Opinion

Shpendi me bukë, e ju me gurë

Shkruan Kimete Berisha

U bën shqiptarët me përbuzë nimetin! Shqiptarët, populli më fukara në Evropë, ditkan m’u organizu rreth sofrës, kundër bukës! Që e kanë harruar luftën, Bllacën, duart e shtrira për bukë rreth kamionave t’mëshirës; që e kanë harruar urinë dhe vdekjen, në rregull, ama që e kanë harruar Zotin dhe traditën shqiptare, shumë keq. (Gjatë luftës në mal, kemi hëngër më së shumti patate të ngrira, dhe aq shumë ia kisha mërzi erës së dheut që u vinte patateve, dhe aq gjatë i kemi hëngër ato t’bekume, sa që 15 vite pas luftës nuk kam mundur të ha më patate

Unë i kuptoj kur nuk ua merr huji bukën, një herë a dy ndodh, ama kur asnjëherë nuk ua merr huji bukën, kjo është propagandë kundër bukës, është fushatë e ndyrë politike).
Buka te shqiptarët gjithmonë ka qenë kult.
Buka nuk shkelet. Për bukën nuk thuhet “e keqe”, por nëse hiç nuk rehatohesh pa e “përbuzur” bukën, mund të thuash “e ligë kish qenë buka, mos më shti Zot n’gjynah”.
Buka nuk prehet me thikë. Nuk bën të flesh në një dhomë ku nuk janë fshirë troshat e bukës, se mund të çohesh “i lidhur n’hekra”.

Buka për shqiptarët gjithmonë ka qenë “e shenjtë”. Por, kjo kulturë ka ndryshuar, dhe sot shqiptarët e shfrytëzojnë bukën për ta luftuar “armikun” pra, e shfrytëzojnë si mjet politik, për konsum politik, aq poshtë që ka ra katuni.
Rivalët politikë të Vetëvendosjes i kanë mistifikuar aq shumë “kiflet e Shpendit”` dhe kanë krijuar aq shumë legjenda për to, sa ne që nuk i kemi hëngër, “tutemi” prej tyre.
Propaganda anti-kifle e armiqve të Vetëvendosjes ka qenë aq e madhe, sa edhe prindërit kanë marrë tremë nga kiflet, dhe i kanë këshilluar fëmijët e tyre që kiflet (të njejtat) të dalin t’i blejnë, ama kiflet e Shpendit, t’i përbuzin.

Sugjestioni e ka mbytur kalin, jo njeriun.
Përbuzje u them, sepse ato kifle refuzohen dhe paragjykohen nga nxënësit, pa i provuar.
Tash i kishin mbështjellur në qese, për merak ishin, ama, kot, ju ka dalë fjala se janë kifle “të Shpendit”, “katastrofë”.
Te ne shqiptarët asgjë nuk është zhviluar përveç mendjemadhësisë.
Që nxënësit i vjen inat nga nxënësi tjetër t’i hajë “kiflet e shtetit”, për shkak se vetëm fukarenjtë hanë kifle të komunës, kjo është moda më e re.
Që i rrinë gati njëri-tjetrit, dhe ia tërheqin vërejtjen “je veshur njësoj si dje”, kjo hajde me 1000 dreqën, le të ndodhë ama, që shqiptarët paraqiten si aristokratë, kjo nuk hahet.
Bestytnia thotë se kush e lë copën e bukës pa e hëngër, i prehet nafaka.
Kush çohet i fundit nga sofra, i fshinë troshat (dhe nëse shpreh dëshirë, i takon me puth maxhetoren).
Nëse e shikon njeriun që e dashuron nëpërmjet bukës, mund të ndodh “magjia” e dashurisë mes jush. (Si era që e ka fryrë rrotën e mullirit derisa e ka bluar miellin e kësaj buke, ashtu era e dashurisë të fryftë e te sjelltë tek unë”, thotë magjia).

Serbët bile e shfrytëzojnë bukën dhe kripën edhe për magji të zezë. Prandaj, thonë, shtrigat i kanë “sytë e bardhë”, nuk të shikojnë në sy dhe nuk e hanë kripën.
Në moshën tonë rinore, kur i sjellnin sepetat me kifle, secili i merrnim me radhë, i hanim në heshtje dhe nuk u bënim behane. S’ka ekzistuar nxënës (madje as fëmijët e komunistëve) që kanë qitë kërrname, jo po ma kona, jo s’po ma kona.
Ka qenë koha kur një ftua e hanin krejt klasa (kafshatë mbas kafshate). Kur shtyheshim cili e ka mësuar përmendësh “Poemën e mjerimit”.
Tash është koha e mikroborgjezve të vegjël. E shet fukaraja tokën e babës, e çel një qebaptore, e blen një bemvec dhe një bundë, e regjistron fitnesin (ndërkohë që han si derrkuce), shikon seriale, me lexu nuk lexon-se nuk lexon askush, s’don me ra n’sy për “t’keq”, si dhe e paguan 20 euro një pastruese me ja la xhamat dhe me ja ribat laminatin një herë në muaj.

Buka është e lirë, si për të pasurin, si për të varfërin. Askush te shqiptarët, thonë, s’ka vdekur urie. Ama, ju që e keni shkelë bukën do të jetoni aq gjatë sa të pendoheni, e Shpendit si nikoqir, i takon puthjja.

Bukën e largon nga rruga, nuk e shan as nuk e përbuizë, edhe nëse, larg qoftë, t’qëllon naj qime qysh e ka zanat zakonisht me qëllu në burek me djath.
Keni mëkatuar. Jo me Shpendin, por me veten dhe bukën tuaj.
Shpendi me bukë, e ju me gurë.
Kiflen e “bëtë gurë” dhe e gjuat Shpendin me to, por Shpendin s’e gjet gjë.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *