Kulturë, Lajmi kryesor

Reparte të armatosura Arbërore në Hilandar dhe Kastriotët?!

Shkruan: Jahja Drançolli

Për çëshjten që jemi duke diskutuar janë me rëndësi dy akt-dhurime (diploma), që mbajnë nr. 82 dhe 105. Sot ruhen brenda fondeve të dokumenteve cirilike të Arkivit të Manastirit të Hilandarit. Akti parë është një akt-dhurim i përpiluar në vitin 6934 (sipas kalendarit bizantin i përgjigjet datës prej 1/IX/1425 – 31/VIII/1426), në zyrën e princit arbër, Gjon Kastrioti dhe i kushtohet manastirit të Hilandarit.

Ndërkaq, akti dytë doli nga zyra e manastirit të Hilandarit, dhe është pa datë (datën e saktë të këtij akti duhet kërkuar brenda viteve 1426-1431), dhe i kushtohet Gjon Kastriotit. Që të dy këto akt-dhurime apo diploma janë botuar më se njëherë dhe deri me sot kanë qenë objekt i studimit. Është për tu thënë se, rezultatet e studiuesve serioz të mbështetura në dokumente të përmendura më sipër, nuk shfaqin ndonjë dyshim për origjinën arbërore të princërve Kastrioti. Aq më tepër akt-dhurimet sfërcojnë pjesëmarrjen e Kastriotëve në jetën kulurore-fetare, shoqërore-ekonomike të botës bizantine-ortodokse.
Çështja e analizës së veçorive të jashtme të aktit nr. 82, nuk ka qenë objekt i ndonjë studimi ndër ne.

Në këtë aspekt, vërehet se akti nr. 82 është shkruar në alfabetin cirilik, sipas tahigrafisë kançelarike, me ngjyrë të zezë, i sistemuar në 25 rreshta duke e llogaritur këtu edhe nënshkrimin. Materiali i shkrimit është pergamena me një sipërfaqe 25,8 gjerësi, dhe 34,2 gjatësi. Akti është i pajisur edhe me vulën e Gjon Kastriotit. Aty ruhen gjurmët e vulës së dyllit në formë të rrubullakët me një madhësi prej 5 cm. Në anën e pasme (verso) të aktit ruhet mbishkrimi cirilik: “+ Knigа Каstriotova zа sеlа” (shkrim i transkribuar). Më lartë prej këtij mbishkrimi, ruhet shkronja latine N (numero), dhe nën këtë nr. 35, edhe më poshtë është i shënuar viti 6934.

Në aktin e këthyer për 1800 ruhet një mbishkrim cirilik i murgut Nikandër me siguri nga decenia e katërtë e shek. XIV, i cili në përkthim të lirë ka këtë përmbajtje: “Kjo krisobulë është e kryzotëriut arbëror Joan Kastrioti “[…] gospodara Joanna Kastriota albanskago […]”, i cili shkruan se i dhuron manastirit (të Hilandarit) dy fshatra në Arbëri […dve sela vo Albanji…]. Përshkruesi besnik i aktit nga shek. XV, murgu Nikandër ka bërë edhe nënshkrimin sipas mendimit të tij: “Milostio Boziego Joanni Kastriot gospodar albanskii […]”.

Ajo që tërheqë më tepër vëmendjën këtu është Pirgu (Kulla) Arbërore, që gjendet jashtë mureve të manastirit të Hilandarit, që sipas akt-dhurimit të dytë, igumeni i manastirit, jeromonaku Athanas, në emër të këshillit të mugjëve të Hilandarit, i shet Gjon Kastriotit dhe tre djemve të tij pirgun e Shën-Gjergjit së bashku me disa prona të këtij pirgu.

Të gjithë studiuesit që u morën më çështjen e këtyre dy akt-dhurimeve kanë potencuar se, në akt-dhurimin e dytë nuk zihet ngojë emri i Stanishit. Disa mendojnë se Stanishi kishte përqafuar islamin menjëherë pas vitit 1426, ndoshta në vitin 1428. Janë shfaqur edhe mendime se, Stanishi “ka humbur”. Mirëpo, sipas burimeve që zotërojmë, Stanishi nuk ka humbur, meqë si i biri i Gjon Kastriotit përmendet në një dokument nga zyra venedikase (12/II/1445).

Nga akt-dhurimi dytë në Hilandar kanë mbetur vetëm gërmadha të Pirgut Arbëror në kodrën mbi manastirin e Hilandarit dhe varri i Reposhit brenda në katedralën e Hilandarit. Mbi varrin e tij është afreska me subjekte kishtare. Mbishkrimi i datës 6936 (1/IX/1430-31/VIII/1431) mbi varrin e Reposhit provon se ishte fjala për një princ (dukë) ilir, përkatësisht princ arbëror “dux illyricus”.

Pirgu Arbëror i rretheve të manasitirt të Hilandarit gjatë shek. XVI gjeti përkrahës edhe te sunduesit e Vllahisë, si, te vojvodët, Negou Besarab dhe Radul. Janë rujtur disa njoftime për përkujsedjen dhe kërkesat e tyre që të ndihmohet pirgu në fjalë. Këtej, N. Besarabi me 1512 caktoi një shumë vjetore prej 1000 aspra për nevoja furnizuese, dhe 100 aspra për shpënzime të murgjëve. Ndërkaq, vojvoda Radul caktoi në vitin 1525 shumën prej 1200 aspra për pirgun, dhe 1200 aspra për igumenin Makari. Po në këtë vit, pirgu në fjalë përmendet me kulte të zgjeruara.

Është për të vënë re se, deri në atë vit, sipas burimeve të shkruara, Pirgu Arbëror qe kushtuar Shën Gjergjit, ndërkaq më pastaj edhe Shën Nikollës, (nga viti 1528). Historiografia rumune ka ofruar edhe njoftime interesante për jetën tipografike arbërore në Hilandar, çështje kjo që na jep në dorë një element tjetër për zgjerimin e studimeve tona në lëmin e tipografisë së moçme.

Burimet e shkruara që i përmendën më sipër, shoqërohen edhe me burime të tjera, të cilat ofrojnë njoftime primare për pamjën visuele të Pirgut Arbëror. Në aspektin kronologjik gravura më e vjetër e ruajtur daton nga viti 1533, të cilën e kishte punuar frëngu, Pierre Belon du Mans. Në vitin 1650 ndeshim një gravurë tjetër të punuar nga një Anonim i Venedikut. Mirëpo, gravura e vitit 1757 e punuar nga një autor tjetër Anonim, që sot ruhet sot në Moskë, i ka kushtuar hapësirë dhe dukshëmri më të madhe Pirgut Arbëror. Kjo gravurë konsiderohet për të vetmën ku parqitet Hilandari me të gjitha objektet rreth tij, duke filluar prej bregdetit deri në brendi, në Athos. Gravura në fjalë përveç njoftimeve për pirgun e kastriotëve, në pjesën e poshtme të saj, ndërmjet legjendës dhe inskripsionit, ruan kartuçin e stilit barok, në të cilin ndeshim edhe stemën e Ilirisë (Arbërisë).

Tërheqë vëmendjen këtu edhe legjenda dhe inskripsioni, ku radhitën ndërtimet në manastirin e Hilandarit dhe ndërtimet jashtë tij. Vargun e ndërtimeve jashtë manastirit të Hilandarit e nisë Pirgu Arbëror (Arbanaški Pirg). Gravurat të tjera ku parqitët Pirgu Arbëror është ajo e Vjenës nga viti 1764 me një autori Anonim.Në gravurat e vitit 1757, 1764 dhe 1779, Pirgu Arbëror është i vendosur mbë një kodër jashtë manastirit të Hilandarit i shoqëruar me kishën e quajtur Shën Trinia, si dhe me një objekt sakral jo monumental. Pirgu sipas njoftimeve është gjendur gjysmë ore larg manastirit të Hilandarit dhe është ngritur në një lartësi sa që nga ky objekt është parë edhe rruga detare dhe skela e Hilandarit. Pirgu, sot është një gërmadhë ku mund të shihën vetëm murët në një lartësi prej 4 deri në 5 m. Murët në fjalë janë lënë terësisht pas dore duke u shoqëruar me një vegjetacion të ngjeshur.

Ky objekt është ndërtuar sikur edhe pirgjet të tjera të kohës. Mirëpo, për nga madhësia është ca më i vogël. Shihet se ka pasur trajtën e një kulle katërkëndëshe me mure të mëdha prej 6, 00 X 7, 30 m. Në çdo anë të ndërtimit kanë qenë nga dy pilastra të prera 0, 65 X 0, 32 m. Nga ana veriore e pirgut është rindërtuar një godinë ca më e vogël, nga e cila sot ka mbetur vetëm bodrumi. Pirgu ka qenë i rrethuar me mure të larta dhe ka të ngjarë se, ka zotëruar edhe me ndërtime të tjera. Nga materiali i gjetur mund të konstatohet se pirgu është ngritur me material guri të latuar pa përdorimin e tullave.

Nga gjithë ajo që u tha më sipër është e qartë se për rolin e Pirgut Arbëror në Hilandar në shkencat tona pothuajse është heshtur. Ndeshim vetëm në dromca që ndërlidhën me familjën Kastrioti. Së këtejmi, këto njoftime, që u prezentuan këtu, dhe supozimi, se në Pirgun Arbëror kanë banuar për disa kohë reparte të armatosura arbërore, shpresojmë se do të jenë një mesazh për kërkime të mëtejme për këtë çështje të studiuesve tanë, historianë të arteve e arkeologë.

Burimi: Akte dhe monumente të Hilandarit!

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *