Opinion

Qëndroni, gjurmëve të babës Isë

Nga Albin Kurti

Në tetor të vitit 1988, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Isa Kastrati, i cili më vonë u bë edhe luftëtar e dëshmor i lirisë, u bë me djalë. Në ato periudha të zymta, kur Kosovës po i kërcënohej një re e zezë represioni, Isa Kastrati zgjodhi një emër domethënës për djalin e tij: Qëndron!

Qëndroni u rrit e u bë burrë i shtëpisë e i shoqërisë, në gjurmët e babës Isë. Si vëlla i madh i katër vëllezërve dhe i një motre, atij i ka rënë që herët të punojë për t’i ndihmuar nënës, duke u pjekur para kohe.

Ai ka studiuar inxhinieri elektronike dhe kompjuterike. Ndonëse i ri në moshë, ka disa vjet eksperiencë pune në kompani të ndryshme në po këtë fushë. Prej vitit 2013, ai ka qenë një prej asambleistëve më të dalluar në Komunën e Prishtinës, nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Për meritat që i pati si asamblist, ai u bë kryesues i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes në vitin 2015, dhe ka marrë mirënjohje e falënderime nga vetë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin Qëndroni ka punuar shumë afër.

Qëndroni është aktivist që prej vitit 2009, dhe si çdo aktivist ai është edukuar në Lëvizje me frymën e dashurisë për shoqërinë e për dijen, me idealizmin politik e me solidaritetin ekonomik. Zemërgjerësinë prej aktivisti Qëndroni e tregoi me një gjest shumë bujar. Ai e ktheu banesën që familjes së tij i ishte dhënë si shpërblim meqë janë familje dëshmori. Qëndroni e mori vendimin që ta kthente atë banesë që ajo të përdorej për familjet në nevojë.

Por më së shumti në nevojë për ndihmë, është Dardana. Dardana është në kufirin lindor të Kosovës, dhe ndonëse në fshatrat kufitare shpesh ka inkursione edhe nga policia serbe, Dardana ende qëndron. Dardana qëndron pas shumë viteve të keqqeverisjes, të vjedhjeve, të abuzimeve, të skandaleve. Dardana ende qëndron edhe pse klikat e të korruptuarve janë bërë bashkë. Dardana qëndron dhe ka shpresë, sepse Dardana ka mundësinë të zgjedhë ndryshimin e quajtur Qëndron.

Dardana e qëndresës, ka nevojë për Qëndronin. Qëndron Kastrati, i biri i Isës, është kthyer dhe do të qëndrojë në Dardanë. Me planin e tij qeverisës, që është ai i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Qëndroni do të bëjë të mundur një arsim cilësor në Dardanë, duke u kujdesur për standardet në shkolla. Siç kemi bërë edhe në Prishtinë, Qëndroni do të modernizojë qendrat e kujdesit mjekësor në Dardanë. Ai do të eliminojë abuzimet, vjedhjet, nepotizmin, tenderomaninë. Dhe do të qeverisë në mënyrë transparente për të gjithë, me plan e rregull e sipas ligjit.

Me Qëndronin, Dardana do ta ketë më të lehtë qëndresën. Prandaj, qytetarë të dashur, mërgimtarë që keni familjarë në Komunën e Dardanës, banorë të Dardanës që keni dalë të jetoni në komuna të tjera të Kosovës, ju lutem angazhohuni vetë ju, por edhe familjet tuaja, në mbështetje të Qëndronit. Siç e keni parë edhe në përballjet televizive, alternativa tjetër është ajo e injorancës dhe e mashtrimit, e vjedhjes dhe e shfrytëzimit. Por përballë saj, Dardana e ka një Qëndron, dhe duhet ta përkrahë atë.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *