Opinion

Sa politike asht vrasja e Ivanoviçit?!

Nga:Petrit Musolli

Oliver Ivanoviç, ka mund me qenë politikani ma i njoftun në komunitetin serb të Kosovës, nisun prej karrieres së tij të gjatë aktive politike në Kosovë, por duket zor e besueshme, që në realitetin e sotëm politik, Ivanoviç, ka qenë figura/profili ma adekuat politik me nxitë ndonji destabilitet politik/etnik!
S’ka pasë ndonji tregues se Ivanoviç ka me u rikthye, si ma parë, me nji fuqi politike vendimarrëse ndër e për serbët e Kosovës.

Njashtu si te ne shqiptarët, edhe në mesin e serbëve, atyne që s’pajtohen me përfaqësuesit e vet politik e politikat e tyne, shpresojnë gjeneratat e reja, të pangarkueme me historinat e kalueme, e fokusueme te e ardhmja që siguron nji jetë që i ngjanë atyne të vendeve të zhvillueme, pamvarësisht kush si e percepton zhvillimin, atë perëndimor apo atë lindor. Por, që gjenerata e deritashme e udhëheqjes politike në Kosovë ka devalvue, asht ndjenjë e përbashkët ndër tana komunitetet.Tekefundit, gjykue objektivisht, vrasja e Ivanoviçit e damton (politikisht) ma shumë udhëheqjen e Serbisë sesa atë të Kosovës.

Zor me u gjend nji argument publik pse Kosovës i asht dasht vra Ivanoviçi!? Njashtu, në anën tjetër, që për politikën e Serbisë – ka qenë i gjetuni i duhun për me përfitue/destablizue Kosovën. Serbia, zakonisht, ka tentue me krijue situata destabiliteti tue shkaktue viktima civile, e sidomos në vendet e dominueme nga nji shumicë tjetër etnike e politike, e pangjashme me realitetin në veriun e Mitrovicës!

Vrasja e politikanit Ivanoviç duket vështirë e përputhne mbrenda nji motivi politik që garanton përfitime politike, te të dyja palët! Ma shumë i ngjanë nji motivi ‘pragmatik’!..Megjithatë, për fund, nji ‘shmangie’ prej teme. Nji pyetje publike që besoj po mungon me u provue me i dhanë nji përgjigje: A asht në mandatin e Gjykatës Speciale dhe a asht e mundun e përfshime edhe trajtimi i vrasjeve e shpërnguljeve të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës gjatë periudhës 1999-2000?!

Meqenëse, gjithnji, arsyetohet e provohet me u argumentue se kjo Gjykatë s’asht, specifikisht, njietnike dhe se, edhe ashtu, përfshin të njajtën periudhë kohore ku parashihen me u hetue edhe vrasjet tjera politikisht apo etnikisht të motivueme. A munden me qenë landë trajtimi edhe ngjarjet e kësaj periudhe në veri të Mitrovicës, tue pasun parasysh paralajmërimet se hetimet munden me u zgjanue edhe përtej raportit të Dick Marty’t?!

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *