Ekonomi, Lajmi kryesor

Sfida e Qeverisë: T’ia paguaj Bechtel-Enkas 53.1 milionë euro ose t’i ndërpres punimet në autostradë

Qeveria e Kosovës i ka përpara dy zgjidhje! As njëra e as tjetra nuk janë të favorshme. Asaj i duhet të vendos nëse do t’ia paguaj Konsorciumit Bechtel- Enka një faturë prej 53.1 milionë euro, ose t’i ndërpres punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” dhe të përfundoj në Arbitrazhin ndërkombëtar. Kohë për të menduar gjatë për këtë çështje nuk ka, por vendimi parashihet të merret në mbledhjen e parë të radhës që do ta mbajë kabineti qeveritar, shkruan AktivPress

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekal i ka rekomanduar Qeverisë që ky vendim të merret në mbledhjen e 29 majit, por për shkak të nevojës për konsultime shtesë, kryeministri Ramush Haradinaj ka propozuar që vendimi të shtyhet për mbledhjen e radhës.

Lekaj ka përkujtuar se Qeveria e Kosovës ka nënshkruar kontratë me Bechtel-Enkan për ndërtimin e Autostradës në vlerë prej 600 milionë euro, mirëpo pas 1 shtatorit 2015, ky çmim ishte rritur në 608 milionë euro, për shkak të ndryshimit të TVSH-së nga 16 në 18%.

Ndërtimi i Autoudhës “Arbën Xhaferi” ishte paraparë të përfundonte me 1 janar 2018, por meqë Qeveria e Kosovës nga viti 2014 deri në vitin 2017, sipas Lekajt, nuk i kishte paguar me rregull faturat vjetore ndaj kësaj kompanie, atëherë është dashur të shtyhet afati i përfundimit të punimeve deri më 31.12.2018.

“Kjo dakordancë është arritur me marrëveshjen e 27 shtatorit 2017, pasi ministri i kaluar dhe Qeveria nuk ishin pajtuar që ta nënshkruan këtë marrëveshje, përkundër shumë takimeve të mbajtura dhe përkundër vendimit të Komitetit Drejtues Ndërministror të shtatorit 2016 për aprovimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Lekaj.

“Të ndodhur në këtë situatë, në më pak se një muaj nga marrja e detyrës, ne jemi detyruar ta vazhdojmë kohëzgjatjen e marrëveshjes së kontratës deri më 31 dhjetor 2018 në mënyrë që të mos ndërpriten punimet, gjë që do të mund të kishte pasoja të mëdha për vendin”, ka shtuar ai.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, siç shkruan AktivPress, konsorciumi Bechtel -Enka ka dorëzuar kërkesën për shpenzimet indirekte për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në shumën prej 63 milionë euro.

Lekaj thotë se konsorciumi e ka arsyetuar kërkesën me faktin se i mirëmbajnë pajisjet e nevojshme dhe për shkak të angazhimeve të pamjaftueshme të resurseve të tyre gjatë viteve 2014- 2017.

“Shpenzimet për dëm material dhe jomaterial nuk i kanë kërkuar. Pra është kërkuar vetëm mbulimi i shpenzimeve për afatin shtesë deri më 31.12.2018”, ka shpjeguar Lekaj.

“Pas negociatave intensive të zhvilluara mes dy palëve, kemi arritur që kjo shumë të zbritet në 45 milionë euro. Duke shtuar TVSH-në 18%, në shumë prej 8.1 milionë euro, është arritur shuma e përgjithshme që e kap shifrën prej 53.1 milionë euro”, ka thënë Lekaj

Me marrëveshje është arritur që Konsorciumi Behchtel-Enka të heq dorë nga e drejta për shpërblimin e dëmit për shkak të vonesave të pagesave nga Qeveria e Kosovës për vitin 2014- 2018,dhe që pagesat prej 53.1 milionë euro të bëhen me rata të barabarta deri më 1qershor 2019. Praktikisht, i bie që për një vit, Qeveria t’i derdh në konton e Bechtel-Enkas nga 4.425.000 euro për çdo muaj.

Kjo marrëveshje, siç ka thënë Lekaj është shqyrtuar në Komitetin Drejtues Ndërministror, i cili me shumicë votash ka vendosur që çështja të shqyrtohet dhe të vendoset nga Qeveria e Kosovës.

Në këtë Komitet marrin pjesë: ministrja e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ministrit i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi.

“Si ministër i Infrastrukturës do të respektoj cilindo vendim të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Lekaj.

Por ministri për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besim Beqaj nuk e ka cilësuar në rregull këtë veprim.

Ai ka thënë se në kushte normale, Këshilli Drejtues Ndërministror është dashur të merrte vendim apo rekomandim të qartë për këtë çështje.

“Në Komitetin Ndërministror janë njerëzit që kanë informacionin e plotë për tërë ndodhin që ka ndodhur në atë proces. Ne tash (si kabinet qeveritar v.j) jemi të hendikepuar për të marrë çfarëdo vendimi sepse nuk e dimë dokumentacionin bazë”, ka dekoruar Beqaj duke e pranuar se për të “është shqetësim pse ata nuk kanë vendosur”.

Qeveria, sipas tij, do të duhej të vendoste mbi bazën e rekomandimit të Komitetit ndërministror, e jo të merrte vendim vet.

Të ndodhur në një situatë të tillë, kryeministri Haradinaj e ka parë të udhës që këtë çështje ta lë për mbledhjen e radhës, e cila pritet të mbahet javën që vjen./AktivPress/

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *