Kulturë

Rrënjët e vërteta të qytet-shteteve, mund t’ju bëjnë të grisni librat e historisë

Nga Ben Kollier

Shfaqja e autoritetit shtetëror ishte një pasojë logjike e lëvizjes drejt bujqësisë me vendosjen e njerëzve në një vend, pa lëvizur, ose të paktën kështu mendonim. Deri kohët e fundit kemi supozuar gjithashtu se popujt e lashtë mirëpritën përparësitë e kësaj mënyre jetese, si dhe rritjen e udhëheqjes shtetërore, pasi ajo ishte çelësi për zhvillimin e kulturës, zanateve dhe rendit civil.

Gjatë 50 viteve të fundit, megjithatë, gjithnjë e më shumë të çara janë shfaqur në këtë interpretim. Tani e dimë se bujqësia e vendosur në një vend, ka ekzistuar për disa mijëra vjet para se të lindnin qytet-shtetet e Lindjes së Afërt dhe Azisë. Në vitet e fundit, arkeologët kanë gjetur – për habinë e tyre – struktura 11.000 vjeçare si ato në Göbekli Tepe, aty ku sot është Turqia jugore. Këto u ndërtuan nga popujt që përdornin bujqësinë, dhe që gjithashtu zhvilluan aftësi të specializuara, si artistike dhe artizanale.

Kjo është një surprizë, dhe i lë studiuesit të mëdyshur për të kuptuar atë që ka ndodhur vërtetë – diçka që me të vërtetë ka rëndësi për një numër arsyesh. Përkufizimet tradicionale të shtetit dhe autoritetit të tij, vareshin nga e drejta për të rritur taksat, dhe për monopolin ligjor në detyrimin e popullit, nga ndëshkimi dhe burgosja e tyre, deri tek zhvillimi i luftërave formale.

Por siç thekson James Scott, mes viteve 8000 dhe 4000 para Krishtit, ne gjejmë komunitete bujqësore të krijuara, me aftësi të përparuara artizanale – e megjithatë, asnjë provë të një autoriteti shtetëror.

Kjo gjithashtu ngre një pyetje të rëndësishme, e cila gjen jehonë edhe në shekullin 21, në lidhje me atë, nëse ka një lidhje të domosdoshme mes fuqisë së shtetit dhe jetës komunitare.

Scott është studiues i shkencave politike në Universitetin e Yale, i cili ka dalë nga zona e rehatisë akademike, për të përveshur mëngët në hapësirën e realitetit arkeologjik. Libri i tij “Against the grain” jo vetëm ofron një histori disi më të errët, por edhe një kuptim më të gjerë të forcave që kanë ndikuar në formimin e shteteve dhe kolapsin e tyre – deri në epokën industriale.

Eshtë interesant fakti që, konkluzionet e tij gjejnë jehona të zymta bashkëkohore në një libër të ri mbi San Bushmenët e Kalaharit, të antropologut James Suzman, i cili ka kaluar 25 vite me ta. Në librin “Begati pa Bollëk”, Suzman, një historian që merret me studime afrikane në Universitetin e Kembrixhit, dokumenton se çfarë ndodh kur pastoralistët të inkurajuar nga qeveritë, rrethuan tokat e Sanëve dhe ua hoqën stilin e jetesës si gjuetarë.

E kaluara e vonë e Sanëve është si një version i përshpejtuar i rrëfimit të Scott. Ai ngacmon mënyrën si u formuan shtetet, sidomos në Mesopotami – sidomos në atë që është Iraku i sotëm. Pikërisht aty u shfaqën qytet-shtetet e parë, në brigjet veriore të Gjirit dhe në fushat e krijuara dhe ujitura prej Tigrit dhe Eufratit.

Ekzistojnë disa dëshmi për vendbanime në mesin e foragjerëve në Lindjen e Afërt, shpesh pranë ligatinave, rreth 12,000 para Krishtit, dhe bujqësi fushe prej 10,000 para Krishtit. Por dëshmitë më të hershme të shteteve datojnë nga 4000 para Krishtit, me qytete të vendosura përgjithmonë. Pikërisht këtu e nxjerr Skott këtë shifër prej së paku 4000 vjet diferencë, midis vendbanimit-plus-bujqësisë (dy parakushtet e supozuara të formimit të shtetit) dhe shfaqes së parë të shtetit.

Rreth 12,000 para Krishtit, popullsia e botës ishte mes dy dhe katër milionë; në vitin 2000 para Krishtit, ishte rreth 25 milionë. Por shumica dërrmuese e njerëzve nuk kishin kontakte me shtetet deri në fund të shekullit të 15-të – epoka e mesme e Evropës. Këta njerëz mbijetuan në një përzierje të bujqësisë dhe mbledhjes së ushqimit, ashtu sikurse banorët e atyre vendbanimeve të hershme në fushat e Mesopotamisë, para 4000 para Krishtit.

Scott përshkruan krijimin, që nga viti 4000 para Krishtit, të atyre që ai i quan “vendbanime fushore me shumë specie në fund të neolitit”. Të ballafaquar me një mungesë të burimeve të egra, këta përdorën kafshë dhe bimë të zbutura. Jeta në këto vendbanime ishte shumë më e ashpër sesa ajo e mbledhjes së ushqimeve, dhe punët e përditshme, sëmundjet kronike dhe epidemitë e shkaktuara nga rritja e varësisë nga speciet e zbutura, janë të dukshme në mbetjet skeletore dhe në rënien e papritur të popullsisë.

Siç ka vënë në dukje ekonomisti bujqësor danez, Ester Boserup bashkë me disa antropologë, ka shumë pak arsye për të imagjinuar se kërkuesit e ushqimit, do të kishin adoptuar këtë mënyrë jetese, nëse nuk do të ishin të uritur, të frikësuar apo të detyruar.

Një kombinim faktorësh duket se i ka shtyrë njerëzit të grumbullohen në ato fusha të Mesopotamisë, duke përfshirë rritjen e popullsisë në zonat ku ushqimi i egër ishte më i bollshëm, një ftohje e klimës dhe ndoshta një rritje në nivelin e detit. Popullatat në kampet e Scott-it zhvilluan aftësi më të mira artizanale dhe kohezion social.

Zhvillimi i hershëm i shtetit në mbarë botën ka një tjetër veçori përcaktuese, një dietë të drithërave. Në të kundërt, bujqësitë e bazuara në zhardhokët ose bishtajoret, nuk kanë periudhë fikse të korrjes dhe nuk krijojnë rezerva. Siç vëren Scott, nuk ka shtete të hershme të bazuara në zhardhokë ose patate të ëmbla.

Por korrja vjetore e grurit krijon dy probleme: magazinimi, i cili kërkon mbrojtje; dhe ndjeshmërina ndaj supervizorëve hajdutë ose sulmuesve të jashtëm. Gjithashtu i lidh prodhuesit me dyqanin e tyre në kohë dhe hapësirë – pra, pa u endur me hark dhe shigjetë.

Duket e mundshme, thotë Scott, se fillimisht ka pasur një qasje vullnetare në punën kolektive në fusha, si dhe që gruri grumbullohej për ruajtje dhe madje rishpërndarje tek nevojtarët. Por kjo gjë, krijoi të gjitha njohuritë teknike dhe organizative për një shtet gjithnjë e më shtrëngues. Të kufizuar në një zonë relativisht të vogël, njerëzit ishin të varur nga dyqanet e centralizuara të grurit dhe u mësuan gjithnjë e më shumë, me mbikëqyrjen e shpërndarjes së ushqimit dhe të punës së tyre – gjë që shfaqet në mënyrë pothuaj obsesive në shkrimet e hershme.

Deri në vitin 3000 para Krishtit, kemi dëshminë e parë përfundimtare të qytet-shteteve, me mbretër, burokraci, punë të detyrueshme, tatime dhe dënime për shkelje. Këto shtete të hershme ishin gjithashtu shumë të brishta, të prirura për epidemi, degradim të tokës dhe kolaps politik.

Prandaj, këto qytet-shtete të hershme në Mesopotami hynë shpejt në një periudhë të gjatë rivaliteti dhe zhvendosjeje të aleancave. Një element kyç ishte lufta për të dominuar tregtinë me popujt që kishin akses në gurë, lëndë drusore dhe burime të tjera, që nuk gjendeshin në fusha.

Kjo u bë një temë e përbashkët midis shteteve të reja drithëra-prodhuese, dhe u pasqyrua shumë më vonë në vende të tjera, për shembull, në periudhën e “shteteve ndërluftuese” të Kinës, duke filluar në shekullin e 5 para Krishtit. Fitimtarët i detyronin humbësit që të paguanin haraçe, robër dhe të zhvendoseshin, veçanërisht për të bërë punë të pakualifikuara në ngritjen e mureve të qyteteve dhe në kanalet ujitëse. Mijëra enë të gjetura në Mesopotami tregojnë për tasat me të njëjtën masë, që përdoreshin për të ushqyer robër që punonin në grupe.

Skllavëria dhe ndëshkimi i ashpër për arratisjet mbetën në zemër të mbretërive dhe perandorive të mëvonshme rajonale. Çdo civilizim ruajti lidhje tregtare me ata në zonat përreth, të ashtuquajturit barbarë. Këta ishin në mënyrë tipike pastoralistët, të cilët shpesh mbanin një pjesë përbërëse nga ushqimi i egër në dietat e tyre dhe kishin tendencë të ishin më të shëndetshëm dhe të kishin më shumë liri personale.

Kjo krijoi një dinamikë që përsëritet në mijëvjeçarin e fundit, me njerëz në periferitë joshtetërore, që shkëmbenin mallra dhe skllevër, me bazë drithin dhe periodikisht. Të lidhur së bashku në këtë marrëdhënie të tensionuar, pastoralistët endacakë dhe shtetet urbane (“binjakët e errët të historisë” sipas të Scott-it) ngadalë kapën ose fshinë fare ata që si mënyrë jetese kishin mbledhjen e ushqimit të egër.

Binjakët e errët shfaqen edhe në librin të Suzmanit. Shumë nga Sanët u detyruan të punonin në fermat e bagëtive në kushte të mjerueshme dhe shpesh të dhunshme, ndërkohë që territoret e tyre të ushqyerjes ishin rrethuar nga pastorët ose fermerët përreth. Disa ende kujtojnë “kohët e vjetra”, por njohuritë e burimeve të ushqimit të egër, tek të cilët mbështeteshin më parë po zvogëlohen. Grupet janë zhvendosur në kampe të largëta me pak dyqane, të padobishme për ta pa para.

Në këto kushte të reja, mendësia e ushqim kërkuesve, kundërshtimi i tyre ndaj autoritetit, pritshmëria për providencën hyjnore, dhe kodi i ndarjes dhe nderit, shpesh herë janë thyer. Disa i jepen pijes ose dorëzohen para të pashmangshmes, duke zënë punë që nuk do i bënin kurrë.

Në këtë mënyrë, përmes neglizhimit, abuzimit dhe moskuptimit, një mënyrë e jashtë jetese po zhduket prej imperativave të bujqësisë lokale dhe mbështetjes shtetërore për të, duke e reduktuar kështu biodiversitetin. Megjithatë Suzman argumenton se, edhe sot Bushmenët kanë shumë për të na mësuar në lidhje me një rend social që, në shumë drejtimet, ofronte një ekzistencë më të lirë dhe më të drejtë, si dhe një përshtatje jopushtuese ndaj ekologjisë.

Suzman dhe Scott kanë shkruajtur të dy libra të shkëlqyer, që mund të shërbejnë si listë leximi për gjeografinë, historinë dhe politikën, si dhe shtëpitë e tyre natyrore të arkeologjisë dhe antropologjisë. / New Scientist – Bota.al

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *