Lajme, Lajmi kryesor

Ramush Haradinaj e ka hallin e vetë, apo të Hashim Thaçit

Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj nuk kanë kurfarë konsiderate për Hashim Thaçin, por që të dy në kohë të ndryshme kanë lobuar për pozitat e tij. Pra jo nga simpatia e besimi reciprok, por nga interesi i tyre personal. Po ashtu Hashim Thaçi nuk ka kurfarë konsiderate as për e njërin as për tjetrin, por i përdorë dhe i shantazhonë për interesa të tij

Ramush Haradinajt në cilësinë e kryeministrit i mjaftoi një vizitë në Bruksel për të treguar aftësitë e tij politike e diplomatike karrshi diplomacisë evropiane. Ai në Bruksel me Frederika Mogherinin pati diskutuar temat e Kosovës rreth dialogut me Serbinë dhe pati shfaqur pakënaqësinë e tij për mënyrën se si po trajtohej Kosova, duke përdorur një fjalor politik e diplomatik ashtu siç bisedon me këshilltarin e tij Avni Arifi.

Haradinaj, nuk e kishte parashikuar që është shumë i vogël për një sjellje të tillë alla Donald Trump dhe do të ndëshkohej rëndë nga diplomacia e BE-së. Llafet si Demushi e punën si kërkushi e vunë në veprim diplomacinë e BE-së duke i vendos një vi të kuqe Haradinajt. Më pas Haradinaj hoqi dorë për të qenë bartës i dialogut Kosovë-Serbi duke përkrahur Hashum Thaçin si udhëheqës të këtyre bisedimeve, me arsyetimin se nuk është politikan i tavolinave të tilla, por njeri i punës konkrete.

Tash kur Hashim Thaçi po kontestohet nga opozita si udhëheqës i bisedimeve, Haradinaj ka vendosur në axhendën e tij “shumë të ngjeshur” edhe lobimin pro Hashim Thaçit si udhëheqës i dialogut final me Serbinë. Haradinaj përveq përkrahjes formale dje ka filluar edhe lobimin veprues pro Hashim Thaçit, duke kërkuar takim tek lideri i LDK-së Isa Mustafa, i cili po ashtu pati lobuar fortë që të zgjidhej Thaçi president, në kohën sa ishte kryeministër.

Këtë lobim Isa Mustafa nuk e bënte pse kishte bindje se Hashim Thaçi ishte zgjedhje e duhur për të qenë president i shtetit, por par faktin se moszgjedhja e tij president e rrëzonte edhe Isa Mustafën kryeministër.

E çuditërisht në të njëjtën situatë është Ramush Haradinaj sot, edhe ky nuk po lobon për Hashim Thaçin udhëheqës të dialogut me Serbinë pse ka bindjen që është zgjedhja më e mirë, por po lobon për faktin se nëse Thaçi nuk legjitimohet si udhëheqës i bisedimeve, as Haradinaj nuk mund të jetë kryeministër dhe zgjedhjet e parakohshme do të ishin të pa shmangshme.

Që të tre këta liderë të Kosovës nuk kanë kurfarë konsiderate për njëri tjetrin, por kur e lyp interesi personal që të tre lobojnë fort për njëri tjetrin, kuptohet gjithnjë me moton “Interesi i Kosovës mbi të gjitha”. /Lajm.co

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *