Lindja është e verbër (intuitat pa koncepte janë të verbra). Sigurisht, boshësia dhe verbëria, ashtu si i ka përdorur Kanti, janë metafora. Por edhe si të tilla ato arrijnë të shprehin problemet e thella që ekzistojnë në Perëndim dhe Lindje.

Shqiptarët, shkruante Çabej, kanë qenë historikisht midis Perëndimit dhe Lindjes. Por a është ky pozicion sui generis një bekim apo një mallkim? A do të thotë kjo se shqiptarët kanë edhe mendim edhe zgjim? Apo që nuk kanë as njërin as tjetrin? Sigurisht shqiptarët sot nuk i karakterizon as mendimi as zgjimi. Në trojet shqiptare nuk ka hedhur rrënjë as shkencizmi që mendon, as iluminizmi që zgjon. Prandaj shqiptarët sot janë më keq se fqinjët e tyre në Perëndim dhe Lindje – në hapësirën shqiptare nuk është i mirëfilltë as shteti as protesta ndaj tij. Shqiptarët, në fakt, janë dyfish të larguar nga demokracia, e cila s’është gjë tjetër veçse bashkekzistenca e shtetit me protestën, ku garantohet cilësia e të dyja perspektivave.

Projekti i së ardhmes, si për shqiptarët ashtu dhe popujt e tjerë, është prodhimi i një mendimi që zgjon. Integrimi në Bashkimin Europian, si bashkim i të gjitha trojeve shqiptare në këtë organizëm, apo si shanse më të mëdha për mirëqenie ekonomike, apo si kushtëzime më të forta për shtet të së drejtës, nuk premton ndonjë gjë të madhe në këtë drejtim. Ky proces teknik mund të ndërtojë më mirë shtetin, por jo demokracinë.

Mendimi që zgjon, si sintezë e mënyrës perëndimore me atë lindore, u provua të prodhohej nga filozofi Heidegger. Ai krijoi “mendimin pasionant”. Prej kësaj duhet kuptuar se mendimi që zgjon është i lidhur pazgjidhshmërisht me pasionin. Pasion do të thotë të konsumosh veten, të jesh i gatshëm të vuash çdo pasojë për të realizuar qëllimin. Ky është i ndryshëm nga dëshira, e cila orientohet dhe jep efekte tek objekti i saj. Problemi me projektin e Integrimit Europian të shqiptarëve është se gjithmonë e kanë dëshiruar integrimin, por nuk e kanë patur kurrë pasion.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *