Ekonomi, Lajmi kryesor

Rekordi ekonomik i Donald Trumpit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përjetojnë një moment ekonomik të jashtëzakonshëm nën qeverisjen e Donald Trump duke u shndërruar në lokomotivën e ekonomisë botërore. Departamenti Amerikan i Tregtisë raportoi se në tremujorin e dytë të këtij viti rritja ekonomike kërceu në 4.1 për qind, më e larta në të gjitha ekonomitë e zhvilluara

Ulja e taksave federale dhe paketa e reformave ekonomike që presidenti amerikan miratoi në fillim të vitit ka filluar të japë efektet e para duke bërë të heshtin të gjithë skeptikët dhe kundërshtarët e tij të së majtës amerikane. Donald Trump është President i Shteteve të Bashkuara prej një viti e gjysmë ose 6 tremujorësh. Por si krahasohet ai me paraardhësin Barack Obama, për të njëjtën periudhë? Numrat janë të pamëshirshëm.

Në tremujorin e gjashtë të presidencës Obama rritja e ekonomisë amerikane ishte vetëm 1.6 për qind ose 2.6 herë më e ulët se sa në tremujorin e gjashtë të Donald Trump. Por rritja ekonomike nuk është treguesi i vetëm që dëshmon dominimin ekonomik absolut të Donald Trump mbi Barack Obaman.

Gjatë 18 muajve të parë të presidencës së Donald Trump, ekonomia amerikane ka krijuar 3.2 milionë vende të reja pune. Për të njëjtën periudhë, nën presidencën e Barack Obamas, numri i të punësuarve jo vetëm që nuk u rrit, por ekonomia amerikane kishte humbur 2.9 milionë vende pune.

Por treguesi më domethënës, ai i cili ka bërë të heshtin edhe kundërshtarët me të fortë të Trump është shifra e borxhit publik. Kur kongresi amerikan dhe presidenti Donald Trump miratuan uljen e ndjeshme të taksave, argumenti më i fortë i kundërshtarëve të reformës ishte se ajo do të rrisë borxhin publik. Por të dhënat faktike tregojnë një histori krejt tjetër.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, huamarrja e qeverisë amerikane rezultoi 532 miliardë dollarë, kur për të njëjtën periudhë nën qeverisjen e Obamas deficiti buxhetor ishte 936 miliardë dollarë, ose gati dy herë më i lartë.

Krahasimi ekonomik mes dy presidentëve të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk lë vend fare për dilema. Dominimi i Donald Trump mbi Barack Obaman është absolut. Politika e taksave të ulëta u provua sërish si modeli I duhur ekonomik. Dhe ky është vetëm fillimi. Parashikimet janë që ecuria e ekonomisë amerikane të forcohet më tej.

Modeli zyrtar që përdor Banka e Rezervës Federale të Atlantas parashikon se në tremujorin e tretë rritja ekonomike do të përshpejtohet më tej, në 4.5 për qind, ccka praktikisht e rikthen ekonominë amerikane në kohët e arta të presidentit Ronald Reagan.

Politika e uljes së taksave funksionon gjithmonë. Funksionoi për Reaganin dhe Thatcerin dikur. Po funksionon për Donald Trump tani. Aksioma qëndron. Ulja e taksave është receta më e mirë për ekonominë, pavarësisht kohës apo vendit.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *