Ekonomi, Lajmi kryesor

Shpalosen dokumente që i dëshmojnë Kosovës pronësinë mbi Ujmanin, “ato s’i ka qeveria”

Avdi Gjonbalaj, ish-punonjës në ish-Organin Krahinor për Hidro-ekonomi, ka shpalosur në Puls të KTV-së dokumente të rëndësishme që dëshmojnë pronësinë e liqenit të Ujmanit

Për fat të keq, siç ka thënë edhe ai, Qeveria aktuale e Kosovës nuk i ka kërkuar këto dokumente. Në mesin e këtyre dokumenteve ai ka shpalosur edhe dokumentin me të cilin dëshmohet kontrata mes Bankës Botërore për Ndrëtim dhe Zhvillim siç është quajtur atëherë dhe ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, po ashtu siç është quajtur atëherë, për ndërtimin e Ibër-Lepencit.

Dokument tjetër ka qenë ai mbi ratifikimin e kësaj kontrate, e firmosur nga Tito.

“Kontrata parasheh se në rast se Qeveria e Kosovës nuk mund t’i kryente obligimet, garant ishte Federata Jugosllave. Kosova i ka kthyer dy gjysmë rata në vitin 1977, derisa amortizimi i kredisë ka pasur të bëhet deri në vitin 2000, sepse ishte marrë për 24 vjet. Federata ka mundur të paguajë rata të kredisë, por ato është dashur t’i kthejë në suksesion pas shpërndarjes së Jugosllavisë”, ka thënë ai.

“Qeveria e Kosovës e tanishme as që i ka kërkuar këto dokumente. Unë jam i fundit prej atyre që kanë qenë dëshmitar në atë kohë. Të tjerët ose kanë vdekur ose nuk janë në gjendje që të flasin për këtë punë”, ka thënë Gjonbalaj.

Tutje, ai ka sqaruar se ideja për ndërtimin e Liqenit të Ujmanit ka nisur në vitin 1964. E ka porositur ish-Organi krahinor për Hidro-ekonomi, sipas tij. Kujton se Serbia kishte qenë kundër.

“Kemi bërë polemika të mëdha me Serbinë në atëkohë që ishin kundër ndërtimit të këtij liqeni. Serbia donte që ta bënte në Moravë. Kundër paraqitej Kraleva, por mbrapa saj qëndronte Serbia. Por, profesionalisht nuk mundnin ta kundërshtonin”, ka thënë ai.

“Projekti i ka më shumë se 100 libra. Financues ka qenë Krahina e Kosovës me para të veta. Projekti i është paraqitur pran Bankës Botërore për Ndërtim dhe Zhvillim. Meqë Banka nuk financonte projekte më të gjata se 5 vjet, dhe ky ishte planifikuar që të bëhej për 8 vjet, atëherë është ndarë projekti në veç për Ibrin dhe veç për Lepencin”, ka sqaruar Gjonbalaj.

Gjonbalaj tregon se liqeni i Ujmanit ishte i lidhur edhe me elektrifikimin dhe me Trepçën.

“Me këtë projekt është lidhur edhe projekti i energjisë. Kosova e ka pas në plan edhe ndërtimin e Kosovës C, që synonte të prodhonte rrymë jo vetëm për Kosovë, por për një pjesë të madhe të Jugosllavisë. Për këtë duheshin rreth 3500 litra ujë për sekondë për KEK-un. Po ashtu synohej zgjerimi i përpunimit të metaleve të Trepçës”, ka thënë Gjonbalaj.

Gjonbalaj ka thënë se edhe më parë, gjatë ’90-ve ka pasur përpjekje që menaxhimi i Ujmanit t’i kalojë komunës së Zubin Potokut. Ka thënë se një digë të tillë, e cila kalon 100 metra, nuk mund të menaxhohet nga pushteti lokal.

“Pesë milionë material ndërtimor është hedhur në të. Në asnjë shtet, kudo në botë, nuk mundet asnjë pushtet lokal t’i menaxhojë një sistem që shtrihet në më shumë se një komunë”, ka thënë ai.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *