Ekonomi, Lajmi kryesor

Rekordi i Trustit të Pensioneve, mbi 100 milionë euro kthimi bruto nga investimet

Kthimi bruto nga investimet (në vlerë nominale) për vitin 2017 pritet të jetë në nivelin rekord qysh prej themelimit të institucionit. Deri më 14 dhjetor 2017 kthimi bruto nga investimet për vitin (1 janar 2017 deri 14 dhjetor 2017) arriti në rreth 102 milionë euro. Ndërsa në përqindje kjo performancë u reflektua në një rritje të çmimit të aksionit prej 6.42%. Ky rezultat në fushën e investimeve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) vlerësohet nga Bordi Drejtues si tejet i kënaqshëm, theksohet në komunikatën e Trustit

Njëkohësisht njoftojmë se kthimi bruto në total prej themelimit të FKPK-së e deri në këtë datë në rreth 407 milionë euro. Rolin kryesor në këtë performancë të investimeve të FKPK-së e patën investimet në tregun financiar jashtë Kosovës, duke kontribuar në pjesën dërrmuese edhe në totalin e kthimit nga investimet.

Nuk duhet anashkaluar se baza e rritjes së vlerës së investimeve të FKPK-së qëndron në një zhvillim të përgjithshëm të tregjeve financiare globale, ku edhe janë plasuar rreth 90% e mjeteve të FKPK-së. Ky vit, pra deri në këtë datë të raportimit, ka njohur stabilitet dhe rritje të qëndrueshme ekonomike globale, që erdhi si nga përmirësimi i treguesve ekonomikë po ashtu edhe nga lehtësirat monetare në qendrat kryesore ekonomike. Këto ishin parakushtet e rritjes së optimizmit të investitorëve, e që njëkohësisht FKPK-ja kishte një strategji investuese që arriti të vjelë këtë zhvillim pozitiv në tregje.

Mjetet nën menaxhim

Edhe këtë vit FKPK-ja njohu rekord në rritjen e mjeteve nën menaxhim. Pa përfshirë këtu edhe muajin dhjetor, mjetet nën menaxhim janë ngritur për rreth 217 milionë euro, krahasuar me rreth 189 milionë euro që ishin ngritur një vit më parë. Përveç kthimit nga investimet në ngritjen e mjeteve nën menaxhim ndikuanedhe prurjet rekorde të kontributeve të reja. Deri në këtë datë të raportimit ishin 150 milionë euro kontribute të reja, pa përfshirë këtu edhe dhjetorin. Pra deri më 14 dhjetor 2017 mjetet nën menaxhim kanë shkuar në 1 miliard e 634 milionë euro.

Për këtë periudhë FKPK-ja kishte dalje të mjeteve për: pensione të shpërndara (26 milionë euro), tarifat menaxhuese (7 milionë euro), dhe kthimet (507 mijë euro).

Numri i kontribuuesve

Numri i kontribuuesve që kanë llogari në FKPK u ngrit në masë të konsiderueshme për këtë periudhë me 47,607 kontribuues të rinj që hynë në skemë, duke bërë që numri i llogarimbajtësve në FKPK të arrijë në 589,530.

Deri në këtë datë të raportimit kishim rritje të theksuar edhe të numrit të kontribuuesve aktivë, me gjithsej 36,848 llogari më shumë,duke arritur kështu në total prej 349,529 llogari aktive. Faktor që ka ndikuar në ketë rritje kanëqenë edhe mbajtja e zgjedhjeve në vend dhe angazhimi i stafit të përkohshëm nga palët e përfshira në proces.

Të pensionuarit

Numri i përfituesve të pensionit për këtë periudhë ishte 5,022 me shumën përkatëse prej 26 milionë euro, kundrejt 4,447 përfituesve dhe shumës prej 19 milionë euro që ishte për vitin 2016. Ndërsa prej themelimit e deri në këtë datë nga FKPK kanë përfituar pension 38,631 persona,me vlerë të përgjithshme prej 117 milionë euro.

Investimet në Kosovë

Shuma e investimeve në Kosovë u rrit nga rreth 99 milionë euro në fund të vitit 2016 në rreth 142 milionë euro deri me datë 14 dhjetor, 2017. Shtimi i investimeve në Kosovë erdhi për shkak të (kryesisht) rritjes së mjeteve të depozituara në bankat vendëse. Bordi Drejtues në vazhdimësi ka shprehur vullnetin që më shumë investime të bëhen në vend, brenda mundësive që lejohen me ligj.

Shërbimet ndaj kontribuuesve

Deri në datën e raportimit janë ofruar gjithsej 141,212 shërbimepër kontribuuesit, kundrejt 81,514 shërbimeve të vitit të shkuar, ose një rritje prej 73%. Po ashtu edhe numri i kontribuuesve që u regjistruan në shërbimin online (eTrusti) u ngrit nga 62,471 në 79,154- një rritje prej 27%.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *