Lajme, Lajmi kryesor

Qytetarët e pakënaqur me punën e Qeverisë dhe Kuvendit

Instituti Demokratik i Kosovës ka prezantuar rezultatet e matjes së opinionit publik në Kosovë lidhur me gjendjen aktuale politike në Kosovë. Në bazë të matjeve del se 72 për qind e qytetarëve janë të pakënaqur me punën e qeverisë dhe Kuvendin e Kosovës

Eugen Cakolli nga KDI, ka theksuar se rezultatet e këtij sondazhi tregojnë se 74% e të anketuarve mendojnë që gjërat në Kosovë janë duke shkuar në drejtimin e gabuar.

Në kuadër të këtij hulumtimi, Cakolli ka thënë se qytetarët janë pyetur edhe për kënaqshmërinë e tyre me punën e Kuvendit të Kosovës. Vetëm 26% e të anketuarve janë deklaruar të kënaqur me punën e Kuvendit, kurse 72% e tyre janë deklaruar të pakënaqur.

“Po ashtu qytetarët janë pyetur konkretisht për kënaqshmërinë e tyre me punën e Qeverisë së Kosovës. Sipas rezultateve të hulumtimit, 72% e qytetarëve janë të pakënaqur me punën e Qeverisë, ndërsa vetëm 26% janë deklaruar të kënaqur me punën e saj”, ka thënë ai.

53.5% e qytetarëve kanë vlerësuar se deputetët nuk janë aspak llogaridhënës ndaj votuesve të tyre, pas marrjes së mandatit.

“Vetëm 19.1% e të anketuarve kanë deklaruar se kanë pasur mundësi për të komunikuar me ndonjë deputet/e që nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka plotësuar Cakolli.
Ai ka thënë se qytetarët janë pyetur edhe lidhur me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje parlamentare, nëse këto të fundit do të mbaheshin këtë të diele.

“Mbi 70% të anketuarve kanë deklaruar se do të merrnin pjesë në zgjedhje, rreth 20% që nuk do të merrnin pjesë, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë qenë të vendosur, apo kanë refuzuar të përgjigjen”, theksoi ai.
Bazuar në sondazh papunësia mbetet problemi kryesor me të cilin ballafaqohen shumica e qytetarëve të Kosovës dhe është evidentuar në 61.3% të rasteve. Pastaj vjen mungesa e liberalizimit të vizave (42.8%), mungesa e sundimit të ligjit (33.3%), gjendja e keqe në sektorin e shëndetësisë (28.9%), si dhe mungesa e arsimit cilësor (19.6%).

Siguria në trafik është një problem i ri i evidentuar nga qytetarët, por që më parë nuk ka qenë pjesë e shqetësimeve të tyre. Me këtë çështje, në gjashtë muajt e fundit janë ballafaquar rreth 13% e qytetarëve.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *